Politikë

Kryemadhi: Gabuam strategji kur lamë mandatet e ikëm nga zgjedhjet! I kërkoj falje Ilir Metës! I përgjigjet Presidenti, 'harron' dorëheqjen: Në 2022 rikthehem në LSI

28 Prill 2021, 11:49| Përditesimi: 1 Maj 2021, 10:43

  • Share

Monika Kryemadhi i faturoi humbjen  në zgjedhje të LSI, strategjisë së gabuar të ndjekur prej saj që nisi që me djegien e mandateve e përfunduar në mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 2019-ës. Kryemadhi i kërkoi  falje bashkëshortit të saj dhe njëherësh kreut të shtetit Ilir Meta që lanë mandatet e deputetëve në vitin 2019, ndjesë që u pranua nga Meta dhe solli një komunikim në distancë mes tyre.

LSI arriti të merrte nga këto zgjedhje vetëm 4 mandate duke pësuar një rënie drastike nga 2017, por kjo për Kryemadhin ndodhi si pasojë  e lënies të të gjitha pushteteve në dorë të Edi Ramës dhe tjetërsimit dhe blerjes së votës nga ata që i quajti "djemtë e errësirës që lëviznin me xhama të zinj një ditë para 25 prillit të gjithë Shqipërisë", akuzë që u mbështet edhe nga vetë Ilir Meta, i cili ndërsa vlerëson  fushatën e ndershme dhe model të LSI , shkruan se qytetarët janë hasur me presionin e mafies dhe bandave.

"Makineria mediatike kundër LSI, politike mediatike oligarke që nuk u tërhoqe në asnjë moment prej dy vitesh, që në momentin kur LSI fatkeqësisht zbatuam një strategji që pati pasojat në këtë rezultat që nuk reflektoi vullnetin e qytetarëve për ndryshim, një strategji të gabuar duke filluar që nga djegia  e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale që dashje padashje i dhamë të gjitha pushtetet Edi Ramës dhe bandave dhe oligarkëve për të tjetërsuar që nga kushtetuta. Kjo tregoi që shqetësimi i presidentit ishte i drejtë për këtë situatë që gjendemi sot dhe në emër të LSI dhe timin i kërkojmë falje për këtë çast e veprim dhe për këtë qëndrim që nuk solli gjë tjetër veçse rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe oligarkët", tha Kryemadhi

Kryemadhi, ashtu si kreu i PD-së Lulzim Basha, nuk e ka pranuar përgjegjësinë e humbjes,  por shtoi se  betejën e saj tashmë do ta vijojë në parlament dhe  në çdo qytet dhe pranë çdo shqiptari. Kryemadhi hodhi akuza se LSI-së i janë rrëmbyer mandate për pak vota, ndërsa e ka cilësuar të gjithë procesin zgjedhor një manipulim industrial.   

Ndërsa vetë Ilir Meta duket se do të marrë në dorë LSI pas humbjes drastike dhe rrënimit të partisë, duke thënë se sapo të mbyllë të plotë mandatin 4 vjeçar si kryetar shteti, do të rikthehet në Lëvizjen Socialiste për Integrim, që e themeloi në shtator të 2004-ës.

 

Ora 13:14
Ardit Çela: Kemi prova dhe fakte, mandati i LSI-së në Berat u transferua dhunshëm tek një parti tjetër (VIDEO)

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet në Berat, Ardit Çela, tha në një deklaratë për mediat se kanë prova dhe fakte të pakundërshtueshme se mandati i LSI-së është transferuar dhunshëm tek PS. Çela tha se në kutitë e votimit ka pasur fletë votimi më shumë sesa votues dhe këto duhet të shpalleshin të pavlefshme.

