Vendimet e Qeverisë/ Gati projektligji që do i japë mundësi spitaleve të kenë autonomi! Dixhitalizimi, vetëm 150 zyra të gjendjes civile të hapura në vend

29 Prill 2022, 11:09| Përditesimi: 29 Prill 2022, 18:07

  • Share

Spitalet me performancë më të mirë, do të kenë autonomi. Projektligji u miratua sot nga Këshilli i Ministrave, ndërsa për Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, do të sjellë transformim të shërbimit spitalor.

Në një komunikim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Manastirliu shpjegoi se kjo autonomi do të vijë përmes kartës së performancës, pra do ta marrin spitalet që do të plotësojnë kriteret e vendosura.

"Miratohet projektligji për shërbimin spitalor, ku synohet të kalojmë në një nivel të ri transformimi të shërbimit spitalor. Ishte koha që ky projektligj të vinte, do kalojë për diskutime në komisionet parlamentare dhe do të sjellë një model të ri të shërbimit spitalor, atë të autonomisë spitalore. Autonomia spitalore vjen përmes kartës së performancës që plotësohet sipas kritereve që do vendosen nga këshilli i ministrave nga spitalet që kanë aftësi për ta përfituar kartën e performancës dhe të autonomisë spitalore. I hap rrugën autonomisë menaxheriale dhe financiare të spitaleve. Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve të kujdesit spitalor. Do të çojë në një eficienë më të mirë të fondeve, duke angazhuar të gjitha fondet dhe struktura të tjera dhe të gjithë strukturat e spitaleve në vend", tha ministrja.

Manastirliu shtoi po ashtu se do të ketë edhe një organizim spitalor kombëtar, që do të hartohet nga një komitet ekspertësh. Aplikimi i autonomisë spitalore do të fillojë brenda këtij viti me Spitalin Memorial në Fier

"Do kemi një planifikim spitalor kombëtar nëpërmjet një komiteti ekspertësh që do e hartojnë. Do kemi organizim duke filluar nga spitalet ditore, në ato bashkiakë, rajonalë, qendrat rajonale të spitaleve, do kemi spitale me shërbime të dedikuara me bazë rajoni. Do krijojmë polet rajonale të shërbimit spitalor në vend. Do jetë pikë kthese aplikimi i autonomisë spitalore, do fillojë me Spitalin Memorial në Fier. Vlerësojmë se do të fillojë brenda këtij viti", shpjegoi ajo.

Tjetër vendim i marrë sot është reduktimi i zyrave të gjendjes civile, që vjen si pasojë e kalimit të shërbimeve publike online, proces që do të nisë nga 1 maji.  Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sqaroi se do të jenë vetëm 150 zyra të gjendjes civile që do të qëndrojnë të hapura në të gjithë vendin, nga 390 që ishin.

Ora 18:04
Çfarë nënkupton autonomia spitalore, si bëhet akreditimi dhe kompetencat e spitaleve

Në projektligjin që qeveria propozon për ‘Shërbimin spitalor’ planifikohet autonomia spitalore.

‘Autonomi spitalore’ është një formë e decentralizimit, që adreson delegimin gradual të të drejtave të vendimmarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, si institucione të kujdesit shëndetësor publik.

Ligji parashikon “Kartën e Autonomisë Spitalore”, e cila garanton dhënien e autonomisë spitaleve publike, e cila jepet nga ministri përgjegjës për shërbimin spitalor, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Projektligji nënvizon se Autonomia, si pjesë integrale e menaxhimit të sistemit spitalor publik, garanton barazi, aksesueshmëri, cilësi, siguri dhe ofrimin e shërbimit shëndetësor në kohë për pacientin.

“Spitalet autonome organizohen në formën e personit juridik publik, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij”, thuhet në projektligj.

Qeveria parashikon 2 modele të autonomisë së spitaleve : a) Modeli i autonomisë menaxheriale garanton dhënien e autonomisë administrative, organizative dhe rregullatore të spitaleve publike, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore; b) Modeli i autonomisë financiare garanton transformimin e spitaleve publike në institucione që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit për shërbime të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe nga burime të tjera të ligjshme, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore.

Karta e autonomisë do të aplikohet në mënyrë të përshkallëzuar dhe të diferencuar për çdo spital, bazuar në plotësimin e kritereve për përfitimin e autonomisë spitalore, sipas një sistemi pikëzimi, që do të përcaktohet me urdhër të ministrit. Spitalet autonome aplikojnë modelin e pagesës, në bazë performance për personelin shëndetësor, bazuar në rregullat e përcaktuara me urdhër të ministrit.

