Dikur ishte ofiçina më e madhe lëvizëse në Shqipëri me kosto miliona dollarëshe! Sot, fantazmë e së shkuarës që lëngon dhe vazhdon e jeton me shpresën dhe shkëlqimin e dikurshëm!
Kush dhe përse u ndërtoi atë? Kujt i shërbeu? Çfarë ndodh sot në Ofiçinën Mekanike të Trenave shqiptarë? Kush punon në të? A është shkatërruar ajo plotësisht?
Hekurudha Shqiptare dhe Baza e Riparimit të trenave në Shkozet, për herë të parë në Report Tv me Amarcord.
Eljan Tanini vendosi të kalojë me këtë Amarcord atje ku thuajse asnjë kamera televizive nuk ka shkelur deri më sot, te Baza Mekanike e Hekurudhës Shqiptare në Shkozet të Durrësit. Baza, baza e Rrotës së Kuqe, e cila të fton në hyrje të rrugës që të çon te Baza Mekanike, nuk është një libër me 10 vëllime i Aleksandër Sollzhenicin, por jeta dhe shërimi i trenave që lënguan dhe punuan duke u rregulluar dhe shpëtuar në këtë spital të hekurit dhe të komunikimit kur Shqipëria ishte ndrydhur me botën, por ndërkohë merrte nga bota më të mirën e saj, ose ato që bota na jepte si falje lufte apo blerje shtetërore. Është fjala për trenat, lokomotivat, avulloret etj…
Tanini bisedoi te Baza me disa punëtorë ekspertë të cilët kanë vite që punojnë atje. Ndër ta, udhërrëfyesja e Amarcord u bë Vjollca Hasanaj, Mekanike dhe Shefe Sektori. Vjollca na çoi në disa reparte që ishin në gjendje pune. U takuam me Arben Kthupi Tornitor, Ylli Hasanaj Tornitor, Edmond Xhetani Specialist Ajri i Lokomotivave, Andi Maze Specialist Vagonash. Gjithashtu, u takuam dhe me njeriun relike që e kaloi jetën e tij jashtë dhe brenda kësaj bërthame të lidhur sigurisht me shinat, mjeshtrin Kudret Picorri. Mjeshtri ka qenë Ish Shef i Avarive të Bazës.
Është një ditë shumë pak e zakonshme, sidomos kur ndjen energjinë e fortë të lëvizjes së hekurave të forcuar nga dora e njeriut! Të duket vetja brenda imagjinatës së një koncerti rroku që tashmë heshti prej vitesh.
Çdo gjë atje dikur lëvizte në formë matematikore, sot hesht në gjendje reshtore! Kush e di sa hekur është shittur këtu ndër vite për të mbajtur veten, borxhet, fushatat, shtetin, xhepat me kafe, joshjet pa shumë llafe, etjet partiake por edhe gabimet me masa të dënushme pa burg!
Teksa shfaqet për herë të parë ky emision, mos harroni se trenit për herë të parë në dialekt i kemi thënë edhe pampuri!
Komente
