Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka udhëtuar me urgjencë drejt Delvinës, ku ka mbërritur mbrëmjen e sotme për të ndjekur dhe drejtuar operacionin e Emergjencave për shuarjen e flakëve, lokalizimin dhe kontrollin e situatës kaotike dhe të rrezikshme.
Ministri ka dhënë edhe udhëzimet e duhura për masat dhe operacionin e shuarjes. Gjithashtu ka pasur edhe shtim të forcave mbështetëse me zjarrfikës, efektivë policie dhe ushtrie, sikurse edhe mjete.
Prezencë e shtuar e zjarrfikësve nga bashkitë e qarkut dhe trupa të shumta të FA-ve.
"Për shkak të flakëve që po afrohen me qytetin, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve. Nuk ka rrezik për banesat", njoftoi Ministria për situatën e fundit nga Delvina.
Momentalisht vlerësohet që zjarri nuk rrezikon banesat, por trupat në bashkëpunim me policinë e shtetit kanë vendosur një perimetër të përkohshëm sigurie dhe po largojnë banorët nga zona.
Lajmi kryesor:
Delvina rrethohet nga flakët, Vengu për Report Tv: Rreziku për banesat kaloi! Ditë dramatike në Gramsh, disa fshatra ‘pushtohen’ nga zjarri, vdes 80-vjeçari nga asfiksia! Digjen banesa, evakuohen banorët
A.Q/r.k./ReportTv.al
