Nga Tirana, përballë ministrave të Francës, Gjermanisë dhe përfaqësuesve të KE e OECD, kryeministri Edi Rama dha një mesazh të qartë se lufta e Rusisë në Ukrainë nuk duhet neglizhuar për vetë pasojat që ndez në rajon, duke ju referuar indirekt situatës në veri të Kosovës. Këtij apeli ju bashkua edhe ministrja e Kosovës për industrinë Rozeta Hajdari.
“Është thelbësore që të mos e shohim luftën në Ukrainë si një lojë por si katastrofë që duhet ta shmangim me çdo mjet, kudo, në çdo lloj forme, edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit mjafton për të ndezur një luftë Ballkanike, por edhe një luftë evropiane madje botërore” , tha Rama.
Këto mesazhe u dhanë në Ministerialin euro-ballkanik të Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, samiti i radhës i të cilit do të zhvillohet në Tiranë më 16 tetor, ku kryefjalë është tregtia e lirë drejt tregjeve të BE-së. Rama tha se tashmë është koha për të parë projekte konkrete nga BE dhe jo vetëm premtime.
“Është koha për të ecur së bashku përpara dhe për tu siguruar që nga fjalët mjaftë premtuese të nisim të shohim vepra premtuese. Një prej të dhënave më të rëndësishme që dua të ndaj me ju është që 6000 shoqëri tregtare kanë përfituar nga aktiviteti i nxitjes së tregtisë. Nga të gjitha heqja barrierave jo tarifore, nga ngjarjet e përbashkëta të cilat kanë përfshirë shoqëri tregtare sidomos dhe mbështetje për qasjet e BE-së në raport me Tregun. Gjithçka që bëjmë së bashku është të përfitojmë një terren për njerëzit që kanë nevojë të lëvizin më lirisht”, tha Rama.
‘BE ka qenë krah jush kësaj kohe të vështirë. Plani ynë i investimeve prej 30 miliardë eurosh po punon që të përmirësojë ndërlidhjen e rajonit dhe të rrisë tranzicionin e gjelbër. Plani i rritjes synon të rrisë zhvillimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor, dhe të nxisë integrimin me fusha të caktuara të tregut evropian, përpara integrimit.’- u shpreh përfaqësuesja e KE-së.
Në forum Ministri i Financave Ervin Mete kërkoi që të përshpejtohet puna për integrimin e bizneseve të Ballkanit Perëndimor në tregun e BE-së.
“Për bizneset tona, integrimi i përshpejtuar do të thotë akses në një treg me më shumë se 450 milionë konsumatorë, ku 85% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor besojnë se produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre jo vetëm që mund të mbijetojnë, por edhe të konkurrojnë me atë që 27 vendet e BE-së kanë aktualisht për të ofruar”, tha Mete.
Përfaqësuesi i Gjermanisë për çështjet ekonomike në këtë forum, tha se procesi i Berlinit është i rëndësishëm për lidhjet tregtare në Ballkanin Perëndimor, por thellojë më shumë nevojën për bashkëpunim mes shteteve të këtij rajoni.
Kurse përfaqësuesi i OECD-së vuri theksin tek investimi më shumë i shteteve të Ballkanit Perëndimor në teknologji, në krijimin e produkteve inovative dhe në inteligjencën artificiale.
Ministeriali i ministrave të Ekonomisë së BE dhe Ballkanit Perëndimor është i dyti që zhvillohet në Tiranë pas atij të ministrave të Brendshëm më 14 shtator. Shqipëria do të mikpresë më 16 tetor samitin e Procesit të Berlinit, i pari i zhvilluar ndonjëherë jashtë Bashkimit Evropian.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u ndërmor në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon. Samiti i ardhshëm do të organizohet në Tiranë më 16 tetor 2023.
Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut Kreshnik Bekteshi
Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut Kreshnik Bekteshi, duke marrë shkas nga konfliktet e brendshme të Ballkanit Perëndimor ka theksuar në forumin e biznesit se është e rëndësishme që e kaluara të lihet pas për shkak se goditjet e brendshme po dëmtojnë tregtinë rajonale.
