Kanë kaluar 24 orë që Sali Berisha ka hedhur në sulm gjithë propagandistët e PD-së, apo ata deputetë që dalin nëpër ekrane “të shikojnë filxhanin” për çdo fjalë të deklaratës së shkurtër të Ambasadës së SHBA për zgjedhjet në Shqipëri.
Dikush e sulmon Ambasadën si memece, të tjerë nxjerrin përfitime të mëdha nga memecëria e saj; një pjesë tjetër e sulmon si mbetje sorosiste, ndërsa të tjerë e shpallin deklaratën si gjeniale.
Vetë Berisha, i cili është urdhëruesi i kësaj kakofonie, na fton ta krahasojmë me deklaratën e vitit 2021, ku përmendej me emër kryeministri Rama si fitues, duke nënqeshur sikur ka arritur një fitore të madhe.
Pas gjithë kësaj tragjikomedie – që natyrisht Edi Rama e shijon shumë – e vetmja gjë pozitive për Shqipërinë është fakti që tani kemi një opozitë që nga anti-amerikane dhe sovraniste, është shndërruar në një opozitë pro-amerikane dhe ka hequr dorë nga sovranizmi si identitet i saj.
Ky është një zhvillim shumë pozitiv. Jo se përbënin ndonjë rrezik real, por po na bënin vend qesharak.
Duke u thirrur në emër të sovranizmit dhe duke kërkuar që shqiptarët të mos dëgjonin çfarë mendonin SHBA dhe BE, ithtarët e Berishës për katër vite me radhë filluan të krijonin një profil politik qesharak – duke u sjellë sikur ishin të vendosur të ndërtonin një Shqipëri që nuk pyeste as për SHBA, as për BE – njësoj si dikur kur nuk pyesnim as për KNER-in dhe as për Tregun e Përbashkët Evropian.
Këtij profili, iu bashkua edhe Ilir Meta, me një tufë mbetjesh të ish-bllokut komunist që i thirri pas vetes, duke e kthyer në një përzierje enveristo-sovraniste, të bazuar në teoritë e izolimit kombëtar dhe luftës kundër SHBA.
Kjo komedi, së paku përfundoi.
Këto zgjedhje sollën një ndryshim serioz në politikën shqiptare: zhdukën këtë specie qesharake që na mbiu para syve tre vitet e fundit.
Tani debati ka lezet. Të gjithë ish-sovranistët e Shqipërisë ulen në kafe në mëngjes, marrin deklaratën e Ambasadës së SHBA-së dhe me të shpjegojnë gjithë të ardhmen e tyre. Pak rëndësi ka që nuk janë fallxhorë të mirë – rëndësi ka nga e presin fatin. Dhe kjo është një shenjë e mirë për shoqërinë shqiptare.
Të paktën, nuk kemi më forca anti-amerikane dhe anti-perëndimore në politikën shqiptare. Madje ish-sovranistët shkuan aq larg, sa edhe fatin e tyre politik nuk e mbështetën më tek shqiptarët, por tek magjia e një amerikani të quajtur LaCivita.
U kushtoi pak shtrenjtë, por ja vlejti – se ndryshe do ishin ende sovranistë. Tani janë bërë të gjithë strategë që i tregojnë Edi Ramës se e ardhmja e tij është e zymtë, pasi ka filluar ndryshimi që në 2021… dhe më 2029 do vazhdojë më tej./ Tema
Komente