Në nenin 18 të ligjit përcaktohen kriteret për përfitimin e autonomisë spitalore dhe thuhet se spitalet publike përfitojnë autonominë spitalore, pas përmbushjes së kritereve, të përcaktuara në rregulloren e autonomisë spitalore, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Rregullorja e autonomisë spitalore përcakton: a) kriteret specifike, që duhet të plotësojë një spital publik, që të përfitojë autonominë për secilin nga modelet e parashikuara në këtë ligj; b) procedurën e vlerësimit të plotësimit të kritereve për të përfituar autonominë; c) fushëveprimin dhe fushat e autonomisë që jepen; ç) periudhën e dhënies së autonomisë, sipas modelit.

Aplikimi pёr autonominë spitalore bёhet nga ana e spitaleve publike nё Ministrinё e Shёndetёsisё, nëpërmjet një formulari të veçantë, të miratuar me urdhër ministri, në të cilin pasqyrohen elementet formale të kërkesës. Dhënia e autonomisë spitalore bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe mbështetur në kërkesën e vetë spitalit dhe miratohet nga ministri.

Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin kontrata me palët e treta, me kompani private të sigurimeve, si dhe me spitalet jopublike për shërbime specifike mjekësore. Gjithashtu të lidhin marrëveshje me shërbimet diplomatike të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, për të ofruar shërbime për personelin e tyre vendor dhe të huaj.

Ora 11:27
Ministrja e Bujqësisë i përgjigjet Braçes për 'grurin': Kriza i ka goditur të gjithë, kemi bërë investime! Më vjen mirë që çmimi i fermerëve është rritur, nuk kam dijeni për fabrikat në rrezik

 

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca bëri me dije se në Këshillin e Ministrave se kanë marrë vendim për sektorin e peshkimit  në mënyrë që të shmangen zëniet e padëshirueshme. Krifca sqaroi se ka dalë dhe një urdhër si çdo vit nga Ministria e Bujqësisë për të mos lejuar peshkimin në liqene këtë periudhë pasi krapi ka periudhën e shumimit.

"Sot bujqësia ka miratuar një vendim për sektorin e peshkimit për të ruajtur nivelet peshkore të të gjithë liqeneve dhe detërave tona në mënyrë që flota e peshkimit të respektojë dhe masat biologjike të peshkimit. Ky është vendim në përputhje me politikën europiane të peshkimit sa i përket ruajtjes dhe vënies në dispozicion të niveleve të rendimentit të qëndrueshëm për të zvogëluar zëniet e padëshiruara. Jemi në një sektor që ka pasur rritje të vazhdueshme, i rëndësishëm për nivelin e punësimit, për rritjen e eksporteve, kështu që do ta mbështesim dhe me një kuadër ligjor të nevojshëm që përafron nevojat e sektorit me BE por ruan mjedisin, ekologjinë dhe sistemet biologjike që të kemi mundësinë të shfrytëzojmë pasurinë tonë natyrore në përputhje me zhvillimit.

Dua të përmend dhe një urdhër të dalë nga Ministria e Bujqësisë për ruajtjen e niveleve për zënien e krapit që është përmendur dhe në media. Është urdhër normal i çdo viti për të mos peshkuar në liqenet ku krapi ka tani periudhën e shumimit, kjo bëhet për të ruajtur ekosistemin tonë detar", tha Krifca.

Ndërsa për shqetësimin që ngriti deputeti socialist Erion Braçe se gruri është në pikën kritike pasi duhet naftë për vaditje dhe pleh i lirë, Krifca tha se i janë gjendur pranë fermerëve pavarësisht se kriza ka goditur edhe bujqësinë. Sa i përket alarmit të shoqatave të përpunuesve për faliment pasi çmimi i qumështit të fermerit është rritur, Krifca tha se nuk ka dijeni për rrezikun e fabrikave.

“Kriza që ne po jetojmë ka prekur edhe bujqësinë. Jemi përballë rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, qeveria shqiptare i është gjendur fermerëve me mbështetje 3.7 miliardë lekë, kemi pasur skemën e mbështetjes së naftës. Kemi 7300 fermerë që janë aprovuar dhe 5600 prej tyre kanë marrë kartat e fermerit, pra e kanë marrë naftën dhe e kanë vënë në punë. Sa i takon imputeve bujqësore, jemi të varur nga çmimet ndërkombëtare, gruri ka nevoja për ujitje dhe kemi bërë investime të qenësishme. Për blegtorinë, ne plotësojmë nevojat për qumësht, duket sikur ne na duhet të importojmë por tani nevojat për qumësht i plotësojmë. Nuk kam dijeni për fabrikat në rrezik”, tha Krifca.

