Ministrja e Bujqësisë i përgjigjet Braçes për 'grurin': Kriza i ka goditur të gjithë, kemi bërë investime! Më vjen mirë që çmimi i fermerëve është rritur, nuk kam dijeni për fabrikat në rrezik

29 Prill 2022, 11:27| Përditesimi: 29 Prill 2022, 12:14

  • Share

 

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca bëri me dije se në Këshillin e Ministrave se kanë marrë vendim për sektorin e peshkimit  në mënyrë që të shmangen zëniet e padëshirueshme. Krifca sqaroi se ka dalë dhe një urdhër si çdo vit nga Ministria e Bujqësisë për të mos lejuar peshkimin në liqene këtë periudhë pasi krapi ka periudhën e shumimit.

"Sot bujqësia ka miratuar një vendim për sektorin e peshkimit për të ruajtur nivelet peshkore të të gjithë liqeneve dhe detërave tona në mënyrë që flota e peshkimit të respektojë dhe masat biologjike të peshkimit. Ky është vendim në përputhje me politikën europiane të peshkimit sa i përket ruajtjes dhe vënies në dispozicion të niveleve të rendimentit të qëndrueshëm për të zvogëluar zëniet e padëshiruara. Jemi në një sektor që ka pasur rritje të vazhdueshme, i rëndësishëm për nivelin e punësimit, për rritjen e eksporteve, kështu që do ta mbështesim dhe me një kuadër ligjor të nevojshëm që përafron nevojat e sektorit me BE por ruan mjedisin, ekologjinë dhe sistemet biologjike që të kemi mundësinë të shfrytëzojmë pasurinë tonë natyrore në përputhje me zhvillimit.

Dua të përmend dhe një urdhër të dalë nga Ministria e Bujqësisë për ruajtjen e niveleve për zënien e krapit që është përmendur dhe në media. Është urdhër normal i çdo viti për të mos peshkuar në liqenet ku krapi ka tani periudhën e shumimit, kjo bëhet për të ruajtur ekosistemin tonë detar", tha Krifca.

Ndërsa për shqetësimin që ngriti deputeti socialist Erion Braçe se gruri është në pikën kritike pasi duhet naftë për vaditje dhe pleh i lirë, Krifca tha se i janë gjendur pranë fermerëve pavarësisht se kriza ka goditur edhe bujqësinë. Sa i përket alarmit të shoqatave të përpunuesve për faliment pasi çmimi i qumështit të fermerit është rritur, Krifca tha se nuk ka dijeni për rrezikun e fabrikave.

“Kriza që ne po jetojmë ka prekur edhe bujqësinë. Jemi përballë rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, qeveria shqiptare i është gjendur fermerëve me mbështetje 3.7 miliardë lekë, kemi pasur skemën e mbështetjes së naftës. Kemi 7300 fermerë që janë aprovuar dhe 5600 prej tyre kanë marrë kartat e fermerit, pra e kanë marrë naftën dhe e kanë vënë në punë. Sa i takon imputeve bujqësore, jemi të varur nga çmimet ndërkombëtare, gruri ka nevoja për ujitje dhe kemi bërë investime të qenësishme. Për blegtorinë, ne plotësojmë nevojat për qumësht, duket sikur ne na duhet të importojmë por tani nevojat për qumësht i plotësojmë. Nuk kam dijeni për fabrikat në rrezik”, tha Krifca.


Lajmi kryesor:

Vendimet e Qeverisë/ Gati projektligji që do i japë mundësi spitaleve të kenë autonomi! Dixhitalizimi, vetëm 150 zyra të gjendjes civile të hapura në vend


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?