Ministri i Jashtëm i Austrisë Michel Linhart gjatë takimin me homologen e tij shqiptare Olta Xhaçka u shpreh se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet t’u hapen negociatat. Sipas tij vendi ynë i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është gati për hapjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
“Unë e mbështes mendimin e ministres. Po kthehemi nga Shkupi dhe jam i mendimit që ne tani kemi një dritare të hapur për të zhvilluar këto bisedime për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mendoj se nuk është e rëndësishme vetëm për vendet por për të gjithë rajonin, por një hap i mirë për të gjithë Europën. Maqedonia e Veriut apo dhe Shqipëria janë pjesë e Europës, janë në mes të Europës. Nuk duhet të jenë të përjashtuar, këtë mesazh duhet t'ia japim partnerëve tanë në BE. Është një shans absolut për të hapur negociatat për të dy vendet” – ministri Linhart.
Linhart bëri të ditur se Austria mbështet nismën rajonale Ballkani i Hapur dhe se BE të shtrijë dorën për investime të shumta në rajon.
“Nuk mendoj që duhet të flasim këtu për pse ose pavarësisht pse. Këtu bëhet fjalë që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë marrëdhëniet mes tyre, bashkëpunimin në rajon. Ne e mbështesim këtë gjë dhe BE duhet të zgjasë dorën dhe të bëjë projekte më shumë. Për rininë për shembull që bashkimi të ekzistojë dhe në Ballkanin Perëndimor”, tha ministri austriak.
Nga ana e saj, ministrja Xhaçka u shpreh se Ballkani Perëndimor duhet ta vazhdojë këtë rrugëtim i bashkuar.
"Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, ishte një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve që zhvilluam. Pata rastin për të falenderuar sërish Austrinë për mbështetjen e pakufizuar dhe të pakushtëzuar në rrugën tonë drejt antarësimit në BE. Shqipëria ka bërë përpjekje të qenësishme për implementimin e një varg reformash të rëndësishme, përpjekje të cilat janë njohur si nga Komisioni Evropian ashtu edhe nga vendet anëtare. Vlerësova faktin se Austria është nga ato vende me të cilat bashkëndajmë të njëjtin mendim sa i takon domosdoshmërisë për të përforcuar angazhimin e BE-së dhe bashkëpunimin politik me Ballkanin Perëndimor. Austria, bën pjesë gjithashtu në ato vende të Unionit që ka një kuptim të plotë të dinamikës e madje edhe të paparashikueshmërisë së mjedisit gjeopolitik në rajonin tonë", tha Xhaçka.
Kryeministri Edi Rama ka takuar ministrin e Jashtëm austriak Michel Linhart ku është diskutuar mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Kryeministri Edi Rama me ministrin Federal për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Michael Linhart ku diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Mirënjohje Austrisë, mbështetëses së palëkundur të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian”, njofton kryeministria.
Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart, ku u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve. Meta shprehu vullnetin e Tij për nxitjen e tyre në fushën ekonomike, tregtare, në turizëm, arsim e kulturë, si dhe rritjen e investimeve austriake në Shqipëri.
Meta falënderoi Ministrin Linhart për mbështetjen e sinqertë që Austria i jep Shqipërisë dhe gjithë rajonit në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe me liberalizimin e vizave me Kosovën.
Njoftimi i Presidencës
Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të ngrohtë Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Michael Linhart.
Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, marrëdhëniet dhe miqësinë e fortë tradicionale mes dy popujve, si dhe shprehu vullnetin e Tij për nxitjen e tyre në fushën ekonomike, tregtare, në turizëm, arsim e kulturë, si dhe rritjen e investimeve austriake në Shqipëri.
Dimensioni i bashkëpunimit rajonal dhe shumëpalësh mes dy vendeve fiton një rëndësi të posaçme, me Shqipërinë si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për periudhën 2022-2023.
Presidenti Meta falënderoi Ministrin Linhart për mbështetjen e sinqertë dhe shumë të rëndësishme, që Austria vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, posaçërisht në hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave me Kosovën.