Bota

Lufta në Gaza/ Hamasi: Gati për një marrëveshje për ti dhënë fund konfliktit dhe lirimin e pengjeve! Do të hapim kalimet për hyrjen e mallrave

3 Shtator, 11:25| Përditesimi: 3 Shtator, 22:30

  • Share

Në një deklaratë zyrtare, Hamasi njoftoi gatishmërinë e tij për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t'i dhënë fund luftës dhe për të liruar të gjithë pengjet.

"Ne jemi të gatshëm të pranojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sipas së cilës të gjithë të burgosurit që mbahen aktualisht do të lirohen, në këmbim të një numri të rënë dakord të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, si pjesë e një mirëkuptimi që do të çojë në fund të luftës në Rripin e Gazës", deklaroi Hamasi.

Kjo marrëveshje do të përfshijë: tërheqjen e plotë të forcave pushtuese nga i gjithë Rripi; hapjen e kalimeve për hyrjen e të gjitha mallrave dhe nevojave të popullsisë dhe fillimin e një procesi rindërtimi.

Ndërkohë "Dita e Trazirave", e thirrur për të kërkuar lirimin e pengjeve dhe një fund të menjëhershëm të luftës, filloi herët mëngjesin e kësaj të mërkure me protestuesit që i vunë flakën disa kontejnerëve të mbeturinave rreth rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, duke krijuar një "unazw zjarri" rreth vendit. Një nga zjarret u vu 100 metra larg rezidencës zyrtare të kryeministrit izraelit. Udhëheqëset e protestës ishin Anat Engerst, nëna e Matanit të rrëmbyer, dhe Vicky Cohen, nëna e Nimrodit. Demonstratat filluan spontanisht në orën 5:30 të mëngjesit, por ishin planifikuar të mbërrinin në Knesset në mesditë.

Policia e Jerusalemit tha në një deklaratë se kontejnerëve të mbeturinave dhe gomave iu vu flaka, duke dëmtuar disa makina, në lagjet Rehavia (rezidenca e kryeministrit) dhe Givat Ram në Jerusalem. Banorët u evakuuan nga ndërtesat aty pranë, megjithëse askush nuk u lëndua. Zjarrfikësit shuan zjarret. Në zona të tjera të Qytetit të Shenjtë, dhjetëra protestues, përfshirë anëtarë të grupit Vëllezër dhe Motra në Armët, u mblodhën jashtë shtëpisë së Ministrit Ron Dermer, duke e akuzuar atë se nuk arriti të siguronte kthimin e një pengu të vetëm përmes një marrëveshjeje që kur u bë kryenegociatori i Izraelit.

Në një deklaratë, protestuesit i përshkruan bisedimet si një "dështim total" dhe akuzuan qeverinë se kapitulloi para të djathtës ekstreme dhe "fundosi" një propozim armëpushimi të pranuar nga Hamasi. Ndërkohë, disa njerëz u barrikaduan në Bibliotekën Kombëtare në Jerusalem dhe u ngjitën në çati; policia po negocion me ta për t'i detyruar të zbresin. Protesta po përhapet edhe në zonën e Knessetit, parlamentit izraelit.

Ora 22:28
Media: Netanyahu hedh poshtë kërkesën e Macron për të vizituar Izraelin: Nuk është koha e duhur

1756931443_emmanuelmacronbenjaminnetanyahu.jpg

Foto: Emmanuel Macron dhe Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar kërkesën e Presidentit francez Emmanuel Macron për të vizituar Izraelin përpara njohjes së shtetit palestinez nga Parisi.

Transmetuesi publik Kan raportoi se Macron kishte dashur të bënte një vizitë të shkurtër në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku Franca pritet t'u bashkohet vendeve të tjera perëndimore në njohjen e njëanshme të shtetit palestinez.

Megjithatë, Netanyahu e kushtëzoi vizitën me tërheqjen e iniciativës nga Macron. Ish-parlamentari franko-izraelit Meyer Habib i tha Kan se Macron kishte tentuar së fundmi të udhëtonte në Izrael, por Netanyahu e kishte refuzuar kërkesën e tij.

"Macron i dërgoi një mesazh Netanyahut duke i thënë se donte të vinte, por Netanyahu u përgjigj se, duke pasur parasysh rrethanat aktuale, nuk ishte koha e duhur", tha Habib.

Ora 22:04
Hamasi: Gati për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe lirimin e pengjeve

Në një deklaratë zyrtare, Hamasi njoftoi gatishmërinë e tij për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t'i dhënë fund luftës dhe për të liruar të gjithë pengjet.

"Ne jemi të gatshëm të pranojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sipas së cilës të gjithë të burgosurit që mbahen aktualisht do të lirohen, në këmbim të një numri të rënë dakord të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, si pjesë e një mirëkuptimi që do të çojë në fund të luftës në Rripin e Gazës", tha Hamasi.

Kjo marrëveshje do të përfshijë: tërheqjen e plotë të forcave pushtuese nga i gjithë Rripi; hapjen e kalimeve për hyrjen e të gjitha mallrave dhe nevojave të popullsisë dhe fillimin e një procesi rindërtimi.

