Annalena Baerbock, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë

Ministrat e BE diskutojnë për Ballkanin Perëndimor! Gjermania e prerë: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

16 Maj 2022, 14:00| Përditesimi: 16 Maj 2022, 17:09

  • Share

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën sot në një takim informal në Bruksel. Takimi pati si qëllim zhvillimin e një debati strategjik mbi Ballkanin Perëndimor, për sfidat e reja të krijuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës. Të pranishëm në takim ishin edhe ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në dokument e përgatitur për diskutimet e së hënës thuhet se agresioni i Rusisë ka krijuar ndryshime domethënëse në rreshtimet gjeo-politike.

“Më shumë se kurrë ka pritje që Ballkani Perëndimor t’iu përkushtohet vlerave evropiane si vende anëtare në të ardhmen. BE duhet t’i rreshtojë partnerët e saj rreth mbrojtjes së vlerave të përbashkëta dhe normave kyçe ndërkombëtare, dhe dënimin e agresionit rus në Ukrainë si shkelje të rëndë e së drejtës ndërkombëtare dhe rrezik për paqen dhe sigurinë globale”, është thënë në këtë dokument jozyrtar.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock në një deklaratë për mediat, është shprehur e prerë se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet tu hapen negociatat, pra të fillojë tryeza e parë ndërqeveritare e cila pengohet nga vetoja Bullgare ndaj RMV. Nga ana tjetër, Baerbock duke patur parasysh luftën në Ukrainë thekson se:

‘‘Sidomos në këto kohë, mbështetja për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt #BE është një çështje kyçe e sigurisë dhe çështje gjeopolitike. Duhet t’i qëndrojmë premtimeve tona dhe të fillojmë negociatat e vonuara të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka evidentoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian, si edhe përkushtimin e qeverisë shqiptare në zbatimin e mëtejshëm të reformave të lidhura me agjendën evropiane.

Vendimi për caktimin e datës së konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, sipas Ministres Xhaçka, do të ishte e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë transformuese të BE-së në rajon, për të mbajtur lart mbështetjen qytetare ndaj procesit të integrimit, si dhe për të rritur aftësitë për t’u përballur me ndikimin e aktorëve të tretë.

Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e marrëdhënieve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke u dakordësuar rreth faktit se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është prioritet dhe një investim i rëndësishëm sigurie, ekonomik dhe gjeostrategjik për vetë Bashkimit Evropian.

Ora 16:55
Ministrja e Jashtme në Bruksel: Caktimi i konferencës ndërqeveritare për Shqipërinë e Maqedoninë, e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë e BE-së në rajon

 

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin informal të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian me Ministrat e Punëve të Jashtme te Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell  në Bruksel.

Në fjalën e saj Ministrja Xhacka evidentoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian, si edhe përkushtimin e qeverisë shqiptare në zbatimin e mëtejshëm të reformave të lidhura me agjendën evropiane. Shqipëria, theksoi ajo, është një aleate dhe partner i besueshëm i Bashkimit Evropian përsa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke u linjëzuar plotësisht me vendimet dhe deklaratat e Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Gjatë ndërhyrjes së saj Kryediplomatja theksoi gjithashtu se mënyra se si Shqipëria ka reaguar ndaj situatës aktuale gjeopolitike i ka ngritur edhe më tej vlerat vendit tonë në sytë e partnerëve euro-atlantikë.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duhet lejuar të shndërrohet në një dëm kolateral të krizës në Ukrainë, por duhet të përfshihet në iniciativat e përbashkëta evropiane për zgjidhjen e sfidave që dalin përpara.”

Ndërkohë, vendimi për caktimin e datës së konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, sipas Ministres Xhaçka, do të ishte e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë transformuese të BE-së në rajon, për të mbajtur lart mbështetjen qytetare ndaj procesit të integrimit, si dhe për të rritur aftësitë për t’u përballur me ndikimin e aktorëve të tretë.

Ora 12:35
Takimi i ministres së Jashtme me Varhelyi: Ramë dakord që konferenca e parë ndërqeveritare duhet të merret në qershor

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në KE, Oliver Varhelyi. 

Gjatë takimit, Ministrja Xhaçka theksoi se mosmbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare në qeshor do të ndikonte negativisht në besueshmërinë e BE-së dhe situatën në Ballkanin Perëndimor. 

“Takim i frytshëm me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në KE , Oliver Varhelyi në margjinat e takimit të Këshillit të Punëve Jashtme me Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor. U dakordësuam që vendimi për konferencën e parë ndërqeveritare duhet të merret në qershor. Nënvizova bindjen e Shqipërisë se dështimi për të mbajtur konferencën e parë këtë qeshor do të ndikojë negativisht në besueshmërinë e BE-së dhe situatën në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ministrja Xhaçka pas takimit. 

Ministrja Xhaçka ndodhet në Bruksel, ku mori pjesë në drekën e punës me Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Balkanit Perëndimor.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?