“Ka 20 vite që flasim për bashkëpunim rajonal për tërheqje të investimeve të huaja, për kompani që do ti japin më shumë vlerë ekonomisë kombëtare dhe rajonit, por përmes këtyre goditjeve të brendshme nuk kemi vetëm probleme për ekonominë tonë të brendshme por po krijojmë probleme edhe për rajonin. Maqedonia e Veriut do të ishte e angazhuar për të lehtësuar bashkëpunimin rajonal duke hequr të gjitha barrierat, duke miratuar të gjitha protokollet dhe duke i zbatuar ato, siç i kanë vendosur vendet e BE”, tha Bekteshi.
Ministri ka thumbuar edhe BE-në, teksa thekson se duhet të jetë më e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak se Maqedonia e Veriut ka ndryshuar edhe emrin për integrimin.
“Sa i takon qëndrimit të BE, mendoj se ata duhet të jenë një derë e hapur, pra duhet ti hapet dera Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në procesion e screening, pasi nëse duam të kemi një plan rritje duhet të punojmë bashkë, dhe jo vetëm të shikojmë ekonomitë e brendshme. Ta lëmë pas të kaluarën sepse e kaluara na krijon probleme të shumta. Na ka ndodhur ne në Maqedoninë e Veriut, kemi ndryshuar edhe emrin vetëm e vetëm për të synuar prosperitetin e vendeve tanë. Mbështesim protokollet e CEFTA dhe iniciativat e BE, por kërkojmë edhe më shumë sepse mendojmë që BE ka potencialin për ti dhënë më shumë vëmendje jo vetëm me fjalë por edhe me vepra Ballkanit Perëndimor”, shton ministri.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, Tirana priti këtë të mërkurë mbi 20 delegacione të ministrive të Ekonomisë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rajonit. Samitin e përshëndeti edhe komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi i cili konfirmoi edhe një herë mbështetjen e gjerë ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në adresimin për ministerialin komisioneri tha se plani Ekonomik dhe i Investimeve prej 30 miliardë eurosh është shtylla kurrizore e planit.
“Në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është më shumë se kurrë një investim për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tonë. Është një investim në të ardhmen tonë të përbashkët, për të cilin ky Komision ka punuar fuqishëm që nga fillimi i mandatit të tij përmes nxjerrjes së metodologjisë së re të zgjerimit dhe miratimit dhe zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për rajonin. Plani Ekonomik dhe i Investimeve prej 30 miliardë eurosh është shtylla kurrizore e planit tonë në energji, mjedis, tranzicionin dixhital, kapitalin njerëzor dhe konkurrencën e sektorit privat”, tha ai mes të tjerash.
Varhelyi shtoi se zbatimi i planit po vijon dhe deri më tani sipas tij janë miratuar rreth 4.3 miliardë euro grante dhe prej tyre 15.9 miliardë euro do të jenë në investime të përgjithshme.
"Deri më tani kemi miratuar rreth 4.3 miliardë euro grante, të cilat do të mobilizojnë 15.9 miliardë euro në investime të përgjithshme. Kjo përfshin financimin për 54 projekte kryesore në transport, energji, mjedis, tranzicionin dixhital, kapitalin njerëzor dhe konkurrencën e sektorit privat. Dhe së bashku me rajonin dhe institucionet financiare ndërkombëtare, ne tashmë po përgatisim një seri të re projektesh investimi për miratim në dhjetor. BE-ja po e mban premtimin. Por tani është gjithashtu koha për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit, duke përfshirë integrimin tonë ekonomik. Ne e dimë se konvergjenca ekonomike është në qendër të përfitimeve të anëtarësimit në BE. Aktualisht, konvergjenca e Ballkanit Perëndimor është e ulët, me të ardhura për frymë midis 30% dhe 50% të mesatares së BE-së. Rajoni ka nevojë për akses të zgjeruar në nxitësit kryesorë të rritjes: tregu i vetëm, asistenca financiare e synuar dhe reformat sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është arsyeja pse, siç u njoftua në maj 2023, ne po zhvillojmë një Plan të ri Rritjeje për Ballkanin Perëndimor. Ky Plan i ri i Rritjes do të përshpejtojë ritmin e konvergjencës socio-ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian dhe, duke e bërë këtë, do të përshpejtojë përgatitjet për anëtarësimin në BE", tha Varhelyi.
Komisioneri theksoi se në veçanti, përmes këtij plani duan:
- përshpejtimin e integrimit ekonomik brenda rajonit dhe integrimin me tregun e vetëm të Bashkimit Evropian;
- të sjellë përfitimet e procesit të anëtarësimit në periudhën e para-anëtarësimit;
- fillimi i konvergjencës ekonomike me një rritje të financimit;
- e cila, nga ana tjetër, do të nxiste reformat.
