13 vatra zjarresh janë regjistruar në total në të gjithë vendin në 24 orët e fundit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht janë aktive 10 vatra zjarresh dhe 3 të tjera në monitorim.
* Bashkia Bulqizë: Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të Vjetër Bulqizë. Në operacion sot janë angazhuar 8 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca bashkiake, 8 forca të pyjores dhe 30 forca ushtarake të FA. Zjarri zhvillohet në pyje të larta dhe bimësi të dendur duke marrë drejtim nga fshati Valikardhë. Prezenca e tymit është e lartë dhe intensiteti i flakëve mbetet i fortë. Banesat nuk rrezikohen. Në vendngjarje ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Aktiv
* Bashkia Bulqizë: Vatra e zjarrit e rënë më 14.08.2025 në Malin me Gropa, në afërsi të fshatit Val, vijon të jetë aktive. Sot janë angazhuar për monitorim 5 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Digjen shkurre dhe barishte të thata në një zonë të vështirë dhe të rrezikshme për ndërhyrje tokësore. Monitorim
* Bashkia Fushë Arrëz: Në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar: 12 zjarrfikës me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë policie me 2 automjete, 40 forca bashkiake, 13 forca të shërbimit pyjor dhe 80 forca ushtarake. Zjarri është i aktivizuar në 3 vatra të ndara, ndërsa në zonën e Kunorë Dardhës drejt lumit Truen flakët kanë hyrë në një sipërfaqe me pisha të dendura. Ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore. Aktiv
* Bashkia Mirditë: Në fshatin Velë, njësia administrative Rubik, vijon zjarri në një masiv me pisha. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë të MZSH, 17 forca bashkiake, 10 vullnetarë, 7 forca pyjore dhe 4 forca policore. Terreni është i thepisur dhe ndërhyrja nga toka mbetet shumë e vështirë. Aktiv
* Bashkia Tiranë: Në “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, zjarri i rënë më 10.08.2025 ka kaluar në fshatin Durisht. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Tiranë, 5 forca të APR dhe forca policore. Vatra është vendosur nën kontroll, por terreni mbetet sfidues. Aktiv
* Bashkia Tiranë: Në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, zjarri është vendosur nën kontroll. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë të MZSH, 5 forca të APR dhe forca policore. Aktiv
* Bashkia Tiranë: Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe ka kaluar në fshatin Priskë e Vogël. Situata është në kontroll dhe nuk ka rrezik për banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake. Aktiv
* Bashkia Tiranë: Në zonën Zgure, njësia administrative Zall Bastar, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe nuk rrezikon banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake. Monitorim
* Bashkia Tiranë: Në fshatin Pezë – Helmës, zjarri i rënë më 13.08.2025 ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon pyllin me pisha të dendura të Pezës. Në terren ndodhen 42 forca të MZSH Tiranë, të mbështetura nga forca bashkiake, vullnetarë dhe Policia e Shtetit. Ka operuar edhe një helikopter i EBA. Aktiv
* Bashkia Kolonjë: Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zjarri është neutralizuar, por për shkak të erës dhe temperaturës ka pasur riaktivizime të vogla të cilat janë eliminuar. Sot janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse me 13 efektivë të MZSH Kolonjë, 20 forca bashkiake, 6 forca policore dhe 4 vullnetarë. Monitorim
* Bashkia Gramsh: Në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, janë riaktivizuar vatra zjarri. Në Kullollas, në vendin e quajtur Mulliri, po ndërhyjnë punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, ndërsa në fshatin Bletëz po operon 1 mjet zjarrfikës i MZSH Gramsh me 3 efektivë. Aktiv
* Bashkia Gramsh: Në njësinë administrative Kukur, në Teqen e Dushkut, herë pas here aktivizohen vatra të vogla. Sot kanë operuar deri në orën 12:00 1 mjet zjarrfikës me 5 efektivë të MZSH Gramsh, 2 forca pyjore dhe 10 banorë. Vështirësitë janë për shkak të trashësisë së humusit. Aktiv
* Bashkia Elbasan: Në njësinë administrative Zavalinë, në Malin e Shirokës, vijon aktive vatra e zjarrit. Në terren janë angazhuar 6 efektivë të MZSH Elbasan, 9 punonjës të ndërmarrjes pyjore dhe 6 forca bashkiake. Aktiv
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ka reaguar mbi situatën e zjarreve që kanë përfshirë ditët e fundit zonën e Fushë Arrëzit.
Në një postim në rrjete sociale, ai thotë se ndërhyrja nga ajri me helikopter bëri të mundur vendosjen nën kontroll të flakëve.
Vengu vlerëson bashkëpunimin mes forcave shqiptare dhe atyre nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
‘Një tjetër ditë në luftë me flakët nga ajri në Fushë Arrëz. Helikopterët e Forcës Ajrore dhe ata nga Emiratet e Bashkuara Arabe dominuan qiellin dhe ndihmuan forcat në tokë për të vendosur nën kontroll flakët. Heronjtë e qiellit ulën ndjeshëm intensitetin e zjarreve, duke u ardhur në ndihmë banorëve dhe natyrës në zonën e veshur me kurorën e gjelbër', shkruan ai.
Një zjarr ka përfshirë masivin pyjor pranë fshatit turistik Katund i Vjetër, në Mirditë. Për shkak të terrenit të vështirë malor, ndërhyrja nga toka është e pamundur.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e mbrojtjes civile të Bashkisë Mirditë, të cilat po monitorojnë situatën dhe po punojnë për të shmangur përhapjen e flakëve.
Një vatër zjarri është regjistruar në fshatin Lin të Pogradecit. Zjarri ka rënë në afërsi të varrezave të fshatit, ndërsa flakët po përhapen.
Në vendngjarje shkuan zjarrfikësit e Pogradecit, pasi në afërsi të vatrës ka dhe banesa.
Por falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve u bë e mundur neutralizimi i flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre drejt pyllit pranë. Dyshohet qe shkak i zjarrit mund të ketë qenë një qiri i vendosur në varreza.
Situata e vatrave të zjarrit në zonën kufitare në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës në Korçë ka disa riaktivizime.
Si pasojë e drejtimit të erës, zjarri ka patur tendencë drejt Rezervatit Gërmenj-Shelegur dhe në piramidën 14 në territorin shqiptar e afërsi me vijën kufitare me Greqinë, por pa prekur kurorën e masivit pyjor që është zonë e mbrojtur.
Si pasojë e zjarrit, herë pas here janë dëgjuar edhe shpërthime municionesh që gjenden në zonën kufitare mes dy shteteve. Situata po monitorohet dhe po punohet për krijimin e disa kordonëve kufizues. Në terren ndodhen rreth 35 forca të emergjencave civile.
Zjarri pranë Parkut Natyror të Gërmenjës vijon prej disa ditësh.
Komente
