Nesër fillon muaji i shenjtë i Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë. Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme uroi të gjithë besimtarët për vendimin e dhimbshëm për të mos u shkëputur nga zinxhiri i rezistencës, referuar vendimit për mos hapjen e xhamive në kuadër të zbatimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit. Pas Pashkëve të Katolikëve dhe Ortodoksëve, tani është Ramazani. Kryeministri Edi Rama i cilësoi si tre trokitje njëra pas tjetrës në muret e një izolimi të paimagjinueshëm, ndërsa falenderoi klerin shqiptar për qëndrimin.
"Një urim për besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit dhe një falenderim i megjithë zemër klerit shqiptar e për të gjithë besimtarëve të vendit tonë pa dallim. Për atë që ndjek praktikën Islame nuk është vështira ta çmojë. Paqe me veten, pajtim me tjetrin pavarësisht kundërshtive. Tamam si bota që po rrotullohet mbrapsht, edhe vështrimi i njeriut kthehet mbrapsht, brenda vetes. Ne shqiptarët si rrallë kush jemi vizituar tre herë nga besimet, dy herë Pashkët dhe tani Ramazani. Nuk kam guximin ta them se po jetojmë në kohë të bekuar. Por kam guximin t'u them se e keqja e madhe ka ardhur me të mirat e saj, më e mira është për të reflektuar mbi sa shumë kohë dhe mund na merr kotësia dhe sa pak merremi me brendinë e vetvetes. Ndërsa katolikët dhe ortodoksët vijojnë në hapat e të ringjallurit. Muaji i Ramazanit nis ripërtëritjen, tre trokitje njëra pas tjetrës që dëgjon në muret e një izolimi të paimagjinueshëm.
Ky është momenti për ta falenderuar klerin shqiptar të gjithë besimtarët, për vetëdijen e lartë dhe vendimin e dhimbshëm për të mos u shkëputur nga zinxhiri i rezistencës duke lartësuar Zotin me mbartjen kyçur të tempujve. Kleri nuk i hapi asnjë shteg armikut të padukshëm. Falë kësaj mençurisë tempujt do të rihapen nesër pa asnjë njollë gabimi njerëzor. Sepse ditët e mira pastaj do të vijnë dhe kjo që bëri kleri shqiptar do u mësojë edhe atyre që nuk besojnë se nga shtëpitë e Zotit në Shqipëri vjen e mira edhe për ata. Sot ju jeni shembull rrezatues për të gjithë shoqërinë dhe cdo individ duke ta marrë shembullin tuaj. Shëndeti është mbi të gjitha. Të gjithë bashkë si njerëz të arsyeshëm ne do ia dalim dhe Shqipëria. Ne do të rrimë deri në fund në llogore. Dyert e mbyllura të të gjithë tempujve. Kleri shqiptarë po u thonë të gjithë se mjekësinë duhet ta dëgjojmë. Islami është një besë mirë, e di sa vlen një jetë dhe çfarë është e rëndësishme" tha Rama.
Në nisje të muajit të Ramazanit, kreu i qeverisë kishte një mesazh edhe për opozitën dhe drejtuesin e saj Lulzim Basha. "Në këtë kohë të vështirë kur ekonomia po goditet agjërimi sado i vogël do të lehtësonte edhe gjuhëçartjen e atyre që ankohen se po vdesin për bukë apo se populli po vdes për bukë, në Facebook, sepse do të hollonte edhe helmin në trup, lehtësonte mendimin dhe frenonte gjuhën nga këto shprehje të pakuptimta as mbështetje në realitetin historik të shqiptarit, nuk ka vdekur dhe nuk vdes kurrë për bukë, por arsyeja pse e solla bukën ën fund të fjalës lidhet me lehtësinë që sjell agjërimi në pastrimin trupor dhe lehtësimin e të menduarit që sjell paqja e profetit" tha Rama.
Besimtarët myslimanë filluan sot muajin e madhërishëm të Ramazanit, muaj i cili kalit devotshmërinë njerëzore dhe sjell më shumë falje dhe bashkëpunim.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka uruar të gjithë besimtarët për këtë muaj të shenjtë.
“Gëzuar muajin e shenjtë të Ramazanit. Agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve myslimanë”, shkruan Veliaj.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.
Ai ka uruar të gjithë besimtarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe në të gjithë Diasporën për muajin e Ramazanit.
Kryetari i Kuvendit ka theksuar se askush nuk do të donte ta niste këtë muaj të bekuar në këtë kohë pandemie, të privuar nga përqafimet vëllazërore midis besimtarëve, nga mrekullimi e lumturia që krijojnë festimi së bashku dhe ritualet që kanë mbajtur gjallë besimin më shekuj e mijëvjeçarë.
"Ramazani i sivjetshëm është një festë brenda një drame, një dhimbje brenda urtësisë, një sakrificë e shtuar brenda sakrificës tradicionale të agjërimit, që na ka imponuar qëndresa stoike pandemisë COVID-19.
