Të gjitha llogaritë bankare dhe kasetat e sigurisë ku janë të vendosura sende me vlerë të qytetarëve do të grumbullohen në një regjistër qendror dhe do të kontrollohen nga institucionet tatimore. Komisioni i Ligjeve miratoi projektligjin “Për Regjistrin Qendror Të Llogarive Bankare”, që ka për synim parandalimin e pastrimit të parave.
“Qëllim kryesor ka parandalimin e përdorimit të sistemit bankar për pastrimin e parave, parandalimin e financimit të terrorizmit. Ky është një regjistër që do të përdoret për tëparandaluar financimin e terrorizmit si dhe për të lehtësuar procedurat për të mbledhur detyrimet tatimore”, u shpreh zëvendësministrja Vasilika Vjerro.
Çdo informacion do të ruhet në regjistrin që do të ngrihet nga AKSHI deri në 10 vite.
“AKSHI do të krijoj regjistrin dhe administrata tatimore do ta administrojë atë dhe do të vendos edhe aksesin në regjistër për subjektet që janë të parashikuar në draft, si dhe do të japë informacion me kërkesë që sipas ligjit kanë të drejtë ta marrin këtë institucion. Drejtoria e parandalimit parave ka akses të drejtpërdrejtë të dhëna. Është një regjistër që do të përdoret për gjurmimin e pasurive të dyshuara dhe detyrimeve në fushën tatimore dhe doganore”, pohoi Vjerro.
Zëvendësministrja Vasilika Vjerro shpjegoi edhe çfarë të dhënash do të përmbajë regjistri.
“Regjistri nuk përmban të dhëna lidhur me gjendjen e llogarisë bankare dhe të dhëna se çfarë përmban kaseta e sigurisë.Raportimi i parë i të dhënave nga institucionet financiare do të bëhet për llogaritë bankare, dhe kasat e sigurisë të mbyllura në 5 vitet e fundit”, sqaroi zëvendësministrja.
Peshë të madhe në mbarëvajtjen e këtij procesi kanë institucionet financiare, të cilat do të ndëshkohen me gjoba nëse bëjnë raportim të rremë të dhënave të llogarive bankare.