Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-21

Sport

Miqësorja kundër San Marinos, Bushi: Për ne është si një ndeshje Evropiani, i kënaqur me grupin e futbollistëve që kam

4 Tetor, 15:23| Përditesimi: 4 Tetor, 15:26

  • Share

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, foli pas publikimit të listës me 21 lojtarë të ftuar për ndeshjen miqësore ndaj San Marinos, që do të luhet më 10 tetor, në stadiumin “Air Albania”, në orën 17:00.

Tekniku kuqezi shpjegoi zgjedhjet e tij, duke komentuar edhe mungesat e detyruara për shkak dëmtimi të futbollistëve si Rashica, Muça, Alili dhe Osmani.

“Janë lojtarë kryesorë, që kanë qenë gjatë gjithë kohës bazë. Lojtarë formacioni, shumë të rëndësishëm për ne. Do të ishte mirë që t’i kishim në ekip, sepse ne jemi një ekip që nuk kemi shumë kohë për të ndenjur me njëri-tjetrin dhe çdo mundësi që na jepet në çdo grumbullim, mundohemi që të forcohemi sa më shumë, si nga ana e lojës, ashtu edhe nga ana e kolektivit dhe atmosferës.

Por lojtarët që kanë ardhur, që nuk kanë qenë herën e kaluar, janë të nivelit të mirë, lojtarë që mendoj se do të bëjnë mirë, dhe ndeshja me San Marinon është një sfidë që të jep mundësinë të shprehësh potencialin që ke”, tha Bushi, i cili u shpreh i kënaqur me grupin aktual të lojtarëve, duke theksuar rëndësinë e disiplinës dhe përqendrimit në çdo grumbullim. Ai shtoi se ndeshja ndaj San Marinos është një mundësi për çdo lojtar për të treguar veten.

“Ne, si trajnerë të ekipit kombëtar, e kemi shumë të vështirë sepse pothuajse kemi ndeshje një herë në dy muaj dhe lojtarët janë në aktivitet në klubet e tyre. Sa herë që vijnë, u kërkoj të japin maksimumin, sepse i gjithë stafi i U-21 është dy muaj duke pritur një ndeshje dhe nuk lejoj asnjë tolerim, si nga ana e disiplinës, ashtu edhe nga ana taktike.Por gjithnjë, gabimet në mendim janë shumë problem, ose nënvlerësimi i kundërshtarit.

Këto gjëra nuk duhet t’i lejojmë në ekip, sepse ne jemi ekip që jemi kualifikuar në Europian si vend organizator, dhe çdo ndeshje miqësore për ne është Europiani, edhe San Marino është Europiani. Unë do të shikoj në këtë ndeshje se cili lojtar është i denjë për të luajtur në Europian. E dinë shumë mirë që nga kjo ndeshje varet shumë edhe prezenca e tyre në ndeshjet e ardhshme”, tha ai.

Trajneri Bushi u ndal edhe te kundërshtari, duke theksuar se çdo miqësore për Shqipërinë U-21 ka peshën e një ndeshjeje Europiani.

Ai vlerësoi karakterin e grupit, përkushtimin dhe përmirësimin e lojtarëve në ndeshje të forta si ato ndaj Gjermanisë dhe Zvicrës, ndërsa nënvizoi rëndësinë e tifozëve në përballjen ndaj San Marinos.

“Me grupin jam shumë i kënaqur. Janë lojtarë të përulur që japin maksimumin, nuk kemi asnjë problem nga kjo anë. Lojtarë me kualitet të mirë, por po përmirësohen dhe po rriten dita-ditës.

Kemi bërë dy ndeshje me Gjermaninë dhe Zvicrën, të mira. Pavarësisht nga humbja, ne kemi qenë në lojë deri në minutën e 90-të. Kjo tregon që ne jemi ekip që jemi aty dhe pretendojmë të ndeshemi me çdo lloj kundërshtari dhe të ballafaqohemi ashtu siç duhet. Jam shumë i kënaqur për këtë. Mendoja se ky grup do ta kishte pak me vonesë ambientimin dhe konkretizimin e gjërave, por e kanë bërë shumë shpejt. Për këtë jam shumë i kënaqur.

 E pres edhe ndeshjen me San Marinon, pavarësisht se kundërshtari është modest. Për ne nuk ka asnjë kundërshtar modest, janë gjithmonë ndeshje Europiani, këto miqësore.

Ndeshja është në “Air Albania”, orari është i përshtatshëm, mendoj që tifozët duhet të vijnë. Shqipëria është në Europian dhe rëndësi ka që të ketë tifozë që t’i mbështesin, sepse është një ekip që ka nevojë për mbështetje”, përfundoi trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?