‘Kemi prova dhe fakte të pakundërshtueshme që mandati i LSI-së në Berat është transferuar tek një parti tjetër.  Në KZAZ nr 66 në Berat, ka pasur fletë votimi më shumë se sa votues, në mënyrë të dhunshme janë quajtur të vlefshme, duke bërë transferimin të dheshëm të mandatit të LSI në drejtim të një force tjetër. Ka pasur parregullsi të shumta në Qarkun e Beratit, janë mbushur kutitë, është e dokumentuar, e provuar, të pasqyruara nga anëtarët e KQZ, janë shënuar në tabelën përfundimtare, ku, pranohet qartë që në kutitë përkatëse ka pasur më shumë fletë votimi se sa votues, kjo e bën atë të pavlefshme.

Nuk votojnë personat që s’kanë emrat në listë. Kutitë e mbushura janë të pavlefshme, por dhunshëm me miratimin 4 me 3 të mazhorancës janë quajtur të vlefshme, kjo është e vërteta. I siguruar qytetarët, mandate është i tyre, kush ka tentuar të kalojë mandatin tonë në një forcë tjetër, do të mbajë përgjegjësi. Numri i fletëve të votimit më shumë se numërues, është e konfirmuar. Nuk do të jetë e vlefshme nëse do të jetë i mbushur’, tha Çela.

 

Ora 12:33
Meta nuk dorëhiqet: Në 2022 rikthehem në LSI

1619524998_meta1.jpg

Premtimin se do të dorëhiqej nëse Rama fitonte zgjedhjet (siç ndodhi), presidenti Ilir Meta nuk e mbajti. Ai thotë se do të mbyllë të plotë mandatin 5-vjeçar si kryetar shteti, dhe më 24 korrik 2022 do të rikthehet në Lëvizjen Socialiste për Integrim, që e themeloi në shtator të 2004-ës, për t’ia lënë më tej bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, kur u bë president.

“Në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, presidenti i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t'u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, shkruan zëdhënësi i presidentit.

Nuk lë jashtë vëmendjes, ndjesën publike që kryetarja e LSI-së bëri në daljen e parë pas humbjes së thellë të zgjedhjeve, me vetëm 4 mandate të fituata, nga 19 që kishte në zgjedhjet paralamentare të 2017-ës.

“Presidenti e falenderon për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”, thuhet në reagim.

Ora 12:13
Kryemadhi: Do të nxjerrim fakte se makinat me xhama të zinj, shpërndanë paratë e drogës një ditë para zgjedhjeve (VIDEO)

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se rezultati i 25 prillit u manipulua nga bandat e krimit të lidhura me Edi Ramën, duke thënë se do të nxjerrë fakte se si makinat me xhama të zinj një ditë para zgjedhjeve shpërndanë paratë e drogës në të gjithë vendin për të marrë votën. Ajo tha se djemtë e dritës do të fitojnë mbi ato të errësirës dhe se LSI do të ngrihet më e fortë.  

"Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për t'u dhënë forcë komisionerëve tanë për të evidentuar çdo parregullsi dhe manipulim sepse fakte të tjera do të vijën njëra pas tjetrës se si ditën e shtunën makinat me xhama të errëta kanë lëvizur në të gjithë qytetet e Shqipërisë për të shpërndarë  paratë e drogës, mafies e betonit. Këto para nuk janë gjë tjetër veçse helmi që helmon të ardhmen e shqiptarëve. Djemtë e errësirës janë më të shtrenjtë se djemtë e dritës, por ato të dritës gjithmonë fitojnë, prandaj ne jemi rrëzuar do të rrëzohemi por do të ringrihemi sepse kemi besim, kurajo, forcë", tha Kryemadhi.

Ora 12:08
Edhe pse kanë kaluar 4 palë zgjedhje Kryemadhi sulmoi sistemin elektoral: Është sistem kriminal (VIDEO)

Në daljen nga LSI për nëj deklaratë për mediat, Kryemadhi sulmoi sistemin. Ajo tha se ky është sistem kriminal.

"Zhgënjimin e kam pasur shumë të madh në numra, por një gjë e kam të sigurt se ky sistem që Edi Rama përgjërohet është një sistem që i doli boja. Mjafton të shikosh që LSI me 107 mijë vota merr 4 mandate dhe një parti tjetër me 35 mijë vota merr 3 mandate. Ky është sistemi kriminal.

