Miratohen koncesionet për rrugët Milot-Balldren dhe Orikum - Llogara, opozita e re kundër

18 Korrik 2019, 19:19| Përditesimi: 18 Korrik 2019, 20:15

  • Share

1563470368_parlament.jpg
Kuvendi ka miratuar dy kontratat koncesionare për rrugët Orikum - Llogara dhe Milot - Balldren me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa opozita e re votoi kundër.

Votimet në Kuvend për dy kontratat
Miratohet me 78 pro, 26 kundër, 4 abstenim projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum - Llogara”, sh.p.k. për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve - By-Pass Orikum - Dukat (Ura e Shën Elizës)”.

Miratohet me 78 pro, 26 kundër, 4 abstenim projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot - Balldren”.

Milot-Balldren
Kontrata e parë është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren. Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, por ministria ka sqaruar se nuk është fjala vetëm për ndërtimin, por në kosto përfshihet edhe mirëmbajtja për shumë vjet. Sipas dokumenteve të tenderit, kompania ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet. Milot-Balldren është vepra e tretë e paketës 1 miliard euro, e lindur si një koncesion i pakërkuar, pra jo si projekt i qeverisë, por i propozuar nga vetë kompania ANK. Edhe këtë radhë, ashtu si në dy herët e mëparshme, tenderi është fituar nga kompania që ka bërë ofertën e pakërkuar të koncesionit. Më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte shprehur publikisht shqetësimet se këto koncesione kufizojnë konkurrencën duke paracaktuar fituesit.

Orikum-Dukat
Kontrata tjetër është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k. për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)””. Ky projekt parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total, kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro. Në këtë shumë përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugës, e cila e do të ketë gjerësi 7 metra, me dy korsi. Së bashku me bankinën, gjerësia e seksionit të rrugës arrin në 10 metra. Megjithatë, kjo rrugë nuk do të përfshihet në asnjë nga kategoritë kryesore të rrugëve. Por Ministria e Infrastrukturës ka thënë se shpejtësia e lëvizjes në të është projektuar mes 60-80 kilometra në orë. Kontrata koncesionare për ndërtimin e kësaj rruge do të jetë e ngjashme me disa vepra të tjera. Për tre vitet e para, kompania Gjikuria do të shpenzojë 25% nga fondet e saj për ndërtimin e rrugës dhe më pas fillon shlyerja.


Lajmi kryesor:

Nga Kodi Penal, te ligjet e drejtësisë, koncesionet e Balldrenit dhe Orikumit/ 16 ligjet e miratuara dhe ata që u shtynë


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?