Në kuadër të Procesit të Berlinit, Tirana priti këtë të mërkurë mbi 20 delegacione të ministrive të Ekonomisë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rajonit. Samitin e përshëndeti edhe komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi i cili konfirmoi edhe një herë mbështetjen e gjerë ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në adresimin për ministerialin komisioneri tha se plani Ekonomik dhe i Investimeve prej 30 miliardë eurosh është shtylla kurrizore e planit.
“Në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është më shumë se kurrë një investim për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tonë. Është një investim në të ardhmen tonë të përbashkët, për të cilin ky Komision ka punuar fuqishëm që nga fillimi i mandatit të tij përmes nxjerrjes së metodologjisë së re të zgjerimit dhe miratimit dhe zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për rajonin. Plani Ekonomik dhe i Investimeve prej 30 miliardë eurosh është shtylla kurrizore e planit tonë në energji, mjedis, tranzicionin dixhital, kapitalin njerëzor dhe konkurrencën e sektorit privat”, tha ai mes të tjerash.
Varhelyi shtoi se zbatimi i planit po vijon dhe deri më tani sipas tij janë miratuar rreth 4.3 miliardë euro grante dhe prej tyre 15.9 miliardë euro do të jenë në investime të përgjithshme.
"Deri më tani kemi miratuar rreth 4.3 miliardë euro grante, të cilat do të mobilizojnë 15.9 miliardë euro në investime të përgjithshme. Kjo përfshin financimin për 54 projekte kryesore në transport, energji, mjedis, tranzicionin dixhital, kapitalin njerëzor dhe konkurrencën e sektorit privat. Dhe së bashku me rajonin dhe institucionet financiare ndërkombëtare, ne tashmë po përgatisim një seri të re projektesh investimi për miratim në dhjetor. BE-ja po e mban premtimin. Por tani është gjithashtu koha për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit, duke përfshirë integrimin tonë ekonomik. Ne e dimë se konvergjenca ekonomike është në qendër të përfitimeve të anëtarësimit në BE. Aktualisht, konvergjenca e Ballkanit Perëndimor është e ulët, me të ardhura për frymë midis 30% dhe 50% të mesatares së BE-së. Rajoni ka nevojë për akses të zgjeruar në nxitësit kryesorë të rritjes: tregu i vetëm, asistenca financiare e synuar dhe reformat sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është arsyeja pse, siç u njoftua në maj 2023, ne po zhvillojmë një Plan të ri Rritjeje për Ballkanin Perëndimor. Ky Plan i ri i Rritjes do të përshpejtojë ritmin e konvergjencës socio-ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian dhe, duke e bërë këtë, do të përshpejtojë përgatitjet për anëtarësimin në BE", tha Varhelyi.
Komisioneri theksoi se në veçanti, përmes këtij plani duan:
- përshpejtimin e integrimit ekonomik brenda rajonit dhe integrimin me tregun e vetëm të Bashkimit Evropian;
- të sjellë përfitimet e procesit të anëtarësimit në periudhën e para-anëtarësimit;
- fillimi i konvergjencës ekonomike me një rritje të financimit;
- e cila, nga ana tjetër, do të nxiste reformat.
Sipas komisionerit "plani i ri i rritjes do të jetë një paketë që do të ofrojë përfitime të menjëhershme dhe do të stimulojë progresin në Ballkanin Perëndimor. Ky plan do të na shohë të punojmë krah për krah për të shfrytëzuar sa më mirë këtë mundësi të re. Unë shpresoj në përfshirjen tuaj të plotë në këtë proces për të përfituar ekonomitë, qytetarët dhe perspektivat tuaja të pranimit".
Në forum Ministri i Financave Ervin Mete kërkoi që të përshpejtohet puna për integrimin e bizneseve të Ballkanit Perëndimor në tregun e BE-së, ndërsa Rama u shpreh se ka ardhur koha për të parë projekte konkrete nga BE.
Lajmi kryesor:
Forumi i biznesit, Rama: Presim mbështetje me vepra nga BE! Lufta në Ukrainë, jo lojë, të kemi kujdes Kosovën! KE: Plani i investimeve, do zhvillojë Ballkanin Perëndimor
B.K/ReportTv.al