Ne i themi kujtdo që të vijnë në partinë tonë, në partinë e të rinjve dhe të rejave . Detyra jonë tashmë është të shkojmë të çdo komisioner apo numërues. Do të dokumentojmë çdo shkelje që evidentohet. Nuk do të lejojmë askënd të bëjë pazar me të ardhmen e shqiptarëve", tha Kryemadhi.

 

Ora 12:00
Kryemadhi: Do të numërojnë çdo votë të LSI-së për kandidatët! Tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Beratit, të Korçës dhe të Durrësit, të cilët u grabitën (VIDEO)

Në të njëjtën linjë si kreu i PD-së Lulzim Basha, edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, nuk e ka pranuar përgjegjësinë e humbjes,  dhe tha se ato do të vijojnë betejën e tyre, duke shtuar se LSI do të jetë në çdo qytet dhe pranë çdo shqiptari. Kryemadhi tha se numëruesit e LSI do të vijojnë betejën deri në fund për të legjitimuar të gjitha grabitjet e votave të LSI. Kryemadhi tha se ato janë si Feniksi dhe se nga hiri i tyre do të ripërtërihen.

Ne mbetemi të palëkundur në të gjithë këtë proces dhe jo vetëm që nuk do të tërhiqemi, por do ta vazhdojmë betejën tonë edhe më tutje. 
LSI nuk do të jetë vetëm në Parlament, por do të jetë në sheshe, do të jetë në çdo qytet dhe do të jetë në shtëpitë e qytetarëve shqiptarë. LSI do të vazhdojë denoncimet e saj për çdo manipulim dhe për çdo tjetërsim vote që është bërë në këtë proces. LSI do të vazhdojë në mënyrë të pashtershme, duke filluar që sot, për ta çuar deri në fund betejën e procesit zgjedhor. 
Ju bëj thirrje të gjithë numëruesve dhe anëtareve të KZAZ-së të jenë vigjilentë sepse në Durrës, ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit vetëm me 139 vota, deri tani kanë dalë mbi 15 fletë të pavlefshme të numëruara për Partinë Socialiste. Prandaj në Berat, në Korçë, në Durrës, kudo, numëruesit dhe komisionerët tanë të numërojnë çdo votë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për kandidatët, të Partisë Socialiste për kandidatët dhe të Partisë Demokratike për kandidatët. Sepse tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Beratit, të Korçës dhe të Durrësit, ku mandate të cilat i janë grabitur LSI-së, për të nxjerrë Edi Ramën në Durrës, pra për 140 vota i hiqet mandati LSI-së dhe i jepet Edi Ramës, pra e kuptoni simbolikën e rëndësishme. Për 150 vota i hiqet mandati Endrit Braimllarit dhe i jepet Niko Peleshit, e kuptoni simbolikën. Dhe tjetërsohet rezultati për 30 vota, në të qindtën e sekondës, duke i hequr mandatin Ardit Çelës dhe duke ja dhënë Blendi Klosit. Prandaj kjo është tradhtia më e madhe vetëm në tre mandate, pa llogaritur të gjithë procesin zgjedhor. 
Prandaj numëruesit dhe komisonerët tanë të vazhdojnë betejën deri në fund, jo vetëm për të legjitimuar të gjitha grabitjet e votave të LSI-së, por edhe për të nxjerrë të gjitha ato vota të pavlefshme, që janë të numëruara për Partinë Socialiste. Ky proces i manipuluar para, gjatë dhe pas votimit, që nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese, për të cilat ne e dimë shumë mirë sesi u luajt dhe sesi u veprua, në dhunimin e Kushtetutës në mënyrën më flagrante, në përdorimin e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë për të intimiduar, kërcënuar dhe frikësuar mbështetësit e LSI-së, saqë dhe për të blerë bukën mbështetësit e LSI nuk kishin dot mundësi për të pasur para në xhep. 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?