Merr fund emergjenca mjedisore në Fier. Janë mbyllur të gjitha vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve që "mbytën" qytetin me tym prej 5 ditësh.
Ndonëse flakët u shuan 3 ditë më parë mbetjet e djegura kanë vijuar të çlirojnë tym edhe ditën e djeshme. Siç duket edhe nga pamjet sot fusha e mbetjeve urbane është tërësisht e mbuluar. Të gjitha mjetet e rënda të bashkisë dhe bordit të kullimit, gërmuese dhe transportuese kanë punuar për mbulimin me dhera të kësaj fushe duke i dhënë fund problematikës dhe diskutimeve nga politika. Ndërkohë sipas drejtorisë së mbrojtjes civile në bashkinë Fier në ditën e sotme nuk ka pasur asnjë vatër zjarri. Te gjitha zjarret e evidentuara në këtë javë janë shuar por nga zjarret në Cakran, Gjorgoz, Lalar, Kreshpan, Vjosë janë djegur rreth 70 ha me pyje e kullota, ullishta dhe vreshta.
Kreu i Bashkisë së Fierit Armando Subashi deklaroi se nuk do ketë më depozitim mbetjesh në këtë fushë dhe se nga nesër do i transportojnë për në incenerator. E gjithë fusha është vënë nën kontroll thotë Subashi dhe nuk përbën më rrezik për ndezje të vatrave të zjarrit.
"Dua t'ju komunikoj sot është lajmi që përfundimisht zjarri në të gjithë fushën e mbetjeve këtu është vënë n ë kontroll të plotë. Nuk ka më as tym asgjë. Është një punë shumë voluminoze që është bërë në të gjithë këto ditë. E gjithë fusha është kapsuluar dhe nuk përbën më asnjë rrezik për ndezje të vatrave të zjarrit.
Ne nuk do ta ndërpresim punën dhe do ta vijojmë me mbulimin e saj me dhe deri në atë lartësi që është e nevojshme. Pas kësaj faze do të vazhdojmë në tetor me mbjelljen e 5000-7000 pemëve në të gjithë këtë fushë.Këtu përfundimisht nuk do të depozitohen më mbetje. Kemi biseduar këto edhe me koncesionarin dhe kemi rënë dakord që nga nesër pasdite të gjitha mbetjet që krijohen në Bashkinë e Fierit do të shkojnë në incenerator. Vjeshta do të jetë edhe periudha kur e gjithë kjo fushë do të pyllëzohet dhe gradualisht do të kthejmë nga një gangrenë në një park të vogël. Do të jetë një kujtim i hidhur", tha Subashi.
Ky rast ka qenë një rrezik ekstrem dhe sipas abientalistit Lavdosh Ferruni me djegien e plastikës prodhohen disa nga helmet më të rrezikshme në planet siç janë dioksina dhe furana, të cilat janë kancerogjene.
3 ditë më parë në një reagim për mediat, Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k ka sqaruar se lajmet që e lidhin inceneratorin me situatën er krijuar janë tërësisht të pavërteta. Sipas shoqërisë venddepozitimi i mbetjeve urbane të qarkut Fier, është në funksion dhe operativ si dhe në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me standarte të larta ndërkombëtare. Gjithashtu kjo kompani ka bërë të ditur se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A. e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Zv.kryeministri Erion Braçe ka reaguar pasi u mbyllën të gjitha vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve në qytetin e Fierit. Përmes një postimi në 'Facebook', Braçe shkruan se problemi 70-vjeçar i plehrave në këtë qytet ka marrë fund teksa thekson se do hapet një etapë e re për trajtimin e mbetjeve.
Ndërkaq, Braçe iu është drejtuar me ndjesë publike banorëve të Fierit për 5 ditët e vështira që kaluan për shkak të tymit që rrethoi qytetin.
"Merr fund ferri 70-vjeçar i plehrave në derë të Fierit! Së pari, shumë ndjesë çdo banori të qytetit të Fierit për këto 5 ditë të këqija dhe 70 vite me plehra në derë. Shumë ndjesë të moshuarve, të sëmurëve e fëmijëve mbi të gjitha! Së dyti, shumë mirënjohës ndaj të gjithë punëtorëve, manovratoreve e cilido tjetër që punoi 24 orëve në 24 për të kapsuluar vatrën më të madhe të infeksionit në qytet. Vërtet shumë mirënjohës! Besoj se tani hapet një faqe e re për trajtimin e mbetjeve urbane në të gjithë qarkun e Fierit me landfillin dhe inceneratorin që janë gati e duhet të nisin punë", shkruan Braçe.
Mamathi i bashkise… hajdut me cisme ..
Përgjigju