Meta uron besimtarët: Mos t’i harrojmë ajetet Kuranore, pas vështirësisë është lehtësimi

23 Prill 2020, 19:33| Përditesimi: 23 Prill 2020, 20:18

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në nisje të muajit të shenjtë të Ramazanit. Në rrjetet sociale Meta duke iu referuar situatës si shkak i Covid -19, jep dhe një mesazh, duke iu referuar një porosie profetike, ku nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni, pasi në fund të çdo vështirësie ka lehtësim.

‘Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, me mbarësi dhe begati të përhershme në familjet dhe vatrat tuaja!

Ditët e vështira që po kalojmë për shkak të pandemisë COVID-19, na kanë privuar sivjet nga përjetimi i namazeve në xhami dhe nga iftaret e përbashkëta, duke na detyruar që Ramazanin ta përjetojmë si sakrificë profetike me lutje drejtuar Zotit me veten dhe familjet tona.

Kemi detyrim të respektojmë një porosi profetike: “Nëse dëgjoni për ndonjë epidemi në një vend, mos shkoni atje, nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni. Ata që kanë sëmundje ngjitëse të qëndrojnë larg të tjerëve”. Mos t’i harrojmë ajetet Kuranore dhe hadithet e Profetit Muhamed se “pa dyshim pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.”

Si asnjëherë tjetër me kurajo e solidaritet mbarëkombëtar ta përballojmë këtë sfidë të përbashkët dhe t’i gëzohemi lumturisë që na jep qëndrimi më shumë në shtëpi, pranë fëmijëve dhe prindërve tanë. Le të lutemi së bashku, larg fizikisht por pranë njëri-tjetrit me shpirt e zemër, dhe le të rizgjojmë ndjenjat më të bukura, të pastrojmë ndërgjegjet, të pendohemi për gabimet tona dhe të ndezim shpresat për ditët më të mira që patjetër do të vijnë!

Për më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet! Sepse këto janë edhe mesazhet profetike që duhen përcjellë në këtë Muaj të Shenjtë.

Të reflektojmë me besimin në Zot, për të bërë ç’është e mundur, për pastrimin shpirtëror, moral e social të shoqërisë sonë, në veçanti të rinisë dhe familjes!

Në mesazhin e tij presidenti Meta nuk harron stafin mjekësor i cili në këto ditë është në luftë për shpëtimin e sa më shumë jetëve,

Të lutemi për heronjtë e ditëve tona, për mjekët dhe infermierët, që në vijën e parë të frontit janë duke luftuar çdo ditë për të mbrojtur shëndetin e secilit prej nesh. Por edhe për imamët e klerikët që aq shumë po përpiqen për të na ndihmuar në këto momente të vështira.

T’u gjendemi pranë prindërve, të moshuarve dhe të braktisurve, jetimëve dhe njerëzve në nevojë, të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë për ne. Ashtu siç na porositin mësimet e Shenjta të ndajmë me ta të mirat dhe gëzimet tona, për t’u dhënë shpresë e për të çelur lumturinë në çdo zemër të përvuajtur nga dhimbjet, dëshpërimi e varfëria.

Kreu i shtetit nuk harron dhe shqiptarët jashtë territorit, duke uruar paqe për familjet e secilit prej tyre,

Një urim të veçantë kam sot për të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginë, Malësi dhe në diasporë, që Zoti t’u pranojë agjërimin, lutjet dhe veprat e tyre të mira, dhe që ky Muaj t’u sjellë begati, mirësi dhe paqe në familjet e tyre! Sakrificat të na afrojnë më shumë zemrat dhe të na unifikojnë shpresën se ditë më të mira patjetër do të vijnë!, përfundon mesazhi i presidentit Ilir Meta.


Lajmi kryesor:

'3 trokitje, kleri s'i hapi shteg armikut'! Politika uron Ramazanin, Rama-Bashës: Agjërimi do lehtësonte gjuhë-çartjen


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?