Ministrat e Mbrojtjes nga dhjetë vende evropiane, përfshirë edhe Ukrainën, do të zhvillojnë një takim urgjent të premten për të diskutuar ndërtimin e një “muri me dronë”, në përgjigje të rritjes së rrezikut nga dronët dhe pas një sulmi të dyshuar hibrid ndaj katër aeroporteve në Danimarkë, i dyti i këtij lloji brenda disa ditësh.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka quajtur këtë iniciativë “themelet e një mbrojtjeje të besueshme”, ndërsa kërkohet një përgjigje e koordinuar ndaj kërcënimeve ajrore që vijnë nga teknologjitë më të reja.
Komisioni Evropian ka dhënë sinjale se ndërtimi i një muri me dronë mund të financohet përmes skemës së huave për Sigurinë Evropiane, me një fond total prej 150 miliardë eurosh.
Zëdhënësi i Komisionit për çështjet e mbrojtjes, Thomas Regnier, tha se takimi i së premtes do të jetë një mundësi për të diskutuar kapacitetet ekzistuese dhe sfidat përpara.
“Detyra jonë e parë është të zbulojmë dronët që afrohen, kjo nuk është aspak e lehtë. Nuk kemi të bëjmë me avionë të mëdhenj apo mjete të zakonshme ajrore, por me teknologji të sofistikuara që duhen zbuluar në kohë. Hapi i dytë do të jetë vendosja e mënyrës së reagimit ndaj tyre”.
Në takim pritet të marrin pjesë ministrat e mbrojtjes nga Danimarka, tre shtetet baltike, Finlanda, Polonia, Rumania dhe Bullgaria.
Incidentet në Danimarkë nisën mbrëmjen e së mërkurës, pak para orës 22:00 dhe zgjatën deri rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes. Aeroporti i Aalborgut, që shërben edhe si bazë ushtarake, u detyrua të pezullojë fluturimet për disa orë, ndërsa Aeroporti i Billundit, i dyti më i madh në vend, mbylli hapësirën ajrore për gati një orë.
Aeroportet në Esbjerg, Sonderborg dhe Skrydstrup, ku ndodhen edhe avionë luftarakë të ushtrisë daneze, gjithashtu u prekën nga incidenti.
Vetëm pak ditë më parë, të hënën në mbrëmje, Aeroporti i Kopenhagënit u detyrua të mbyllej për shkak të pranisë së tre dronëve.
“Nuk ka asnjë dyshim se gjithçka tregon se kemi të bëjmë me një aktor profesionist, kur një operacion i tillë kryhet në kaq shumë lokacione, në mënyrë të koordinuar dhe pothuajse në të njëjtën kohë. Kjo është ajo që unë e quaj një sulm hibrid, me përdorimin e tipeve të ndryshme të dronëve. Kjo është një garë armatimesh me kohën, sepse teknologjia po evoluon me shpejtësi”, deklaroi ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen.
Lajmi kryesor:
Sërish dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës, mbyllet për disa orë aeroporti i Aalborgut! Ministri i Mbrojtjes: S'kemi prova që pas sulmit qëndron Rusia
V.GJ /ReportTv.al
