Kultivuesit e midhjes në liqenin e Butrintit protestuan para bashkisë së Sarandës dhe njëri prej tyre në shenjë revolte ka derdhur një kovë me midhje në mbledhjen e këshillit bashkiak. Sipas tyre, degradimi i liqenit dhe mos dhënia e kontratave të qirasë për përdorimin e impianteve po sjell dëme të mëdha.
Një prej protestuesve, Soraldo Nebo tha aktualisht portat e HEC Bistricës që furnizojnë liqenin me ujë të ëmbël janë të bllokuara, duke ndikuar në reduktimin e oksigjenit në ujë sipas analizave shkencore e për pasojë në cilësinë dhe rritjen e midhjes.
“Parametrat jetësorë të liqenit të Butrintit kanë rënë dhe sivjet riskuam edhe humbjen e fares”, tha ai.
Kultivuesit e midhjes kanë bërë analizat në mënyrë të pavarur për liqenin e Butrintit dhe vunë re se ka mungesë oksigjeni të tretur në ujë që do të thotë se Bistrica nuk vjen mjaftueshëm në liqen.
“Kjo ndodh tani që jemi në periudhën e dimrit e imagjinoni çfarë do të ndodhë në verë kur të ngrihen temperaturat e ujit kështu që kemi ardhur këtu të bëjmë thirrje e ta ftojmë institucionin e bashkisë dhe këshillit bashkiak që të bëhet pjesë në këtë problematikë që të kemi mundësi ta çojmë zërin atje ku duhet”, tha ai.
Një tjetër shqetësim i madh është pezullimi prej tre vitesh i kontratave të kultivuesve për impiantet e midhjeve. Kjo situatë ka krijuar pasiguri për të ardhmen e sektorit dhe ka vështirësuar investimet në mirëmbajtjen e fermave të midhjeve.
“Ministria e Bujqësisë nuk na i kanë lidhur kontratat. Duhet ta bëjë ministria se jemi tre vjet pa kontrata. Ato që kishim kanë mbaruar e tani nuk na njeh njeri fare pa kontrata. Do i lidhim sot e doni lidhim nesër vetëm me shpresë kemi punuar. Si familje kemi 3 impjante dhe kemi 30 vjet atje që kur na i ka lidhur ministria e Lefter Xhuvelit. I lidhëm atëherë 10 vjeçare. Pastaj na i lidhën edhe një herë 10 vjeçare e pastaj na mbaruan. Tani presim”, tha një tjetër protestuese.
Liqeni i Butrintit, me një sipërfaqe prej rreth 1,600 hektarësh, numëron rreth 80 impiante midhjesh, nga të cilat rreth 50 janë efikase. Prodhimi vjetor i midhjes së Butrintit arrin në rreth 17,000 kv, ku 70% e saj shitet në tregun vendas, ndërsa pjesa tjetër mbetet në ujë për shkak të mungesës së tregjeve të reja.
Komente

Mblidheni veten, pas zgjedhjeve do rregullohet, tani mos harroni te votoni "Rilindjen"
Përgjigju