Shëndeti

Mjekja Klodeta Grosha për Klinika 24: Ja si kuptojmë nëse vuajmë nga apnea e gjumit, shkaqet, simptomat dhe trajtimi

5 Korrik, 22:51| Përditesimi: 5 Korrik, 23:04

  • Share

E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte doktoresha Klodeta Grosha, mjeke pneumologe nga Spitali Amerikan numër 3 në Kryeqytet.

Ajo ndau me publikun informacione të rëndësishme mbi apnenë e gjumit, një problem shëndetësor që ndikon thellë në cilësinë e jetës së pacientëve.

Apnea e gjumit është një çrregullim i ritmit normal të frymëmarrjes gjatë gjumit. Pacientët që vuajnë nga kjo gjendje përjetojnë bllokime të përsëritura të rrugëve të frymëmarrjes, gjë që i bën ata të ndalen së marrë frymë për një periudhë të shkurtër. Si pasojë, kur zgjojnë në mëngjes, ata ndihen shumë të lodhur dhe pa energji, pavarësisht orëve të gjumit që kanë kaluar.

Një simptomë e zakonshme e apnesë është edhe gërhitja e zhurmshme, të cilën shpesh e vërejmë nga partneri në shtrat. Partneri shpesh është ai që vëren ndalesat e frymëmarrjes, pasi pacienti vetë nuk ka vetëdije për këto episode.

Apnea e gjumit është më e zakonshme tek meshkujt, ndërsa tek femrat para menopauzës është më pak e shpeshtë, por rreziku rritet pas menopauzës.

Për të diagnostikuar apnenë e gjumit, së pari duhet bërë një anamnezë e detajuar e pacientit. Mjeku kontrollon faktorë si mbipesha, forma dhe përmasa e qafës, si dhe simptomat klinike që përfshijnë gërhitjen e fortë, ndjesinë e fytit të thatë në mëngjes, djersitjen natën dhe ndjenjën e lodhjes gjatë ditës.

Në disa raste, trajtimi mund të përfshijë edhe ndërhyrje kirurgjikale për heqjen ose zvogëlimin e pengesave që shkaktojnë bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes. Megjithatë, trajtimi fillestar përfshin ndryshime në stilin e jetës, përdorimin e pajisjeve për frymëmarrje (CPAP) dhe monitorimin e vazhdueshëm nga specialistët.
Doktoresha Grosha theksoi rëndësinë e një kontrolli të hershëm dhe të plotë mjekësor për çdo person që dyshon se mund të ketë këtë çrregullim, pasi apneja e gjumit, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në probleme serioze shëndetësore si hipertension, sëmundje të zemrës dhe lodhje kronike.

Në fund, ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mos injorojnë simptomat dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore sa më shpejt të jetë e mundur.

Ora 23:02
Infermieri i ri Fabion Aliaj rrëfen pasionin për profesionin: Kam zgjedhur të qëndroj këtu, për të ndihmuar njerëzit!

I ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte Fabion Aliaj, një infermier i ri, i cili sapo ka përfunduar studimet e larta në fushën e infermierisë.

Në një intervistë të sinqertë dhe frymëzuese, ai ndau me publikun historinë e tij personale, pasionin e hershëm për këtë profesion fisnik dhe vendimin për të ndërtuar karrierën e tij në Shqipëri.Fabioni rrëfeu se dëshira për t'u bërë infermier ka lindur që në fëmijëri.

“Që i vogël e kam dashur këtë profesion. Më tërhiqte ideja për të ndihmuar njerëzit, për të qenë aty në momentet më delikate të jetës së tyre, kur kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe kujdes,” tha infermieri.

Ai foli gjithashtu për ndjesinë e përgjegjësisë që e shoqëron çdo ditë në këtë punë, duke theksuar rëndësinë e të qenit i përkushtuar, i saktë dhe i kujdesshëm në çdo veprim.

“Ky profesion nuk është vetëm një punë, është një mision. Gabimet nuk lejohen, sepse kemi të bëjmë me jetën e njerëzve,” u shpreh Fabioni.

Një nga momentet më të veçanta që ndau gjatë intervistës ishte rasti i pacientit të tij të parë: një person që kishte pësuar një pickim nga një bletë, duke përjetuar një reagim alergjik të rëndë që çoi në një situatë emergjente.

“Ishte hera ime e parë që përballesha me një rast të tillë dhe kuptova sa i rëndësishëm është reagimi i shpejtë dhe i saktë i një infermieri. Ai rast më dha më shumë besim dhe më bindi se jam në rrugën e duhur,”  kujtoi ai.

Fabioni ndau edhe arsyet që e çuan të marrë një vendim të rëndësishëm: të qëndrojë në Shqipëri dhe të mos largohet si shumë bashkëmoshatarë të tij që zgjedhin të emigrojnë për një jetë më të lehtë ekonomikisht.

“Kam zgjedhur të qëndroj këtu. Mendoj se ka më shumë vlerë të jap kontributin tim aty ku njerëzit kanë më shumë nevojë. Edhe pse sfidat janë të shumta, kënaqësia që merr kur ndihmon dikë është e pamatshme,” tha ai me bindje.

Në fund të intervistës, Fabioni foli edhe për përvojat e vështira që ka kaluar gjatë praktikave dhe punës së parë si infermier, duke përmendur traumat e shumta që ka hasur, sidomos gjatë periudhave të verës kur numri i aksidenteve rritet ndjeshëm.

“Ka raste që të mbeten në mendje për gjithë jetën, por çdo ngjarje të bën më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat që të presin në këtë profesion,” përfundoi ai.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?