Me tone të ashpra ndaj SPAK, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu bashkua protestës së thirrur nga Sali Berisha para Kryeministrisë. Pa surpriza, Meta sulmoi ashpër Altin Dumanin dhe prokurorët e SPAK, duke i quajtur horra e vagabondë. Në fjalimin e tij para protestuesve, Meta tha se SPAK mban Berishën të arrestuar me urdhër të Edi Ramës.
Me tone kërcënuese iu drejtua prokurorëve të SPAK, ndërsa tha se do u bëjnë ‘vettingun’ pasi fshehin krimet e Edi Ramës.
"Bëjmë thirrje punonjësve të shtetit të respektoni ligjin se do përfundoni atje ku është qeveria e dytë e Ramës. Rama të përdor dhe të flak. Ti themi çdo drejtoi police, bëj detyrën, mos shkel ligjin për llogari të Ramës, përndryshe do e kesh personale, se ne paguajmë taksa, jo të dhunoni studentët ju se marrin pjesë në protestë. I themi çdo prokurori si ai i Metamorfozës, dhe ata shokët e McGonigal që janë atje në SPAK do ta paguani dhe do jua bëjmë vettingun dhe juve që fshini krimet e Edi Ramës dhe mbani të arrestuar Sali Berishën për llogari të Edi Ramës.
Ju horra dhe vagabondë pa personalitet, që u merret goja, që në 7 fjalë, 6 i keni ambasada dhe 1 Edi Rama, se ju Kushtetutë nuk keni, ju jeni betuar te noterja e lanës dhe Engjëll Agaci, që duhej të ishte futur 700 herë në burg për të gjitha koncesionet e paligjshme që janë duke u hetuar. Asgjë nuk do të na ndalë, derisa ta çojmë Ramën atje ku e ka qeverinë e tij dhe derisa nën lizën fisnike ta ulem te karrigia e Veliajt, që e nxori në rrugë të madhe siç ka nxjerrë mijëra nëna e familje të ndershme shqiptare", u shpreh Meta.
Në veçanti sulmet i kishte për Altin Dumanin, ndërsa tha se pushteti kriminal i Ramës bazohet te Dum Dumanët. Kritikat nuk i kurseu as për opozitarët apo këshilltarët bashkiake që nuk i bashkuan protestës, duke thënë se duhet t’iu vijë turp që i bëjnë furça SPAK dhe nuk vijnë për të rrëzuar regjimin se kanë frikë nga SPAK. Ky koment duket edhe si një mesazh për Monika Kryemadhin, e cila nuk i është bashkuar protestës dhe në fakt ndryshe nga Meta, mbështet veprimtarinë e SPAK.
"Ky e ka bazuar pushtetin kriminal të Dum Dumanët, të cilët thonë se afërmendsh që gjykatat do vendosin atë që kërkon prokuroria. Turp për ata që përtojnë të vijnë këtu për të përmbysur regjimin më kriminal dhe më antikombëtar që ka njohur kjo tokë. Turp për të gjitha ata këshilltare opozitar që nuk janë me Tedi Blushin, me Klevis Balliun përballë kryehajdutit të Tiranës. Turp për ata që nuk janë përball hajdutëve në bashki. Turp për ata opozitar që kanë hallin e autoritetit të SPAK-ut.
Turp për çdo opozitar që i bën furçë SPAK, ose ka ndonjë hall me SPAK, ose ka në hall se nuk i japin vizën për të shkuar gjëkundi. Duhet të mblidhemi të gjithë për ti vënë vizën këtij regjimi, që po zhbën Shqipërinë, i cili i ka shndërruar fëmijët në analfabetë funksionalë, siç e tregoi testi i PISA", vijoi Meta.
Presidenti i PL shigjetoi edhe Ramën duke thënë se është në shërbim të Vuçiçit dhe se për interes të tij ka dëmtuar Kosovën.
"Që kur u çlirua Kosova, armiqtë tanë ndoqën politikë të mençur dhe nuk arritëm dot në kohë të kuptonim një strategji që lexohet qartë nga kushdo, u përpoqën të marrin kalanë nga brenda me kalin e trojës. Nuk është zoti i kësaj loje, ai është sllav i tyre, në shërbim të interesave të tyre. Ai është armiku më i madh i Kosovës. Nuk ia ka bërë kurrë Vuçiç atë dëm Kosovës siç ja ka bërë Edi Rama për llogari të Vucic. Meqë takova këtu vëllezër nga Gjakova, u bëj thirrje shqiptarëve të Kosovës të bashkohemi të shporrur Ramën", tha Meta.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ PD protestë me tym e flakë para Kryeministrisë e Bashkisë Tiranë, hidhen 35 molotovë! Fjalimi i Berishës 'sinjali' për sulm, kërkon qeveri teknike! Njerëz me maska! Meta sulmon Dumanin
SI.E./ReportTv.al