Bota

Sërish dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës, mbyllet për disa orë aeroporti i Aalborgut! Ministri i Mbrojtjes: S'kemi prova që pas sulmit qëndron Rusia

25 Shtator, 07:32| Përditesimi: 25 Shtator, 20:44

  • Share

Aeroporti i Aalborgut në Danimarkë u mbyll për disa orë për shkak të zbulimit të dronëve në hapësirën e tij ajrore.

Pas incidentit, fluturimet që mbërrijnë dhe nisen nga Aeroporti i Aalborgut u pezulluan, raporton Sky Neës.

Në një postim në X, policia e Nordjyllands deklaroi se "janë vërejtur pamje të dronëve pranë Aeroportit të Aalborgut dhe hapësira ajrore është e mbyllur. Policia është e pranishme dhe po heton".

Sipas policisë, dronët u vunë re për herë të parë rreth orës 21:44 të mbrëmjes sipas orës lokale dhe qëndruan në hapësirën ajrore deri pesë minuta pas mesnatës së sotme.

Policia tha se nuk mund të specifikonte llojin e dronëve ose nëse ishin të njëjtët që fluturuan mbi Aeroportin e Kopenhagenit të hënën.

"Është shumë herët për të thënë se cili është qëllimi i dronëve dhe kush i drejtoi ato", tha një zyrtar i policisë.

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se nuk kishte prova se Rusia qëndronte pas sulmit me dronë.

Ndërkohë Ministri i Drejtësisë i Kopenhagenit, Peter Hummelgard, tha se qeveria daneze do të sigurojë mjete të reja për "zbulimin dhe neutralizimin e dronëve".

Aalborg, i vendosur në veri të Danimarkës, në rajonin Jutland, është qyteti i katërt më i madh i Danimarkës. Aeroporti i tij është i dyti në vend që detyrohet të mbyllet brenda pak ditësh për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore.

Aeroporti i Kopenhagenit ndaloi përkohësisht fluturimet pas raportimeve për dronë që fluturonin në hapësirën e tij ajrore. Në atë kohë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen deklaroi se "nuk mund ta përjashtojë në asnjë mënyrë" përfshirjen ruse në fluturimet mbi dronë.

Ora 20:41
Ministrat evropianë mblidhen të premten për të diskutuar krijimin e një ‘muri me dronë’

1758825758_dron.webp

Ministrat e Mbrojtjes nga dhjetë vende evropiane, përfshirë edhe Ukrainën, do të zhvillojnë një takim urgjent të premten për të diskutuar ndërtimin e një “muri me dronë”, në përgjigje të rritjes së rrezikut nga dronët dhe pas një sulmi të dyshuar hibrid ndaj katër aeroporteve në Danimarkë, i dyti i këtij lloji brenda disa ditësh.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka quajtur këtë iniciativë “themelet e një mbrojtjeje të besueshme”, ndërsa kërkohet një përgjigje e koordinuar ndaj kërcënimeve ajrore që vijnë nga teknologjitë më të reja.

Komisioni Evropian ka dhënë sinjale se ndërtimi i një muri me dronë mund të financohet përmes skemës së huave për Sigurinë Evropiane, me një fond total prej 150 miliardë eurosh.

Zëdhënësi i Komisionit për çështjet e mbrojtjes, Thomas Regnier, tha se takimi i së premtes do të jetë një mundësi për të diskutuar kapacitetet ekzistuese dhe sfidat përpara.

“Detyra jonë e parë është të zbulojmë dronët që afrohen, kjo nuk është aspak e lehtë. Nuk kemi të bëjmë me avionë të mëdhenj apo mjete të zakonshme ajrore, por me teknologji të sofistikuara që duhen zbuluar në kohë. Hapi i dytë do të jetë vendosja e mënyrës së reagimit ndaj tyre”.

Në takim pritet të marrin pjesë ministrat e mbrojtjes nga Danimarka, tre shtetet baltike, Finlanda, Polonia, Rumania dhe Bullgaria.

Incidentet në Danimarkë nisën mbrëmjen e së mërkurës, pak para orës 22:00 dhe zgjatën deri rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes. Aeroporti i Aalborgut, që shërben edhe si bazë ushtarake, u detyrua të pezullojë fluturimet për disa orë, ndërsa Aeroporti i Billundit, i dyti më i madh në vend, mbylli hapësirën ajrore për gati një orë.

Aeroportet në Esbjerg, Sonderborg dhe Skrydstrup, ku ndodhen edhe avionë luftarakë të ushtrisë daneze, gjithashtu u prekën nga incidenti.

Vetëm pak ditë më parë, të hënën në mbrëmje, Aeroporti i Kopenhagënit u detyrua të mbyllej për shkak të pranisë së tre dronëve.

“Nuk ka asnjë dyshim se gjithçka tregon se kemi të bëjmë me një aktor profesionist, kur një operacion i tillë kryhet në kaq shumë lokacione, në mënyrë të koordinuar dhe pothuajse në të njëjtën kohë. Kjo është ajo që unë e quaj një sulm hibrid, me përdorimin e tipeve të ndryshme të dronëve. Kjo është një garë armatimesh me kohën, sepse teknologjia po evoluon me shpejtësi”, deklaroi ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen.

Ora 12:36
Danimarka: Do të blejmë pajisje të reja kundër dronëve

Foto: Aeroporti i Aalborgut

Qeveria daneze do të sigurojë mjete të reja për "zbulimin dhe neutralizimin e dronëve".

Kështu njoftoi Ministri i Drejtësisë i Kopenhagenit, Peter Hummelgard, pas inkursionit të fundit të avionëve pa pilot me origjinë të panjohur në aeroportet daneze.

"Qëllimi i këtij lloji sulmi hibrid është të përhapë frikë, të krijojë përçarje dhe të na trembë", shtoi ministri.

Autoritetet e vendit theksuan mungesën e një "kërcënimi të drejtpërdrejtë ushtarak" ndaj Danimarkës.

Ora 12:27
Ministri danez i Mbrojtjes: Nuk ka prova që Moska qëndronte pas sulmit me dron

Foto:Troels Lund Poulsen

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se nuk kishte prova se Rusia qëndronte pas sulmit me dronë.

Ai shtoi se dronët "nuk erdhën nga shumë larg" dhe se incidenti ishte i ndryshëm nga incidentet e mëparshme.

Xh.K/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?