Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zbardhi detaje të marrëveshjes së arritur me Bankën Botërore, që do të financojë 65 milionë euro në sektorin e bujqësisë në Shqipëri.
Në konferencën për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Krifca e cilësoi këtë financim strategjik të BB për Shqipërinë, një tjetër sinjal të fortë mbështetje që qeveria i jep fermerit, agropërpunuesit dhe eksportuesit shqiptar.
Ajo tha se, “falë kësaj marrëveshje mbështesim direkt fermerët e vegjël, duke lehtësuar daljen e prodhimit të tyre në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare, uljen e kostove të prodhimit, modernizimin e bujqësisë shqiptare, çka sjell eventualisht rritjen e konkurrueshmëris dhe eksporteve tona”.
Krifca informoi se, së pari, do të financojmë zgjerimin e rrjetit të ujitjes dhe kullimit në territorin tonë bujqësor, duke përdorur metodat dhe teknologjitë më efektive në dispozicion.
Pothuajse 27 milionë euro investim do të shkojnë për modernizimin apo ndërtimin e sistemeve të vaditjes në një territor prej mbi 23 mijë hektarësh në zonën e Divjakës, Konispolit, Lushnjes dhe kullimit në rreth 10 mijë hektarë të zonës së Semanit, Darzezës dhe Hoxharës.
Gjithashtu, vijoi ajo në 27 stacione aktuale të kullimit do të instalohen panele diellore, duke i bërë ato të vetmjaftueshëm dhe pavarur nga rrjeti i energjisë elektrike, çka i kursen buxhetit të shtetit gjysmë milionë euro çdo vit.
Ministrja theksoi se, nga ky investim përfitojnë direkt dhjetëra mijëra fermerë.
“Do të ngrihet një zinxhir prej pesë qendrash rajonale në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, të të ashtuquajturës “Mikro Food Hub”, platforma që lidhin direkt restorantet dhe rrjedhimisht konsumatorin, me prodhuesit e vogël. Këto platforma do të lejojnë gjithmonë e më shumë fermerë që të prodhojnë një produkt të standartizuar, në përputhje me nevojat e tregut dhe me shitje të garantuar 100% që fazën e kultivimit”, u shpreh Krifca.
Sipas saj, duke bërë këtë ndërlidhje, ky investim prej 14 milionë eurosh do të mbështesë direkt rritjen e prodhimit, eksporteve dhe të ardhurave.
Gjithashtu theksoi ministrja, 20 milionë euro të këtij financimi do të fuqizojnë sigurinë ushqimore, përmes rehabilitimit të infrastrukturës së laboratorëve tanë kufitarë, në doganën e Bllatës, Kakavijës, Kaptshticës, Qafë Botës, Qafë Thanës dhe Vlorës.
Sipas saj, ky investim ka një qëllim të dyfishtë.
“E para, rrit më tej sigurinë për konsumatorin shqiptar, duke kryer në kohë reale dhe me efikasitet të plotë analizat për mallrat ushqimore të importuara dhe së dyti, përafron standardet tona me ato të Bashkimit Europian duke lehtësuar rritjen e eksporteve jo vetëm në Europë, por në mbi 80 vendet që aktualisht realizojmë shkëmbime tregtare në fushën bujqësore”, u shpreh Krifca.
Ministrja u ndal edhe në një fushë tjetër ku do të adresohet mbështetja e BB, që siç tha ajo, “e fundit, por jo nga rëndësia, pasi e gjithë kjo paketë strategjike mbështet inovacionin, zinxhirin e plotë të vlerës, forcimin e bujqësisë së bazuar në dije dhe disa sektorë, siç është ai i prodhimit të vajit të ullirit”.
Ministrja u ndal edhe në vendimin e fundit të Qeverisë shqiptare, që tashmë ofron mbështetje financiare prej 40 000 lekë në muaj për studentët e rinj që zgjedhin të studiojnë në disa programe prioritare, ku përfshihet edhe dega e Bujqësisë.
Ajo i ftoi të rinjtë që janë përpara zgjedhjes për Universitetet që ti bashkohen Bujqësisë, si një mundësi shumë e mirë për sipërmarrje të reja në gjithë spektrin që ofron zhvillimi rural, duke kontribuar kështu për ekonominë e tyre dhe të vendit.
Lajmi kryesor:
Studentët e Mjekësisë që nisin këtë vit shkollën, duhet të punojnë 5 vite këtu që t'u jepet diploma! Rama: Firmosni marrëveshjen, s'keni zgjidhje tjetër
G.MO//ReportTv.al