Sipas komisionerit "plani i ri i rritjes do të jetë një paketë që do të ofrojë përfitime të menjëhershme dhe do të stimulojë progresin në Ballkanin Perëndimor. Ky plan do të na shohë të punojmë krah për krah për të shfrytëzuar sa më mirë këtë mundësi të re. Unë shpresoj në përfshirjen tuaj të plotë në këtë proces për të përfituar ekonomitë, qytetarët dhe perspektivat tuaja të pranimit".
Në forum Ministri i Financave Ervin Mete kërkoi që të përshpejtohet puna për integrimin e bizneseve të Ballkanit Perëndimor në tregun e BE-së, ndërsa Rama u shpreh se ka ardhur koha për të parë projekte konkrete nga BE.
Ministrja e Industrisë së Kosovës Rozeta Hajdari
Në forumin e biznesit ministrja e Industrisë së Kosovës Rozeta Hajdari, ka ngritur edhe një herë shqetësimin e pengesave të tregtisë për shkak të barrierave që vendosin shtete Serbia apo Bosnje Hercegovina.
Hajdari tha se Kosova asnjëherë nuk ka përfituar nga tregtia e lirë që ka si synim CEFTA, për shkak se ata nuk janë pjesë e kësaj bashkësie pasi tre shtete nuk e kanë lejuar.
Përpara përfaqësuesve të BE, ministrja e Kosovës vuri edhe një herë theksin tek domosdoshmëria për njohjen e targave nga Serbia pasi po penalizon tregtinë.
“Qëllimi i CEFTA-s është për ngritje të zonës së tregtisë së lirë, të nxisë investimet më tej, të zgjerojë tregtinë në mallra dhe shërbime dhe të eliminojë pengesat tregtare. Sidoqoftë Kosova nuk ka pasur përfitime në realitet, pasi përballet vazhdimisht me barriera tregtare qoftë për produktet bujqësore apo jo bujqësore nga Bosnje Hercegovina, Serbia dhe shpresoj që jo më shumë se kaq. Më tej regjistrimi i automjeteve nuk njihte nga Serbia, sigurisht edhe dokumentet e eksportit. Kosova ka ngritur ankesa për trajtimin asimetrik të Kosovës në kuadër të kësaj marrëveshje. Në fakt nuk ka pasur rezultate për këtë, as për kërkesat që vendi ynë të përfaqësohet në mekanizmat e cefta-s për shkak të kundërshtimit të Moldavisë, Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Ndërkohë që flasim për tregti është e nevojshme që të kemi vendime të pa politizuara”, u shpreh Ministrja kosovare në forum.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete e konsideroi Ministerialin euroballkanik të ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, të një rëndësie të veçantë për të reflektuar mbi trajektoren ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe për të ndërmarrë veprime vendimtare drejt rritjes ekonomike që mundëson konvergjencë më të shpejtë me standardet e jetesës së BE-së.
“Ne synojmë që ky proces të bazohet në burime të gjelbra dhe të qëndrueshme të rritjes; për të krijuar jo vetëm më shumë mundësi punësimi, por, më e rëndësishmja, vende pune më të mira për shoqëritë tona; dhe kështu të krijojmë një ekonomi që është e qëndrueshme ndaj goditjeve, duke përfshirë ndikimin e ndryshimeve klimatike”, tha Mete.
Mete bëri thirrje për ta përdorur këtë forum si një mundësi për të nxitur përpjekjet e bashkëpunimit rajonal dhe për të sjellë energji të reja në këtë proces.
“Për të realizuar këtë, ne duhet të punojmë së bashku me njëri-tjetrin për të kaluar drejt integrimit të përshpejtuar në tregun e vetëm të BE-së. Një “integrim i përshpejtuar” dhe “përfshirje” në politikat individuale të BE-së, tregun e BE-së dhe programet e BE-së, synon zgjerimin e të drejtave që rrjedhin nga traktatet e BE-së për vendet kandidate.
Kalimi në Tregun e Vetëm synon të nxisë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e bizneseve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rritur njëkohësisht investimet në rajon. Së bashku me ministrat, ne do të diskutojmë politikat, instrumentet dhe mekanizmat konkretë për të cilat rajoni është aktualisht i përgatitur për të marrë pjesë aktive në Tregun e Vetëm, si dhe opsione të tjera që janë në dispozicion, të kushtëzuara me veprime dhe reforma specifike”, theksoi Mete.
