Kronikë

Meta kërkon lirinë/ SPAK prova të reja, zbulon shpenzime me kartë të re krediti! Meta: Përgjegjësi e Monikës! Shtyhet seanca në GJKKO

20 Qershor, 10:26| Përditesimi: 20 Qershor, 14:53

  • Share

TIRANË- Në GJKKO avokati i Ilir Metës u paraqit këtë të premte për të kërkuar lirinë për klientin e tij por Prokuroria e Posaçme i kishte rezervuar surprizë prova të reja.

Një dokument prej 31 faqesh, thonë burimet për Report Tv, i është dorëzuar Gjykatës dhe mbrojtjes, ku mes provave dallohet një tjetër episod i dyshuar korrupsioni që i atribuohet ish-çiftit Meta-Kryemadhi.

Bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare që rezulton se është përdorur për blerje dhe shpenzime të ndryshme jashtë vendit. Karta e mbushuri është dhënë po nga biznesmeni Adrian Shatku, kushëriri i Kryemadhit, i cili në dosjen voluminoze të ish çiftit të bashkëshortëve del një prej personave me rol të rëndësishëm në aferat korruptive por edhe në pagesat e lobimit në SHBA.

Pikërisht edhe për dosjen e lobimit të ish LSI, SPAK dorëzoi prova të reja, të cilat i ka marrë përmes letërporosive të shumta që ka nisur.

Për të studiuar dokumentet e reja, avokati Kujtim Cakrani kërkoi kohë, e cila iu dha deri më 26 qershor ora 10:30 kur do të jetë seanca e radhës.

Prej tetorit Meta ndodhet në qeli dhe kërkon zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë tjetër më të butë me argumentin se SPAK shkeli dhe nuk kishte paraqitur prej 8 muajsh asnjë informacion dy mujor mbi çështjen. 

“Prokurori e pranoi vetë në seancë që lobimi në SHBA ka rënë si vepër penale për zotin Meta. Pasi e-mailet që i kanë ardhur nga FARA, vërtetohet që Meta nuk e ka kryer pagesën 100 mijë euro siç është thënë deri më sot, por ka qenë një pagesë 15 mijë euro që është ndërprerë më pas”, tha Cakrani për gazetarët”, tha avokati. 

Ndryshe nga ç’pretendon avokati, Report Tv mësoi përmes prokurorëve se asnjë akuzë nuk ka rënë, por nga dokumentet e mbërritura nga SHBA një episod i ri është evidentuar edhe për lobimin.

Vetë Meta përmes një postimi në Facebook, njëjti si avokati dhe siç rëndom ka bërë që prej para se të mbyllej në burg në tetor, topin me akuzat ia kalon ish bashkëshortes Kryemadhi, teksa i përmend kushërinjtë (Adrian Shatkun) apo shokët e shoqet.

"Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër.  Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë e tij, pasi siç e dini një prej tyre ishte edhe mik me Charles McGonigalin, iniciatorin me kërkesë të Edi Ramës për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës edhe për çështjen CEZ-DIA edhe për çështjen Bami", shkruan Meta.

Prej 27 majit Metës i janë komunikuar akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë për dosjet e CEZ-DIA, lobimit në SHBA dhe hetimit pasuror. Me të njëjtat akuza Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka marrë të pandehur edhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Ora 13:17
SPAK zbuloi tjetër episod korrupsioni, Meta nga burgu: Mbaj Përgjegjësi vetëm për vete, jo për kushërinjtë! Dumani kërkon të më mbaj çift me zor me Monikën

1748423941_ilirmeta.jpg

Në një reagim në Facebook, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagon pasi SPAK zbuloi një tjetër rast të dyshuar korrupsioni. Burimet thonë se bëhet fjalë për një kartë bankare që Meta dhe Kryemadhi e kanë përdorur për shpenzime, e cila iu është dhënë nga biznesmeni Ardian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit.

Por edhe Meta e mohon, duke thënë se ai nuk ka kryer asnjë akt të paligjshëm as në Shqipëri, SHBA apo vend tjetër. Kreu i PL thotë se mban përgjegjësi vetëm për veten dhe për askënd tjetër. Me ironi, Meta shkruan se Dumani kërkon ta mbajë çift me Monikën me “zor”, pasi edhe kur iu komunikuan akuzat si i pandehur, statusin e kishte ende i martuar.

