Në ditën Botërore të Lirisë së Shtypit presidenti Ilir Meta thotë se sot ky sektor është më i përkeqësuar se disa vite më parë. Sipas presidentit arsyet janë disa, duke filluar nga paketa 'anti-shpifje', e deri tek tërmeti i 26 nëntorit, por edhe kriza që ka sjellë koronavirusi. Ndër të tjera Meta shkruan se vetë gazetarët raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, çensura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme.
"Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medias në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë, sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
Ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë.
Pasojat e paralajmëruara të paketës anti-kushtetuese të ligjeve "anti-shpifje", si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe COVID-19, po e thellojnë regresin, duke i detyruar botuesit aktualë të bëjnë përpjekje të sforcuara për të mbajtur ende në treg median në print, që po rrezikohet seriozisht.
Gazetarët vetë raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, çensura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme.
Liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Veçanërisht mbrojtja e lirisë së shprehjes në kohë pandemie, siç thekson edhe Këshilli i Europës, ka një rëndësi jetike.
Duke ndarë të njëjtat shqetësime me organizatat botërore të gazetarëve dhe duke shprehur solidaritetin tim me të gjithë komunitetin e medias në vendin tonë, që duhet ndihmuar seriozisht në këto momente të vështira që po kalojmë, nxis dhe inkurajoj gazetarinë e lirë e të pavarur që pyet, kërkon përgjigje, investigon dhe flet në emër të opinionit publik, që mbron dhe është zëdhënëse vetëm e interesave të tij.
Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm,"-shkruan Ilir Meta.
Lajmi kryesor:
Dita botërore e Lirisë së Shtypit/ Kim: Përkrahim gazetarinë pavarur! Basha: Propaganda e qeverisë po kërcënon mediat! Meta: Situata më keq se më parë
Ne.k.//ReportTv.al