Në fjalën e tij në takimin e ministrave të BE-së dhe Ballkanit në Tiranë, në kuadër të procesit të Berilinit, kryeministri Edi Rama, tha se synimi është që të kemi sa më shumë përfitime për njerëzit dhe kapitalet e shërbimet të lëvizin lirisht.
‘Synimi është të kemi sa më shumë përfitime për njerëzit dhe kapitalet e shërbimet të lëvizin lirisht. Duhet ta bëjmë këtë rajon një terren të lulëzuar për njerëzit. Falenderoj Dhomat e Tregtisë. Çdo ditë ka nevojë për të bërë më shumë. Na duhet më shumë Evropë në Ballkanin Perëndimor dhe qasje në organizmin e BE, të shumë organizmave të tij, për këtë bëhet fjalë. Ky Saimit dhe këto hapa drejt 16 tetorit, ku të gjithë udhëheqësit mblidhen në Tiranë për këtë bën fjalë. Pres me padurim rezultatet e këtij takimi dhe sigurisht do të bëjmë maksimumin për të dhënë më shumë për njerëzit që japin kohën, energjinë e tyre, gjithë punën e tyre për ekononimitë tona, sepse kemi shumë mundësi. Rritja e viteve të fundit ka treguar se ajo që mund të bëjmë duke u hapur kundrejt njëri tjetrit, duke shndërruar këtë rajon në këtë hapësirë që është e mirë për të gjithë ata njerëz punëtore e ndërmarrje, na bën të hedhim hapim më të rëndësishëm drejt hapësirë më të gjerë të Bashkimit Europian.’- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë takimit të ministrave të Ekonomisë së BE-së dhe Ballkanit në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit tha se sot lufta në Ukrainë është në dyert tona. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk duhet ta shohim si një video-lojë, por si katastrofë.
‘Dua të citoj pa leje mikun e dashur francez që kemi këtu, që dje më kujtoi diçka thelbësore që nuk duhet të harrohet por mbështetet në shembuj, si ai franko-gjerman. Më tha se gjyshërit e tij e kanë parë me sytë e tyre dhe pikërisht nga pamjet e tmerrshme, nga kujtesat e tmerrshme nga ajo që lufta nënkuptoi për Francën e Gjermaninë, Franca vendosi ti shtrijë dorën e bashkëpunimit Gjermanisë, ishte gjest i guximshëm në atë kohë, kjo i hapi rrugës Evropës që kemi. Sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është e rëndësishme mos ta shohim luftën si video-lojë, por si katastrofë që duhet ta shmangim me çdo mjet, kudo, në çdo lloj forme, edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit mjafton për të ndezur një luftë Ballkanike, por edhe një luftë evropiane e botërore. ‘- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ministerialin euro-ballkanik të ministrave të Ekonomisë në Tiranë tha se ka ardhur koha që të mendojmë jashtë kornizave të kufijve. Kryeministri Rama u shpreh se në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë do të diskutohet plani i BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor.
‘Në këtë moment përcaktues për Evropën ka ardhur koha të mendojmë jashtë kornizave dhe është kjo është ajo çka po përpiqemi të bëjmë me këtë samit. Ajo çka po ndjejmë nga të gjitha komunikimet me miqtë tanë të mëdhenj të BE. Dje zhvillova një bisedë shteruese me mikun tonë nga qeveria e Francës se ishte një bisedë që 5 vite më parë do të ishte e pamundur të zhvillohej. Ne shohim me mjaft interes se në BE ka një bindje më të fortë dhe janë më sy hapur karshi Ballkanit Perëndimor. Sot BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE.
Jemi këtu me ministra dhe zyrtarë të shquar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi që përfshin forcimin e ekonomive tona duke përfshirë lidhjet me sferën e aktiviteteve ekonomike të BE. Është koha për të ecur së bashku përpara dhe për tu siguruar se nga fjalët premtuese ne të nisim të shohim vepra premtuese. Mund të kemi çështje të pambyllura në rajon, por përmes këtij procesi kemi mësuar se e vetmja mënyrë për tu marrë edhe me mosmarrëveshjet tona është të përpiqemi të biem dakord dhe të bëjmë sa më shumë”, tha Rama.
krenar qe shqiperia po merr cdo dite e me shume vemendje nga nderkombetaret
Përgjigju