Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj ka dhënë mesazhin e tij në meshën e së dielës në Katedralen e Shën Palit me rastin e ditës së Pashkëve.
Dodaj foli për luftën në Ukrainë që është në ditën e 53-të të saj duke thënë se Krishti është ringjallur dhe i ka dhuruar jetën të gjithë refugjatëve, të dëshpëruarve që kanë braktisur vendin e tyre për shkak të pushtimit të forcave ruse.
"Në Shtëpinë e Zotit nuk ka nga ata që thonë unë jam më i mirë dhe ky është më pak i mirë se unë. Ju thotë Jezusi jeni vëllezër të gjithë, e keni vetëm një mësues, Krishtin, e një Hyjin Qiellor.
Të zhveshur prej këtyre ndjenjave e kategorive që shpesh herë na hedhin në zemër, mendje e në shpirt rrjetet sociale e mediat e të veshur me ndjenjat e Jezusit, i cili u lan këmbët të gjithë dishepujve pa dallim, atëherë vendosemi dhe ne në mendësinë e Krishtit të ringjallur në këtë Pashkë, për të bërë Pashkë e në Pashkët e këtij viti marrim vetëdije akoma më shumë se në vitet e kaluara të distancës që është mes britmave të gëzimit që shpallin Krishti është ringjallur nga të vdekurit e të gjithëve i ka dhuruar jetën dhe lajmeve të dhimbshme të luftës, të refugjatëve, të dëshpëruarve që me miliona kanë braktisur vendin e tyre në pak javë e që tingëllojnë me një mesazh tjetër, me mesazhin e hidhur të vdekjes.
Ndjejmë nevojën e këtij lajmi që na dëshmon se në të vërtetë vdekja nuk është faza finale e ekzistencës tonë njerëzore", tha imzot Arjan Dodaj.
Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit dha mesazh paqeje duke thënë se të gjithë duhet ta nisin pajtimin e kërkimin e faljes nga vetja duke bërë që bota të shihet në një perspektivë tjetër.
"Pra Krishti është garantuesi i dinjitetit të njeriut në çdo situatë e kundër çdo dëftimi të së keqes. Shën Gregori nënvizonte, është shfaqur një brezni tjetër, një jetë tjetër, një ndryshim i vetë natyrës sonë. Ti je në këtë botë, por nuk je i kësaj bote.
Ti je kalimtar si të gjithë të tjerët, por për jetën e pasosur je për të dhënë dritë, vlera, pasuri, pajtim e paqe, të mos e pretendojmë këtë jetë, mos pretendo pajtim nga të tjerët, por ji ti pajtimi që pretendon. Mos kërko falje nga të tjerët, por jepe ti faljen që pretendon e mirëkuptimin dhe do të shohësh që bota që të rrethon është krejt një perspektivë tjetër", tha Imzot Arjan Dodaj.
Lajmi kryesor:
Besimtarët katolikë e protestantë kremtojnë Pashkët, ringjalljen e Krishtit, urojnë politikanët! Arqipeshkvi Dodaj nga Katedralja e Shën Palit: Mëshira e Zotit dhe mesazhi i kësaj dite me ukrainasit
K.T./ReportTv.al