Vendi ynë është në mes të një vale të re të COVID dhe niveli i transmetueshmërisë së virusit në popullsi është shumë e lartë. Kjo u bë me dije nga mjeku Alban Ylli, anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve, në një lidhje me Skype për 'Repot Tv', ku tha se megjithatë, fatmirësisht numri i fataliteteve, nuk ka patur rritje të madhe.
"Është një valë e re e COVID në Shqipëri, ishte një valë e pritshme, kemi menduar se në shtator do të kishim një valë të tillë, filloi pak më shpejtë dhe tani jemi në mes të kësaj vale. Risku për t'u prekur nga COVID në Shqipëri është shumë i lartë dhe nga pikëpamja e rasteve të reja të hasura çdo ditë, kategorizohet si gradë e 4, shumë e lartë, nga pikëpamja e fataliteteve jemi mirë, nuk ka numër të lartë viktimash. Jemi duke identifikuar raste pozitive 1 në çdo 10 persona të testuar", tha ai.
Sipas mjekut, pandemia nuk ka përfunduar, ndërsa vuri edhe njëherë theksin te vaksinimi, si e vetmja mënyrë për të kontrolluar pandeminë dhe për të shpëtuar jetë njerëzish. Ylli tha se janë mbi 1 mijë jetë të shpëtuara falë vaksinës, por shton se ka potencial për një shtrirje më të gjerë të vaksinimit. Ai theksoi se 95% e personave të vaksinuar, nuk janë prekur nga virusi, duke shtuar se të gjitha vaksinat e miratura deri më tani, kanë efikasitet thuajse të njëjtë. Për personat që hezitojnë të vaksinohen, nga frika e ndonjë komplikacioni, mjeku tha se ky rrezik është i papërfillshëm dhe thuajse inekzistent.
"Pandemia nuk ka përfunduar, risku është i lartë. Vaksinimi ka ndihmuar shumë, janë mbi 1 mijë jetë të shpëtuara nga vaksinimi dhe janë në lojë edhe 1 mijë jetë të tjera për t'u shpëtuar nëse duam ta quajmë pandeminë në kontroll të plotë. Duhet të shtojmë vaksinimin, masat e tjera vetëm e shtyjnë në kohë riskun për t'u infektuar. janë rreth 3% që janë vaksinuar me 2 doza dhe 8% e tyre me një dozë që janë infektuar, pra një shifër e mesatarizuar do të ishte 5% e personave që janë infektuar, kanë qenë të infektuar. Është në shifër e pranueshme, mos harrojmë që janë 27% e popullsisë që është vaksinuar, që dëshmon se 95% e personave të vaksinuar, nuk janë infektuar. Vaksinimi më e mirë, më e sigurt për të parandaluar virusin. Personat e vaksinuar e kanë riskun 30 herë më të ulët se të pavaksinuarit. Nuk ka asnjë dyshim se cilado prej vaksinave ka një efikasitet të mirë për të parandaluar sidomos shtrimet në spital dhe vdekjet. Dallimet brenda llojeve të vaksinave janë shumë të vogla. Sa i përket rrezikut që disa njerëz perceptojnë te vaksinat, janë krejtësisht të papërfillshme. Medikamentet apo mënyrat e kontrollit të sëmundjeve, vaksinat janë me më pak risk. Ato risqe janë të papërfillshme dhe pa një rrezik real për jetën e tyre. Ritmet e vaksinimit po ecin mirë, me 10 mijë të vaksinuar në ditë, por potenciali është për 20 mijë", shtoi Ylli .
I pyetur nëse masat anti-COVID, që u bënë me dije një ditë më parë nga komiteti i ekspertëve, duhej të ishin marrë më herët, mjeku tha se ato po aplikohen në kohën e duhur, pasi vera ka qenë mjaft e qetë në aspektin e qarkullimit të virusit.
"Ky vit do të ishte viti i vaksinimit dhe këtë e kemi ritheksuar, vaksinimi do të ishte mënyra më e thjeshtë për të kontrolluar pandeminë, masat e tjera do të bëheshin dytësore. Muajt e verës kanë qenë nën kontroll, kemi patur një nivel shumë të ulët të qarkullimit të virusit. Bllokimi i të gjithë shoqërisë ka kosto shumë të lartë, ishin të arsyeshme vitin e kaluar, por këtë vit bëhen gjithnjë më të vështira për shoqërinë dhe ekonominë dhe besojmë se ka qenë momenti i duhur për ashpërsimin e masave. Kemi marrë masat që besojmë se janë më të arsyeshmet dhe më të rëndësishmet janë ato që inkurajojnë vaksinimin", theksoi mjeku.
Ylli paralajmëroi se me shumë gjasa na pret një vjeshtë e vështirë, teksa shton se strategjia që do të ndiqet, do të jetë e njëjtë me atë të një viti më parë për hapjen e spitaleve rajonale si spitale COVID. Megjithatë ai thekson se momentalisht, situata në spitale është e qetë.
"Strategjia është e ngjashme me atë të vitit të kaluar për hapjen e spitaleve COVID dhe më pas atyre rajonale për të përballuar situatën. Për momentin ende nuk duket të ketë ndonjë krizë me numrin e të shtruarve në spitale, por të mos neglizhojmë, të jemi të përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm. Kjo vjeshtë mund të jetë e vështirë. Jemi në një fazë të avancuar të pandemisë", u shpreh ai.
Si pasojë e rritjes së rasteve pozitive me COVID, Komitetit Teknik i Ekspertëve njoftoi dje ashpërsimin e masave anti-COVID. Vaksina do të jetë e detyruar për stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët! Këto grupe duhet ta kenë marrë vaksinën brenda datës 30 shtator. Nga data 1 shtator ora policore do të zgjatet duke filluar në 23:00 deri në 06:00, jo më në 24:00. Po ashtu, masa të reja do të aplikohen dhe në pikat kufitare të Shqipërisë, ku qytetarët duhet të plotësojnë 3 kushte. Kush hyn në vendin tonë nga 6 shtatori duhet të paraqesë pasaportë vaksinimi, test negativ brenda 72 orëve ose provë që kanë kaluar COVID. Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.