Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 29 vatra zjarri, prej të cilave 13 vazhdojnë të jenë aktive dhe 6 në monitorim. Ministria e Mbrojtjes njofton se zjarret kanë përfshirë zona të ndryshme në Vlorë, Delvinë, Selenicë, Gjirokastër, Dibër, Mat, Bulqizë, Elbasan, Lezhë, Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec, Berat, Poliçan, Kukës, Tiranë dhe Fier.
Në qarkun e Vlorës, zjarri po digjet në zonën e “Majës së Paliskës” mbi fshatin Dukat, ku flakët janë kryesisht brenda trungjeve dhe po mbahen nën monitorim. Në qarkun e Delvinës, zjarri është aktiv në lartësitë e fshatit Kalasë në njësinë administrative Vergo, ku ka përfshirë edhe disa banesa dhe operacionet po vazhdojnë me ndihmën e forcave dhe helikopterëve. Në Selenicë, në fshatin Ploç dhe zonat përreth, zjarri shtrihet në një sipërfaqe të madhe në kodra, por terreni i vështirë po kufizon ndërhyrjen nga toka dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.
Në Gjirokastër, zjarri pranë fshatit Fushëbardhë, afër tunelit të Skërficës, vazhdon të jetë aktiv dhe po punohet për shuarjen e tij. Në Dibër, në Parkun Kombëtar Lurë, zjarri ka përfshirë mbi 350 hektarë dhe forcat operacionale po përpiqen ta shuajnë. Në Mat, në fshatin Zall Gjoçaj, zjarri po zhvillohet në një perimetër të gjerë dhe rrezikon disa banesa, ndërsa ndërhyrja bëhet edhe me helikopterë.
Në Bulqizë, zjarri në Livadhet e Peladhisë dhe fshatin Krajkë vazhdon, por me intensitet të ulët dhe po mbahet nën kontroll. Zjarri ka përshkuar mbi 40 ha sipërfaqe. Në Elbasan, po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Lugaxhi, ndërsa në Lezhë, në zonën e Shkopetit, zjarri është aktiv, por pa rrezik për banesat.
Në Korçë, vatrat në fshatin Dishnicë dhe zonën Trestenik-Vishocicë mbeten aktive, por nën monitorim për shkak të erës që mund të përhapë flakët. Në Maliq, në fshatin Strelcë, zjarri vijon të përparojë në drejtim të veriut, ndërsa në Pogradec, në fshatin Kriçkovë, po punohet për shuarjen e tij.
Në Kukës, në Grykën e Motinës mbi fshatin Dragobi, zjarri është aktiv në një terren të vështirë dhe po punohet për izolimin e tij. Në Tiranë, në Malin me Gropa në zonën “Fusha e Stanëve”, zjarri vazhdon dhe po kontrollohet nga forcat operacionale.
Lajmi kryesor:
Zjarr në Kaninë-Delvinë-Borsh, në Sherishtë i afrohet landfillit, evakuohen 4 familje! Në flakë Parku Kombëtar i Prespës dhe Qafa e Buallit
Xh.D/ReportTv.al
