Ambasada e SHBA

Politikë

SHBA ‘certifikon’ 11 majin/ Ambasada: Urime për zgjedhjet, presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë

27 Maj, 16:01| Përditesimi: 27 Maj, 17:00

  • Share

TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron popullin shqiptar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një reagim të parë, ambasada e SHBA në Tiranë ka zgjedhur që të flasë ‘shkurt’ përmes një postimi në rrjetet sociale, por me një mesazh të qartë se mezi pret që të vijojë partneritetin e ngushtë me Shqipërinë.

"Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë", shkruan ambasada. 

Reagimi i SHBA vjen edhe si një përgjigje për kreun e PD, Sali Berisha, i cili vetëm pak orë më parë nga selia blu tha se Amerika ka heshtur për zgjedhjet, pasi raporti i OSBE-ODHIR damkosi zgjedhjet. Por në fakt, Amerika nuk priti provat që Berisha thotë se ka për të faktuar, por përgjigjen ia dha të drejtpërdrejtë.

“Zgjedhjet i ka damkosur, në mënyrë përfundimtare misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës. Kjo është e vërteta. E vërteta tjetër mendoj unë se SHBA-të bazuar në këto dokumente dhe natyrisht në informacionet e tjera që kanë vetë, nuk janë shprehur për këto zgjedhje, duke respektuar standardin ndërkombëtar në këto raste, i cili kërkon që raste si këto qëndrimet të shprehen pasi të finaliziohet procesi me të gjitha problematikat e tij.”, tha Berisha.

Shpresës së Berishës për të fituar mbështetje ndërkombëtare, kundër asaj që e quan “farsë elektorale” iu hodhi ujë të ftohtë dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian.

“Ka pasur një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli. Çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka pasur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse, që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet e tjera përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat”, u shpreh Gonzato.

Zgjedhjet e 11 majit u përgëzuan nga unioni ndërkombëtar të cilët e quajtën proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, përmes një deklaratë të përbashkët nga shefja e diplomacisë së jashtme, Kaja Kallas dhe komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, përgëzuan autoritetet për zhvillimin normal të procesit zgjedhor në të gjithë vendin, ndërsa liderët më të rëndësishëm të BE, nga Macron, kryeministri Britanik, Meloni e von der Leyen uruan Ramën për mandatin e katërt.

Postimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?