TIRANË- “Revolucion” të dështuar e ka quajtur kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla protestën e thirrur sot nga Berisha përpara parlamentit. Balla ironizoi protestën e ish kryeministrit ndërsa shtoi se nuk i kupton arsyet pse duhet protestuar para kuvendit.
I pyetur lidhur me mocionin me debat që pritet për çështjen McGonigal, Balla u shpreh se debati do të bëhet në një nga të enjtet që vjen dhe se i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Rama. Balla u shpreh se kreu i qeverisë nuk do të jetë sot në seancë plenare pasi do duhet të mirëpresë homologun e tij nga Bavaria, Markus Söder. Balla shtoi se për datën dhe oraret do i duhet të konsultohet edhe me kryetarët e grupeve parlamentare.
“Siç ju informova, kemi miratuar zhvillimin me mocion me debat brenda 30 ditëve. Që mocioni me debat të zhvillohet, duhet të ulet Alibeaj dhe Doda bashkë me mua që të përcaktojmë edhe kushtet. Unë kam propozuar 12 orë dhe kohët e përkatëse. Duhet të biem dakord edhe për datat, mendoj që nga një nga të enjtet që vijnë ne do ta zhvillojmë edhe këtë debat. Duhet ta flasim edhe me kryetarët e grupeve. Kemi përcaktuar kohën më të madhe që është bërë ndonjëherë, kryeministri do jetë. Sot Shqipëria mikpret një mik të rëndësishëm që viziton Shqipërinë, kryeministri i landit të Bavarisë ka një axhendë të paracaktuar, përpos kësaj seanca e ditës së sotme ka të bëjë me kohën që u jepet deputetëve.”- tha Balla.
Taulant Balla është shprehur se kushdo që përpiqet të pengojë punimet në foltoren e Kuvendit do të përjashtohet sipas përcaktimeve në Rregulloren e Kuvendit.
“Çdo deputet që bllokon foltoren Rregullorja e Kuvendit është e qartë, duhet të përjashtohet nga punimet plenare për 10 ditë. Parlamenti funksionin dhe për çdo përpjekje për të bllokuar atë do të zbatohet rregullorja. Rregullorja e thotë qartë që kush pengon zhvillimet normal të punimeve të Kuvendit do të ndëshkohet”, tha Balla.
Një prej debateve më të nxehta ka lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe akuzat e opozitës ndaj Ramës për lidhje me skandalin e korrupsionit të agjentit të FBI-së, McGonigal. Për shkak të bllokimit të foltores seancën e kaluar, 8 deputetë të opozitës, Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ervin Salianji, Ina Zhupa, Luan Baçi, Tritan Shehu, Gazmend Bardhi dhe Bledion Nallbati janë përjashtuar nga aktiviteti parlamentar për 10 ditë.
Për PS interpelanca e kërkuar për skadalin e McGonigal e kërkuar nga opozita, është ezauruar me përgjigjet nga Elisa Spiropali. Por ka ende një mundësi për tu realizuar një debat, ku të gjithë deputetët t'i drejtohen Ramës me pyetje për diskutim.
Paralelisht me zhvillimin e seancës plenare ish kryeministri Sali Berisha, gjithashtu i përjashtuar nga seanca plenare ka paralajmëruar se do të organizojë një tjetër protestë në ambientet e jashtme të godinës së parlamentit. Berisha ka njoftuar se protesta do të vijojë me cdo mjet të mundshëm përfshirë atë të mosbinjes civile.
Këtë protestë Berisha e cilëson si vazhdimin e tubimit ditën e shtunë para kryeministrisë ku megjithëse Meta dhe Berisha shpallën nisjen e një revolucioni me 100 mijë vetë, nuk arritën të mbledhin në shesh as 10 mijë protestues.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ka ironizuar thirrjen e Berishës për protestë para parlamentit ditën e sotme në një kohë kur do të jetë edhe seanca plenare.
“Shqipëria ka ca tradita. Pas dështimit të protestës revolucion të ditës së shtunë, në Shqipëri në këto raste bëhen edhe të tretat. Sot janë të tretat. Nuk di pse duhet protestuar para kuvendit meqë revolucioni ia doli të shtunën dhe rrëzoi regjimin, tani do të rrëzojmë edhe Raishtagun”, tha Balla.
Erisha ka te tretat sot. Te rrojne te tjeret.
PërgjigjuRama te vazhdoje punen qe po ben mos te merret me Berishen
PërgjigjuPo po se ska me ca meret rama
Përgjigju