Shëndeti

Mjeku ortoped Edvin Priftaj për ‘Klinika 24’: Nëse ndërhyhet në kohë me terapi bashkëkohore, nekroza avaskulare mund të kurohet

28 Qershor, 21:36| Përditesimi: 28 Qershor, 22:35

  • Share

Në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, u trajtua një nga problematikat më të shpeshta që prek kockat, sidomos te personat mbi 35 vjeç: nekroza avaskulare.

I ftuar për të folur mbi këtë temë ishte mjeku ortoped Edvin Priftaj, i cili ndau me publikun informacione të rëndësishme rreth shkaqeve, simptomave dhe trajtimeve më të fundit për këtë patologji.

Sipas dr. Edvin Priftaj, nekroza avaskulare është një gjendje ku indi kockor fillon të vdesë për shkak të mungesës së furnizimit me gjak. “Në këtë rast, ne e quajmë ‘vdekje të indit kockor’, një proces i heshtur, që shpesh nuk jep sinjale në fazat e para, por që me kalimin e kohës sjell pasoja të rënda për strukturën dhe funksionin e kockës”, – tha ai.

Nekrozat avaskulare mund të shfaqen në shumë pjesë të trupit: në kyç, në kokën e femurit, në pjesën e legenit dhe shpesh janë të lidhura me dhimbje që fillimisht mund të ngatërrohen me lodhje apo dëmtime të zakonshme.

Sëmundja është më e zakonshme te meshkujt dhe prek më shpesh personat mbi 35 vjeç, por nuk përjashtohen as moshat më të reja, veçanërisht nëse kanë faktorë të rrezikut.

“Shkaku i saktë mbetet ende i panjohur,” – tha mjeku – “por në shumë raste identifikohen faktorë që mund të nxisin këtë proces, si: disa lloje anemish, mbipesha dhe obeziteti, përdorimi i tepruar i alkoolit dhe duhanit, por edhe faktorë gjenetikë apo trauma të përsëritura në nyje’, tha ai.

Ai shtoi se bëhet fjalë për një sëmundje multifaktoriale, ku ndërlidhen aspektet metabolike, vaskulare dhe inflamatore të organizmit.

Nekroza kalon zakonisht në tre faza, që mund të zgjasin nga disa muaj deri në disa vite. Prandaj, sipas Priftajt, diagnostikimi i hershëm është çelësi i suksesit në trajtim.

'Nëse ndalohet procesi që në fazat e para, shmanget dëmtimi i përhershëm i kockës dhe mund të parandalohen ndërhyrjet kirurgjikale më të rënda,” – u shpreh ai.

Në raste më të avancuara, ndërhyrja kirurgjikale është një ndër opsionet për të ndaluar përparimin e dëmtimit, por mjeku vuri theksin tek trajtimi me terapi hiperbarike, si një risi që po jep rezultate premtuese.

“Terapia me oksigjen hiperbarik konsiston në dërgimin e pacientit në një dhomë speciale ku thith oksigjen të pastër në presion të lartë. Ky proces stimulon ndjeshëm qarkullimin e gjakut dhe formimin e enëve të reja, duke ndihmuar në rigjenerimin e zonave të prekura nga nekroza dhe artroza,” – shpjegoi ai.

Sipas tij, kjo terapi ndihmon në zvogëlimin e inflamacionit, përmirësimin e oksigjenimit të indeve dhe rritjen e aftësisë shëruese të organizmit.

 “Inflamacioni e fut trupin në një rreth vicioz. Nëse nuk ndërhyjmë për ta ulur, dëmtimet vetëm përparojnë. Terapia hiperbarike është një ndër mënyrat më efektive për të dalë nga ky rreth,” – tha ai.

Në fund, mjeku ortoped Edvin Priftaj theksoi se ndërhyrja në kohë është vendimtare.

“Çdo pacient që ndjen dhimbje të vazhdueshme në zonën e kyçeve apo të legenit, duhet të këshillohet me mjekun specialist dhe të mos presë që gjendja të përkeqësohet. Nëse kapet herët, artroza dhe nekroza avaskulare janë të menaxhueshme dhe madje të shërueshme në disa raste’, tha ai.

Ora 21:45
Trajnerja e fitnesit Rudina Laka: Gjatë shtatzënisë, nënat mund të frekuentojnë palestrën

E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte Rudina Laka, trajnere fitnesi për nënat shtatzëna dhe mamitë me bebe të vegjël. Në Shqipëri duhet ende shumë punë për të larguar informacionin e pasaktë mbi gratë shtatzëna. Duhet që të gjitha vajzat shtatzëna të kenë një aktivitet fizik, që ndihmon për të mos marrë më shumë peshë se norma. Pra, rëndësia e aktivitetit fizik si para ashtu edhe pas lindjes është shumë e madhe.

Një nënë që ka marrë peshën e duhur para shtatzënisë, e ka shumë të thjeshtë që ta heqë peshën pas lindjes. Pra, ajo foli për një jetë aktive me një aktivitet fizik të rregullt. Shtatzënia duhet të jetë aktive, po ashtu edhe ushqyerja duhet të jetë e rregullt dhe me ushqime cilësore. Ajo që nënat duhet të bëjnë është të shkojnë tek një person i specializuar, që t’u japë këshillat e duhura në mënyrë që nëna të përgatitet për një lindje sa më të lehtë.

Sipas Rudinës, edhe gjatë shtatzënisë rekomandohet palestra, duke ndjekur një protokoll të saktë, gjë që i bën shumë mirë si nënës ashtu edhe bebit. Aktiviteti pas lindjes mund të përfshijë notin, pilatesin apo ecjen e rregullt

Ora 21:44
Psikologia Klarida Rrapaj: Chat GPT nuk mundet kurrë të zëvendësojë një prind që mungon në shtëpi

E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte  Klarida Rrapaj, psikologe që jeton në Itali. Ajo është e specializuar edhe në shkencën e kriminalistikës, veçanërisht në profiling-un e adoleshentëve. Ajo foli për shëndetin mendor te adoleshentët, duke e lidhur edhe me ndikimin që ka sot teknologjia tek ta.

Ajo foli për marrëdhënien e varësisë që kanë sot adoleshentët me Chat GPT, duke trajtuar rastet ku adoleshentët zgjedhin të flasin me AI dhe jo me moshatarët e tyre. Ajo përmendi një djalë që kishte analizuar, i cili ndihej më i kuptuar nga Chat GPT sesa nga prindërit e tij. Nga ky rast doli në pah rehati që kanë të rinjtë me teknologjinë, pasi teknologjia është e ftohtë, nuk gjykon dhe është gjithmonë gati të të dëgjojë dhe të të këshillojë.

Pyetja është: sa e aftë është teknologjia për të këshilluar drejt fëmijët, duke zëvendësuar psikologun apo njërin nga prindërit në shtëpi? Sipas doktoreshës, mungesa e një figure autoritare e çon një adoleshent drejt teknologjisë, dhe kjo është e pashmangshme. Mjekja tha se adoleshentët duhet të mësohen që të kthehen offline

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?