Politikë

Rama: Fitore me notën 10! Shqiptarët i kthyen zgjedhjet në referendum për bashkimin me BE! Populli s’e ndërron qeverinë pa ndryshuar më parë opozitën

14 Maj, 18:42| Përditesimi: 14 Maj, 23:03

  • Share

TIRANË- Nga sheshi Skëndërbej, aty ku nisi fushatën për fitoren historike të 11 majit, kryeministri Edi Rama falënderoi të gjithë shqiptarët për besimin që i dhanë për të udhëhequr Shqipërinë me n=83 mandate .I shoqëruar nga familja e tij, Rama u ngjit në të njëjtin ‘yll’ që simbolizon atë të Bashkimit Europian për të mbajtur fjalimin e fitores, së cilës i vendosi notën 10.

Duke e konsideruar marrjen e mandatit të katërt si sfidën më të madhe ndonjëherë, kryeministri premton që të çojë deri në fund zotimin e tij për të vënë karrigen e Shqipërisë në tryezën e Bashkimit Europian. Kreu i qeverisë tha se “populli i ka transformuar zgjedhjet politike në një referendum për bashkimin sa më parë të Shqipërisë me Evropën.”

Për Ramën, “mes dritës së Europës dhe errësirës së gropës së një kapeleje fake, Shqipëria zgjodhi yjet. Mes ngjitjes në majë dhe rënies në humnerë, Shqipëria zgjodhi ngjitjen”, ndërsa theksoi se “ky popull nuk ka për të ndryshuar qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do.”

Falënderimi shkoi edhe për shqiptarët e diasporës, të cilët me votën e tyre për herë të parë, mbështetën masivisht Partinë Socialiste, për të cilën Rama thotë se është e vetmja forcë që mund ta udhëheqë Shqipërinë pa humbur busullën.

“Shumica jashtë kufijve të Shqipërisë mendojnë njësoj si shumë brenda kufijve, për Shqipërinë që ecën në drejtimin e duhur dhe për Shqipërinë 2030 në BE, me ne të gjitha së bashku me mua dhe PS”, theksoi Rama.

Familjen me të cilën u shfaq si asnjëherë më parë që e shoqëruan nga selia në podium, kryeministri zgjodhi që ta falënderojë publikisht për mbështetjen dhe t’u kërkojë ndjesë për të gjithë baltën që kanë marrë nga kundërshtarët e tij.

“Jam sot përsëri shumë krenar, për Rean dhe për Gregun, që vazhdojnë të mos na shkaktojnë asnjë dhimbje koke, e që e jetojnë jetën e tyre larg dritave të skenës, larg zyrave të shtetit, larg çdo marrëdhënieje në konflikt interesi, duke duruar, sidomos Rea, agresione të rënda verbale shpifjesh nga më të neveritshmet.

Falënderimin më të veçantë e kam për të vetmen opozitë që unë vazhdoj të mos arrij ta mund dot - po shyqyr më pranon në qeverinë e unitetit - Linda Ramën, mamanë e paepur të Zahos, nënën kryelartë të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda është shtylla që mban katër këndet e tavanit tonë. Shumë faleminderit grua dhe besoj se mund të flas edhe në emrin tënd, duke falenderuar edhe Zahon, të cilin e kemi ngjitur si bateri me energji diellore”, tha Rama.

Rivalin e tij Sali Berisha, Rama zgjodhi të mos e përmendë me emër, por tha se populli zgjodhi dritën e yjeve të BE dhe jo errësirën e greminës, ndërsa një mesazh e kishte për drejtuesit e partive të vogla. “Uroj që të mos ecin më tej në gjurmët e opozitës së vjetër e të falimentuar totalisht, po të gjejnë mënyrat e durimin për t’u rritur si alternativa e jo si volume zanore në mexhelisin tonë politik.”

Krah podiumit ku iu drejtua shqiptarëve pas fitores, është ngritur edhe shtëpia e Europës ku më 16 maj shefi i qeverisë do të presë 47 liderë për samitin e Komunitetit Politik Europian.

