Shqipëria bëri bujë me emërimin si vendi i parë në botë të një ministreje me inteligjencë artificiale të quajtur Diella.
Por për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, ministrja virtuale është një akt skandaloz në historinë e Shqipërisë dhe emërimi i saj për prokurimet publike do të përdoret për të hequr përgjegjësinë nga vjedhjet.
Në konferencën për shtyp nga selia blu, Berisha tha se prapa ministres virtuale Diella fshihet Kryeministri Rama.
“Fatmirësisht, pas momentit të parë, mediat ndërkombëtare filluan ta kuptojnë se Diella e Edi Ramës quhet ndryshe vjedhja e Edi Ramës. Se prapa Diellës nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse largimi i çdo përgjegjësie përmes vjedhjes dhe vjedhja përmes Diellës. Edi Rama u diskreditua personalisht shumë me AKSHI-n, sepse AKSHI u faktua si një kopsht i familjes së tij. Edi Rama është autor dhe bashkautor i dosjeve më të rënda korruptive të vendit, djegësave, aferës Al Alabar, tunelit të Llogarasë, aferave energjetike, etj. Tashmë Edi Rama gjeti zgjedhje, që përgjegjësia të mos ketë autor më. Dhe për të mos pasur përgjegjësia autor, ai krijoi Diella Ramën. Nuk ka turp më të marrë sesa presidenti të dekretojë... Nuk ka fyerje më të madhe për sovranin sesa të ketë përfaqësues diçka që nuk ekziston, e përdorur vetëm për të vjedhur paratë e qytetarëve. Pra, për ta përmbledhur. Diella është anëtarja më e fundit dhe më e ngushtë e familjes Rama. Kjo është Diella e dekretuar nga Bajram Begaj”.
Berisha akuzoi edhe Presidentin Bajram Begaj që dekretoi një ministër virtual, duke mos përmbushur asnjë ligj të Kushtetutës.
“Personazhet e ricikluara të këtij pushteti janë një ogur i zi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, para se të ndalem tek personazhet reale, do të ndalem tek Diella Rama, e cila përbën dhe aktin më skandaloz në historinë e një shteti. Një president republike, për të dëshmuar që nuk ka Kushtetutë dhe as ligj, për të dëshmuar që është një skllav mjeran i akteve të tij të paligjshme, për të dëshmuar se është i nënshtruar totalisht, turpëroi Kushtetutën, turpëroi Kushtetutën duke dekretuar si ministri Diellën virtuale. Dhe duke e dekretuar atë në një dekret me kryeministrin, në një akt të pashembullt”.
Presidenca sqaroi se Bajram Begaj dekretoi vetëm Edi Ramën si Kryeministër, ndërsa në të njëjtin dekret i la edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale.
Komente