Por distanca sociale do të zëvëndësohet e kompensohet nga afrimi shpirtëror midis zemrave të besimtarëve dhe njerëzve tanë të dashur. Përqafimi i zemrave është po aq i fuqishëm dhe i ndjerë sa edhe përqafimi fizik", ka shkruar Ruçi.
Ai ka shprehur mirënjohje në emër ëtë tij dhe të Kuvendit të Shqipërisë ndaj komunitetit mysliman për mbështetjen e masave dhe privimit, në emër të mbrojtjes së jetëve njerëzore, të gëzimeve e kënaqësive të jetës, për të penguar përhapjen e virusit që kërcënon rrezikshëm njerëzimin në të pesë kontinentet.
"Në betejën kundër koronavirusit dhe rrugëtimin drejt të ardhmes, besimet janë e do të jenë bashkë. Koronavirusi nuk njeh kufij, por as solidariteti nuk njeh kufij. Solidariteti njerëzor, shpirtëror e fetar është bërë sot një fakt global.
Dhe kjo provohet më mirë se kudo, në Shqipërinë tonë, ku të gjitha komunitetet fetare, në mbështetje të njeri-tjetrit, janë bërë sot 'gardianë' të jetëve njerëzore dhe ushqyes të fuqisë, shpresës dhe vetëdijes për ta fituar betejën për jetën", ka shtuar Ruçi.
Ruçi shprehet se roli i Islamit në avancimin e drejtësisë dhe lirive njerëzore, progresit, humanizmit dhe dinjitetit të pjestarëve të shoqërisë, po vjen duke u forcuar dhe është bërë një fakt i pranueshëm kudo në botë.
Sipas tij, marrëdhëniet midis Islamit dhe Perëndimit kanë hyrë në një fazë të re respektimi, mirëkuptimi, tolerance, mësimi e dëgjimi reciprok, kundër ksenofobisë dhe në shërbim të mbijetesës së të gjithë besimeve, kulturave dhe qytetërimeve të sotme.
"Shqipëria është krenare se myslimanët shqiptarë janë një komunitet i madh tolerant, i emancipuar, paqësor dhe progresiv”, shkruan Kryetari i Kuvendit.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka uruar muajin e shenjtë të Ramazanit për të gjithë besimtarët muslimanë.
“Ky muaj na kujton se përpjekja për ngritjen morale është e pandarë nga përpjekja për një shoqëri solidare!”, është shprehur Cakaj.
Gjithashtu Cakaj shton se muaji i shenjtë i Ramazanit është edhe një mundësi frymëzuese për të kuptuar se vetësakrifica, përkushtimi dhe besimi nuk duhet të jenë praktikë e një muaji, por vlera udhërrëfyese të të gjithë jetës.
“Të gjithë besimtarëve muslimanë në këtë muaj të madhërishëm i uroj agjerim të lehtë dhe lutje të pranuara”, përfundon urimin e tij Cakaj.
Kryetarja e LSI. Monika Kryemadhi ka uruar të gjithë myslimanët për muajin e shenjtë të Ramazanit. Kryemadhi në urimin e saj uron që dhe pse në distancim fizik ky muaj të sjellë më shumë lidhje shpirtërore. Në fund të mesazhit të saj Kryemadhi duke iu referuar situatës së krijuar si shkak i COVID-19, shprehet se dashuria ajo që sot njerëzimi ka më shumë nevojë nuk mund të karantinohet. “Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit! Hëna e natës së sotme do të ndriçojë edhe rrugëtimin e motrave dhe vëllezërve tanë myslimanë, të cilët nisin një muaj adhurimi, sakrifice dhe dedikimi drejt lartësimit shpirtëror, përmes lutjeve, bamirësisë dhe agjërimit.
Lutjet e mia shkojnë për një agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë besimtarët mysliman! Qoftë ky muaj i paqes shpirtërore, mundësi për më të pamundurit dhe shëndet i mirë në një kohë të vështirë, siç është dhe kjo që po jetojmë!
Bekimet e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, rizgjojnë te njeriu vlerat më të mira të tij në lidhjen me Zotin, marrëdhënien me familjen, por dhe sjelljen në shoqëri.
Ndonëse në kushte të vështira prej pandemisë e distancimit fizik, uroj të mundësojë ky muaj i shenjtë më shumë lidhje shpirtërore me njëri-tjetrin, pasi ajo që kemi më së shumti nevojë dhe ajo që nuk mund të karantinohet kurrë është dashuria”, përfundon mesazhi i Kryemadhit.
Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në nisje të muajit të shenjtë të Ramazanit. Në rrjetet sociale Meta duke iu referuar situatës si shkak i Covid -19, jep dhe një mesazh, duke iu referuar një porosie profetike, ku nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni, pasi në fund të çdo vështirësie ka lehtësim.
‘Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, me mbarësi dhe begati të përhershme në familjet dhe vatrat tuaja!