“Europa mbarë, do vijë e do zbresë në këtë shesh, me tërë udhëheqësit e saj, ndër të cilët kryeministri i Britanisë së Madhe, vjen i pari për ta nisur qëndrimin e tij në Tiranë me një vizitë bilaterale, e para në histori e një shefi të qeverisë britanike, ndërsa Presidenti i Francës largohet i fundit pasi do të qëndrojë pas Samitit për vizitën e tij të dytë bilaterale në Tiranë”, tha Rama.

Në fund të takimit, festës së fitores iu bashkia edhe këngëtari Noizy, i cili e ka shoqëruar kryesocialistin në takimet elektorale bashkë me këngën dedikuar integrimit në BE.  

Ora 21:33
FOTOT: Brenda festës së socialistëve

Socialistët u mbledhën këtë pasdite për të festuar fitoren e zgjedhjeve të 11 majit. Kryeministri Edi Rama mbajti siç pritej, fjalimin e fitores. Ai shoqërohej edhe nga familja e tij, gruaja Linda dhe fëmijët Gregu, Zaho dhe Rea.

 

Ora 19:42
Rama mban fjalimin e triumfit, mesazh edhe për partitë e reja: Uroj që udhëheqësit e tyre mos të jenë volume zanore në mexhelisin politik, por alternativa!

 

Kryesocialisti Edi Rama pati edhe një mesazh për forcat e reja politike opozitare, që garuan në zgjedhjet e 11 majit dhe morën rezultat me përfaqësim në Parlament, edhe pse jo aq sa edhe ishin pritshmëritë.

Ai i bëri thirrje nga “Sheshi Skënderbej” drejtuesve të këtyre forcave që të mos jenë ‘volume zanore’, por alternativa dhe të rriten, duke mos u bërë pjesë e “mexhelisit politik”, siç e cilësoi.

Megjithatë edhe pse rezultati i zgjedhjeve nuk ka dalë akoma, unë dua të përgëzojë udhëheqësi e partive të vogla opozitare, të cilët bënë betejat e tyre jo të lehta dhe i mbijetuan presionit jo të vogël të ajrit mes forcave të mëdha kryesore. Uroj që të gjejnë mënyra për t’u rritur si alternativa dhe jo si volume zanore në këtë mexhelis politik”, tha Rama.

Gjatë fushatës elektorale ai i etiketoi me epitetin “qilima fluturues” apo “fara e ndjesë pastër LSI-së”.

Ora 19:33
‘Populli i ktheu zgjedhjet në një referendum për bashkim me BE’, Rama për samitin me 16 Maj: Macron do të largohet i fundit, do qëndrojë për vizitën e dytë bilaterale

 

Kryeministri Edi Rama tha se populli i transformoi zgjedhjet politike në një referendum për bashkimin me Evropën. Në sheshin “Skënderbej”, ku mbajti fjalimin e fitores mbresëlënëse, Rama tha se Shqipëria do të bëhet për tre ditë qendra e Evropës me samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Ai përmendi vizitën e kryeministrit britanik Keir Starmer, si edhe atë të presidentit francez Emmanuel Macron, për të cilin tha se do të largohet i fundit nga samiti, pasi do të zhvillojë vizitën e dytë zyrtare.

“Motra dhe vëllezër, shok e shoqe, është e disata herë që do të përsëris se nuk besoj te rastësitë se nuk ka mundësi të jetë kaq e mrekullueshme rastësia, kur pasi populli duke iu përgjigjur fuqishëm tonë thirrjes tonë nga ky shesh dhe në të gjitha sheshet e rrugët e Shqipërisë, i ka transformuar zgjedhjet politike në një referendum për bashkimin sa më parë të Shqipërisë me Evropën. Evropa do të zbresë në këtë shesh duke filluar nga nesër me të tërë udhëheqësit e saj. Kryeministri i Britanisë vjen i pari për ta nisur qëndrimin e tij në Tiranë me një vizitë bilateriale, e para në histori e një shefi të qeverisë britanike. Ndërsa i presidenti i Francës largohet i fundit pasi do të qëndrojë pas samitin për vizitën e dytë bilaterale në Tiranë.

