Zv.kryeministri Erion Braçe ka reaguar pasi u mbyllën të gjitha vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve në qytetin e Fierit. Përmes një postimi në 'Facebook', Braçe shkruan se problemi 70-vjeçar i plehrave në këtë qytet ka marrë fund teksa thekson se do hapet një etapë e re për trajtimin e mbetjeve.
Ndërkaq, Braçe iu është drejtuar me ndjesë publike banorëve të Fierit për 5 ditët e vështira që kaluan për shkak të tymit që rrethoi qytetin.
"Merr fund ferri 70-vjeçar i plehrave në derë të Fierit! Së pari, shumë ndjesë çdo banori të qytetit të Fierit për këto 5 ditë të këqija dhe 70 vite me plehra në derë. Shumë ndjesë të moshuarve, të sëmurëve e fëmijëve mbi të gjitha! Së dyti, shumë mirënjohës ndaj të gjithë punëtorëve, manovratoreve e cilido tjetër që punoi 24 orëve në 24 për të kapsuluar vatrën më të madhe të infeksionit në qytet. Vërtet shumë mirënjohës! Besoj se tani hapet një faqe e re për trajtimin e mbetjeve urbane në të gjithë qarkun e Fierit me landfillin dhe inceneratorin që janë gati e duhet të nisin punë", shkruan Braçe.
Lajmi kryesor:
Merr fund emergjenca mjedisore në Fier, shuhen vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve që 'mbytën' qytetin në tym! Subashi: Jo më depozitim mbetjesh, nga nesër i transportojmë në incenerator
SI.E./ReportTv.al