Ministrja e Kulturës në Kosovë letër ngushëllimi familjes Ljarja: Dhe ne rritur me filmat e tij, një humbje e madhe

21 Prill 2020, 14:34| Përditesimi: 21 Prill 2020, 14:37

  • Share

Mesazheve të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit Rikard Ljarja ka dhënë edhe ministrja Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Vlora Dumoshi. Ajo i ka dërguar një letër familjes Ljarja, ku vlerëson maksimalisht kontributin e Rikardit në kinematografinë shqiptare. "Jemi rritur me veprat e tij edhe ne në Kosovë", thotë Dumoshi, me role që nuk do të harrohen kurrë.

 "Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj Rikardit, aktorit, regjisorit dhe skenaristit tonë të madh, që la gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare. Puna, kontributi dhe angazhimi i tij, në fushën e teatrit dhe sidomos të kinematografisë, e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.

Ai me shumë punë dhe dashuri për artin, e ngriti kulturën shqiptare në një nivel tjetër. Ne në Kosovë, jemi ushqyer me kulturën shqiptare nëpërmjet veprave të cilat na ka sjellë Rikardi bashkë me shumë aktorë e artistë tjerë shqiptarë. Jemi rritur me filmat ku protagonist ka qenë ai. Nga shumë filmat që Rikardi mori pjesë, nuk mund të harrohen dot “Rrugët e bardha”, “Pesha e kohës”, e shumë filma të tjerë si dhe angazhimi i tij në teatrin “Migjeni” i cili ishte një thesar në mesin e xhevahireve të tjerë që kishte Shkodra.

 Vdekja e tij është humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i veprave filmike që ai la pas vete, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë. Fizikisht, ai nuk do të jetë më i pranishëm me ne, por do të kujtohet gjithmonë përmes veprës shumë të çmuar dhe me vlerë që la pas. E nderuara familje Ljarja, të dashur miq të tij, i tërë komuniteti artistik mbarëshqiptar, pranoni ngushëllimet e mia më të përzemërta. I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu", shkruan Dumoshi.


Lajmi kryesor:

Ndarja nga jeta e Ljarjas/ Meta: Lajm pikëllues! Ruçi: Jemi rritur me rolet e tij...Braçe: Një duartrokitje e madhe për artin tënd, Rikardi i madh


B.K./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?