Për më tepër, lëvizja përsërit gatishmërinë e saj për të formuar një qeveri të pavarur kombëtare të përbërë nga teknokratë, e cila do të menaxhojë në mënyrë gjithëpërfshirëse punët e Rripit të Gazës dhe do të marrë menjëherë të gjitha përgjegjësitë në të gjitha fushat.

“Ne ende po presim përgjigjen e Izraelit ndaj propozimit të paraqitur nga ndërmjetësit më 18 gusht, një propozim që u pranua nga lëvizja dhe fraksionet palestineze", shtoi Hamasi.

Ora 15:00
Kallas: BE nuk po e përdor forcën e saj gjeopolitike në Gaza, duhet të veprojmë së bashku

1756378134_kajakallas.jpg

Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas thotë se Unioni nuk po e përdor forcën e saj politike në Gaza. Ajo që po ndodh me situatën humantare, tha Kallas, është një provë që unioni nuk po vepron. 

"Një shembull ku po dështojmë të përdorim fuqinë tonë gjeopolitike sepse nuk jemi të bashkuar është Gaza. Katastrofa humanitare në Gaza është një provë themelore e vendosmërisë së Evropës për të mbrojtur vlerat tona në nivel ndërkombëtar dhe ne po hasim vështirësi sepse 27 shtetet anëtare kanë qëndrime të ndryshme për shkak të historisë së tyre", tha Kallas. 

Sipas saj, BE është donatori më i madh humanitar dhe mbështetës i palëkundur ndaj zgjidhjes me dy shtete, por shtoi se kjo nuk mjafton për të ndryshuar situatën në terren. 

"Evropa ka qenë lojtari më aktiv në këtë front në botë, ditë pas dite. Kam promovuar ndihmën për të arritur ata që kanë nevojë të madhe dhe kam aplikuar ndikim politik aty ku mundemi. Kam hapur kanale diplomatike me Izraelin, sepse nuk mund të arrijmë askund nëse nuk flasim. Bashkimi Evropian është donatori më i madh humanitar dhe mbështetësi i palëkundur i Autoritetit Palestinez dhe zgjidhjes me dy shtete; ne kemi ndihmuar më shumë se çdo aktor tjetër ndërkombëtar. Por kjo nuk mjafton për të ndryshuar situatën në terren, dhe ka zhgënjim që nuk kemi qenë në gjendje të përdorim fuqinë tonë gjeopolitike për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në Gaza sepse na mungon uniteti. Evropa mund ta shfrytëzojë plotësisht forcën e saj si një fuqi gjeopolitike vetëm kur veprojmë së bashku", shtoi Kallas.

Ora 13:46
Izraeli shpall “tokë shtetërore” 45 hektarë në Bregun Perëndimor, mbi 70 mijë persona të larguar nga qyteti i Gazës në 3 ditë

Ushtria izraelite është futur më thellë në qytetin e Gazës, me ushtarë dhe tanke që kanë përparuar deri në Sheikh Radwan, një nga lagjet më të mëdha dhe më të populluara të zonës urbane, raporton Reuters në faqen e saj. Në javët e fundit, forcat izraelite kanë përparuar nga periferia e jashtme e qytetit të Gazës dhe tani ndodhen vetëm disa kilometra larg nga qendra e qytetit, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për ndaljen e ofensivës. Banorët e Gazës i kanë thënë Reuters se ushtria ka shkatërruar shtëpi dhe kampe tendash që strehonin palestinezë të zhvendosur nga lufta që vazhdon prej gati dy vitesh. 

Me intensifikimin e operacioneve ushtarake të IDF-së në qytetin e Gazës, rreth 70 deri në 80 mijë banorë kanë braktisur qytetin – shumica gjatë 72 orëve të fundit, pasi vetëm gjatë fundjavës ishin larguar rreth 10 mijë vetë. Këtë e raporton televizioni publik Kan, duke cituar burime të Ministrisë së Mbrojtjes izraelite, të cilat shtojnë se Hamas po përpiqet të ndalojë lëvizjen e civilëve drejt jugut, “me qëllim përdorimin e tyre si mburoja njerëzore dhe për propagandë”. Megjithatë, dhjetëra mijëra banorë kanë arritur të kalojnë postblloqet e militantëve dhe të largohen nga qyteti.

Tokë shtetërore pranë vendbanimeve izraelite

Administrata civile e Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit ka shpallur “tokë shtetërore” një sipërfaqe prej 45 hektarësh, pranë avanpostit të paligjshëm Havat Gilad në veri të Bregut Perëndimor. Kjo do të thotë se toka do të jetë në dispozicion për zhvillimin e vendbanimeve dhe infrastrukturës.

Më parë, këto toka konsideroheshin si tokë administrative e fshatrave palestinezë përreth – Jit, Tell dhe Fara’ata – megjithatë, ato nuk janë tokë private e regjistruar. Çdokush që pretendon pronësi private mbi këto toka, mund të paraqesë ankesë brenda 45 ditëve.

A.I/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?