Sfidat me të cilat përballet sot Europa dhe jo vetëm, janë krimet kibernetike.
Këtë e bëri të ditur Ministri i Brendshëm Taulant Balla nga fjala e tij, në Konferencën e 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën.
Balla evidentoi punën e bërë nga Shqipëria për të qenë një vend më i sigurt, ndërsa shtoi se vendi ynë është partnere e besuar e INTERPOL.
“Është hera e parë që Shqipëria drejton një event të INTERPOL-it të këtij niveli. Të ftuarit që mund të kenë vizituar Shqipëria dekada më parë, me siguri janë të mahnitur nga ndryshimi që vendi ynë ka bërë. Vitin e fundit më shumë se 10 mln turistë vizituan Shqipërinë. Rekord ky i të gjitha kohërave. Gjithsesi presim që ky numër të tejkalohet në 2024 me rreth 40 për qind. Shqipëria është fuqimisht e angazhuar në INTERPOL dhe partnere e besuar. Sot kemi sfida në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Krimet kibernetike nuk njohin kufi dhe duan një përgjigje të koordinuar”, tha ai.
Në lidhje me angazhimin e Policisë së Shtetit në kuadër të operacioneve ndërkombëtare, ministri bëri me dije se ka ardhur në rritje numri i ekipeve të operacioneve të përbashkëta.
"Kemi bërë pjesën tonë në kontributin për komunitetin ndërkombëtar të policisë. Numri në rritje i ekipeve të operacioneve të përbashkëta (16 gjatë vitit 2022 dhe 19 gjatë vitit 2023 - 2024); të arratisurve të arrestuar (82 gjatë vitit 2022 dhe 92 gjatë vitit 2023); dhe i takimeve operacionale të zhvilluara mes INTERPOL-it dhe Policisë së Shtetit Shqiptar (11 gjatë vitit 2022 dhe 26 gjatë vitit 2023), konfirmon Shqipërinë si një anëtar të angazhuar dhe partner të besuar”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Tiranë/ Konferenca Rajonale e INTERPOL për Europën! Balla: Vetëpastrojmë policinë nga të korruptuarit, zyrë për rikuperimin e aseteve kriminale
S.B//ReportTv.al