Reagimi i plotë i Ilir Metës

Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksione të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi.

Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti.

Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u komunikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti.

Akoma më të turpshme janë lajmet që qenka zbuluar një kartë e paligjshme që implikon Ilir Metën.

Asnjë akt i paligjshëm as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër.

Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel, që nuk mund të jetë i mbyllur si “listat  e mbyllura,” por do të jetë i hapur për qytetarët, ku ne do të çmontojmë akuzat e shërbëtorëve të Edi Ramës dhe ku të gjithë do t’i shohin edhe “dëshmitarët” të Edi Ramës.

Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër.  Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë e tij, pasi siç e dini një prej tyre ishte edhe mik me Charles McGonigalin, iniciatorin me kërkesë të Edi Ramës për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës edhe për çështjen CEZ-DIA edhe për çështjen Bami.

Por prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve.

Meqë jemi te lobimet dhe Kryesia e Partisë së Lirisë e ka shumë të qartë, për opinionin publik kam një pyetje: Po letërporosia për Charles McGongial, që ka 4 vite i dënuar, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur “me not”?

E falenderoj me mirënjohje, avokatin tim, Z. Kujtim Cakrani për mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore!

Ora 12:30
Rasti i ri korrupsioni/ Avokati: Meta s’ka përdorur karta bankare, kanë qenë të ish-bashkëshortes! S’ka asnjë pasuri në tokë, t’i gjejnë me Musk në hënë

 

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani ka folur për mediat pasi seanca për presidentin e PL u shty për më datë 26 qershor. Burime për Report Tv thanë se SPAK ka zbuluar një rast të ri të dyshuar korrupsioni, ndaj Metës dhe Kryemadhit. Të cilët dyshohet se kanë përdorur një kartë banke për blerje dhe shpenzime, që ua ka vënë në dispozicion biznesmeni Adrian Shatku.

Por, avokati thotë se Meta nuk ka përdorur kartën, por ka qenë në dispozicion të ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi. Ai thotë se Meta po mbahet në qeli pa prova. Pyetjes nëse Meta do e kërkojë lirinë kundrejt garancisë pasurore, avokati tha se Meta nuk ka pasuri. “Të marrin Musk të çojnë në hënë që të gjejnë pasuritë e Metës”, u shpreh ai, duke theksuar se SPAK ka nisur një material me 31 faqe.

“Meta nuk ka karta, nuk ka përdorur. Kartën e ka përdorur ish bashkëshortja, nuk ka ardhur asnjë numër llogarie në emër të zotit Meta. Nuk u vumë në dijeni se nuk ekziston. Kërkuam kohën tonë që të shohim se çfarë organi i procedurës pretendon dhe pse duhet të qëndrojë në paraburgim. Nuk i vendosim dot garanci pasurore, se Meta nuk ka pasuri. Pasuritë në planetin tokë janë zero. Të marrin Musk të çojnë në hënë që të gjejnë pasuritë e Metës. Nëse do ia jap unë pasurinë, do ia lë pronat e mia gjykatës që ta lirojnë metën. Por, mos kërkoni ju me pyetjet tuaja që të luhet garanci, Meta s’ka pasuri. Ju doni patjetër të thoni që meta ka pasuri. Po mbahet aludime.

Unë po e sqaroj për opinion publik, nga kërkimet që ka bërë SPAK, ka kërkuar në Republikën e Shqipërisë në të gjitha vendet ku dyshohej, BE, SHBA, Kanada, Qipro. Meta nuk disponon as pasuri të luajtshme dhe as të paluajtshme. Çfarë mund tu them më shumë. Po mbahet në paraburgim pa asnjë provë, asnjë fakt. Inkuizicion ndaj ish-presidentit. U fol për X, Y, analiza financiare. Ç’punë ka meta me analizat financiare të ish, të ish... Është në formë perfektë, bën palestër. U dënua 10 ditë më urdhër të Ajatollahut të Tiranës, i plotfuqishmi Rama. SPAK ka nisur një material 31 faqe, në datën 26 ora 10:30 kemi seancën tjetër, do flas unë në lidhje me ato që ka folur prokurori”, tha avokati.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • [email protected]: 20/06/2025 13:26

    nuk ndahet burri kur i vje policia tek dera mos bo si kalamo se je edhe shtangist

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?