Ditët e vështira që po kalojmë për shkak të pandemisë COVID-19, na kanë privuar sivjet nga përjetimi i namazeve në xhami dhe nga iftaret e përbashkëta, duke na detyruar që Ramazanin ta përjetojmë si sakrificë profetike me lutje drejtuar Zotit me veten dhe familjet tona.
Kemi detyrim të respektojmë një porosi profetike: “Nëse dëgjoni për ndonjë epidemi në një vend, mos shkoni atje, nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni. Ata që kanë sëmundje ngjitëse të qëndrojnë larg të tjerëve”. Mos t’i harrojmë ajetet Kuranore dhe hadithet e Profetit Muhamed se “pa dyshim pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.”
Si asnjëherë tjetër me kurajo e solidaritet mbarëkombëtar ta përballojmë këtë sfidë të përbashkët dhe t’i gëzohemi lumturisë që na jep qëndrimi më shumë në shtëpi, pranë fëmijëve dhe prindërve tanë. Le të lutemi së bashku, larg fizikisht por pranë njëri-tjetrit me shpirt e zemër, dhe le të rizgjojmë ndjenjat më të bukura, të pastrojmë ndërgjegjet, të pendohemi për gabimet tona dhe të ndezim shpresat për ditët më të mira që patjetër do të vijnë!
Për më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet! Sepse këto janë edhe mesazhet profetike që duhen përcjellë në këtë Muaj të Shenjtë.
Të reflektojmë me besimin në Zot, për të bërë ç’është e mundur, për pastrimin shpirtëror, moral e social të shoqërisë sonë, në veçanti të rinisë dhe familjes!
Në mesazhin e tij presidenti Meta nuk harron stafin mjekësor i cili në këto ditë është në luftë për shpëtimin e sa më shumë jetëve,
Të lutemi për heronjtë e ditëve tona, për mjekët dhe infermierët, që në vijën e parë të frontit janë duke luftuar çdo ditë për të mbrojtur shëndetin e secilit prej nesh. Por edhe për imamët e klerikët që aq shumë po përpiqen për të na ndihmuar në këto momente të vështira.
T’u gjendemi pranë prindërve, të moshuarve dhe të braktisurve, jetimëve dhe njerëzve në nevojë, të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë për ne. Ashtu siç na porositin mësimet e Shenjta të ndajmë me ta të mirat dhe gëzimet tona, për t’u dhënë shpresë e për të çelur lumturinë në çdo zemër të përvuajtur nga dhimbjet, dëshpërimi e varfëria.
Kreu i shtetit nuk harron dhe shqiptarët jashtë territorit, duke uruar paqe për familjet e secilit prej tyre,
Një urim të veçantë kam sot për të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginë, Malësi dhe në diasporë, që Zoti t’u pranojë agjërimin, lutjet dhe veprat e tyre të mira, dhe që ky Muaj t’u sjellë begati, mirësi dhe paqe në familjet e tyre! Sakrificat të na afrojnë më shumë zemrat dhe të na unifikojnë shpresën se ditë më të mira patjetër do të vijnë!, përfundon mesazhi i presidentit Ilir Meta.
Kryetari i PD Lulzim Basha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në nisje të muajit të shenjtë të Ramazanit. Në mesazhin e tij në rrjetet sociale Basha thekson se gjatë sakrificës së argjërimit këtë herë shtohet dhe pamundësia për tu falur në xhamitë e mbyllura për shkak të pandemisë.
Të dashur vëllezër dhe motra që nesër kremtoni ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit!Gjatë këtij muaji, sakrificës së agjërimit i shtohet edhe pamundësia për tu falur në xhamitë e mbyllura për shkak të pandemisë. Por shtëpitë dhe shpirtat e besimtarëve do të përndriten nga lutjet ndaj Krijuesit të Plotfuqishëm, dhe zemrat do të dlirësohen nga agjërimi dhe thellimi në meditim.
Ndaj le të bashkohemi sot të gjithë në urimin për agjërim të lehtë e të pranuar! Zoti i dëgjoftë lutjet e besimtarëve çdo mëngjes e mbrëmje dhe na faltë bekimin dhe mëshirën e tij! Sakrifica e agjëruesve gjatë këtij muaji shërbeftë për lehtësimin e dhimbjeve dhe sprovave me të cilat po përballen shqiptarët!
Zoti ju mbrojtë dhe ju dhëntë shpërblesë të shumëfishtë për sakrificën tuaj!, përfundon reagimi i Bashës.
Nuk e dime cilat ishin ndryshimet kushtetuese qe kerkoi BE-ja te cilat nuk u publikuan kurrë për shtetasit e republikes qe ti lexojme. Mos valle e hoqen Shqiperine nga lista e vendeve laike sepse nuk eshte e mundur qe politikanet e nje vendi laik te urojne për festat fetare. Po te isha une politikan i nje vendi laik nuk do beja kurrë urime fetare. Pra duhet te dime c fare i kanë bere Shqiperisë keta funderrina politikane?! Në c peripeci e kanë futur vendin?!
Përgjigju