Ora 11:22
Kalimi i shërbimeve online, reduktohen zyrat e gjendjes civile, vetëm 150 të hapura në të gjithë vendin

Kalimi i shërbimeve publike online ka reduktuar numrin e zyrave të gjendjes civile. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha sot se në vend do të jenë të hapura vetëm 150 sportele, nga nga 390 që ishin. 

“Sot miratuam reduktimin e zyrave të gjendjes civile, do ketë vetëm 150 zyra si pasojë e revolucionit digital për dhënien e shërbimeve publike, shërbimet do ofrohen vetëm onlinë. Do ketë 150 sportele për të marrë vetëm ato shërbime që duhet të jetë i pranishëm qytetari, të tjerat online", tha ai.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbërori: 29/04/2022 12:22

    Jo spitalet, por shëndetësia në nivel qendror duhet të ket autonomi! Nëse vetëm spitalet pëfitojnë këtë ”autonomi” atëher ka për qëllim vjedhjen dhe shkatrrimin e shendetësin në përgjithësi. Pse, sepse do futen aktorë nga jasht dhe do hapin spitale (serbia, rusia, Turku i ka, greqia e dreqi e i biri i dreqit) kurse mjek e specialist shqiptarë do mendimet jasht sistemit dhe do detyrohen jasht vendit ! Ky km është i qrregulluar mentalisht dhe kombtarisht…!

    Përgjigju
  • Kamela: 29/04/2022 12:21

    Kushtet ne spitale jane me te mira dhe per sa i perket stafit spitalor jane shume te pergatitur

    Përgjigju
  • Beni: 29/04/2022 12:19

    Me ne fund do mbyllen keto spotalet pasi ishin stres me vete sorrollatja qe te benin, lere pastaj koha e humbur

    Përgjigju
    • Genti!: 29/04/2022 14:05

      Ore sa mire bene, edhe te vdekurit vete do cregjistrohen ne e albania

  • Andi: 29/04/2022 12:06

    Vendimet e duhura duan pak kohe te meren po ja erdhi dita.Si shendetesia qe ka ndryshuar totalisht dhe pritet akoma te permiresohet dhe te behet ne nivele te larta si dhe portali E Albania qe po i zgjidh shume pune ne kohe me te shpejte se ato zyrat qe ne te vertete nuk sherbenin per asgje.

    Përgjigju
  • Paulin: 29/04/2022 11:53

    Vendime shume te mira si per permiresimin e cilesise se sherbimit shendetesor ashtu dhe per digjitalizimin e vendit. Mezi pres per digjitalizimin se tani sdo rrim me ne rradhe te gjata

    Përgjigju
  • Islam: 29/04/2022 11:49

    Digjitalizimi eshte nje ide shume e mire.Na lehteson punen dhe nuk kemi pse presim me ne radhe per te aplikuar apo per te marre nje dokument.Kursejme dicka nga korrupsioni ,kursejme nerva e stres dhe kohe.Faleminderit shtetit qe na e mundesoi kete platforme!

    Përgjigju
  • redi: 29/04/2022 11:46

    vemendja e kushtuar kunddrejt shendetesise eshte vertet nje super levizje pasi shendetesia eshte jetike dhe duhet te jete me standarte te larta

    Përgjigju
  • Armenda Mance: 29/04/2022 11:43

    Digjitalizimi na duhej. Mir kan ber qe e kan ven ne zbatim

    Përgjigju
  • Elton: 29/04/2022 11:43

    Infrastruktura e spitaleve ka ndryshuar shume gjate qeverisjes tuaj . Sherbimi ne spitale eshte me i mire dhe kushtet janë më cilesore

    Përgjigju
  • Frenki: 29/04/2022 11:42

    Eshte gje pozitive sepse nuk do sorollatemi me neper zyra

    Përgjigju
  • Ganiu: 29/04/2022 11:42

    Shendtetsia eshte transformuar totalisht

    Përgjigju
  • Ermira: 29/04/2022 11:41

    Digjitalizimi mundesi shum e mire per ne qe jemi ne puna dhe mezi na del koha te shkojm ne sportele te marrim ndonje certifikat qe do na duhet

    Përgjigju
    • Genti!: 29/04/2022 14:07

      Po certifikata nuk te duhet me, kot sa do e maresh

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?