Foto e publikuar nga Ilir Meta në Facebook, disa orë para protestës

Politikë

Meta mesazh qytetarëve nga qelia para mitingut, me dy gishtat lart: Të protestojmë për votën e lirë dhe kundër narkoregjimit mafioz!

8 Shkurt, 14:07| Përditesimi: 8 Shkurt, 16:20

  • Share

Foto e publikuar nga Ilir Meta në Facebook, disa orë para protestës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar prej 21 Tetorit 2024 për tre akuza të rënda, ka reaguar nga qelia e Burgut 313 në Tiranë, disa orë para protestës së opozitës para Kryeministrisë në orën 17:00 (sot).

Teksa pritet të mbajë edhe një fjalim të regjistruar në miting, Meta ka bërë postimin në profilin e tij të rrjetit social Facebook, ku shquhet edhe një foto e tij me dy gishtat e të dyja duarve të ngritura lart. Fjalimin me video-mesazh e konfirmoi pak para protestës edhe Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi.

Ai u bëri ftesë të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës “kundër narkoshtetit që ka përzënë nga vendi 1 milionë shqiptarë”.

Më tej ai theksoi se motive të protestës janë edhe vrasja e pazbardhur e nxënësit Martin Cani, pensionistët e varfër, fermerët e braktisur, mësuesit dhe pedagogët, mjekët dhe infermierët me ‘pagat mizerabël’.

“Protestojmë sot për të shpëtuar Atdheun nga zhbërja, për të shpëtuar familjen shqiptare dhe fjalët e shenjta Nënë dhe Babë nga “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, për t'u mobilizuar për largimin e Kryetarit të Organizatës që për të vjedhur pushtet shet sovranitet, për t'i dhënë fund modelit të narkoekonomisë bazuar në pasurimin e një pakice nëpërmjet industrisë së pastrimit të parave dhe për t'i hapur rrugën një modeli të ri ekonomik që mbështet prodhuesit vendas dhe e shndërron Shqipërinë në fuqi eksportuese në rajon”, u shpreh Meta ndër të tjera.

Dhe në fund një thirrje qytetarëve që të “protestojmë për votën e lirë dhe pa kërcënimet e narkopatronazhistëve dhe narkoqeverisë”, me qëllim ‘largimin përfundimtar të kësaj qeverie të korruptuar dhe mafioze’.

Postimi i Ilir Metës në Facebook


Lajmi kryesor:

Protesta e opozitës/ Kapsolla drejt Kryeministrisë, harrohet 'qeveria teknike'! Berisha: Trump ia preu kokën gjarprit Soros, do e bëjmë dhe ne! Meta sulmon Dumanin


A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?