Shqipëria  e  tre ditëve që vijnë do të jetë në kuptimin e vërtetë të fjalës qendra e Evropës. Më pas do ta nis javën e re me një imazh edhe më të mirë, të fortë e krenar si Evropa e Ballkanit që do të jetë lajtmotivi dhe inspirimi dhe burimi i të gjitha energjive dhe patjetër edhe forca  e këmënguljes tonë për katër vite të tjera me radhë. Kini besim te Shqipëria sepse Shqipëria ka besim te ne. Besojeni më shumë se asnjëherë tjetër se më e mira për Shqipërinë dhe shqiptarët është e gjitha përpara, jo aq përpara të mos e arrijmë por aq përpara që ne së bashku do ta arrijmë. Përulësisht respekt për të gjithë ju dhe ata që me votën e tyre na dhanë një energji të jashtëzakonshme dhe po e mbyll duke iu siguruar të gjithë se asnjë vat nga kjo energji nuk do ta lëmë pa e shkrirë për t‘iua kthyer mbrapsht atyre dhe Shqipërisë.”, u shpreh Rama.

Ora 19:30
Rama: Mandat po aq i fortë sa i vitit 1992, do mbyllim negociatat më 2027 dhe do vendosim karrigen e Shqipërisë në dhomën e BE-së! Do realizojmë profecinë e Skënderbeut

 

Kryeministri Edi Rama tha se mandati i fortë që i dhanë shqiptarët është një detyrim dhe motivim më shumë që të realizohen ëndrrat historike të shqiptarëve për të çuar Shqipërinë në BE.

Ai premtoi se mandati i katërt i qeverisë socialiste do siguronte mbylljen e negociatave më 2027 dhe vendosjen e karriges së Shqipërisë në dhomën e anëtarëve të BE-së.

Sipas kryesocialistit, kjo është një profeci e heroit kombëtar Skënderbeu dhe që ai dhe socialistët patën fatin që ta rezlizojnë.

Fjala e Ramës për mbajtjen e premtimit për negociatat dhe anëtarësimin në BE:

“Koha do ta thotë nëse rezultati i kësaj përballjeje me kundërshtarët tanë të përhershëm dhe të pandreqshëm është përfundimtari në historinë tonë, në kushtet ku na ra ne shansi t’ia ndryshojmë një herë e mirë rrjedhën historisë. Me mundësinë historike që Shqipëria të bëhet zonjë europiane ne u bëmë partia që mori nismën për këtë histori për ta ulur Shqipërinë në sofrën e BE-së.

Të tjerët u morën me betejën ulëritëse dhe lebetitëse të sharjes, por ne jemi ata që ecëm para. Unë dua t’i përgëzojë edhe drejtuesit e partive të vogla opozitare dhe që i mbijetuan presionit të partive të mëdha, uroj të gjejnë mënyra për t’u rritur si alternativa dhe jo si volume zanore në këtë mexhelis politik.

Ky ishte mandati më i fortë që na dhanë shqiptarët, po politikisht aq i fortë sa ai i vitit të kthesës në historinë shqiptare, ai i vitit 1992. Ne do bëjmë të pamundur ta bëjmë në këtë mandat po aq historik, duke mbyllur negociatat më 2027 dhe duke vendosur karrigen e Shqipërisë më 2030 si anëtare e BE-së. Kohë e deshi që Shqipëria si një xhevahir i Ballkanit dhe Tiranës kryeqytetit tonë, na ra ne që ta ndajmë për ta çuar drejt perëndimit dhe jo azisë dhe fati na ra ne.

Ky është mandati më sfidues i PS-së, që kur jam në krye të saj, mandat i fuqishëm sa nuk ka, e për të fituar një bast sa nuk ka. Me Europën për Shqipërinë dhe për Shqipërinë me Europën. Fati që na përcaktoi profeti ynë kombëtar, heroi Gjergj Kastrioti që na e përcaktoi me shumë e shumë vite, mes baltës ngritjes dhe uljes, derisa patriotët shqiptarë të Rilindjes na e lanë me shkrim në shkabën dykrenare, mes mjergullave verbuese dhe kohëve të vështira, se dielli për ne lind andej nga perëndon dhe askund tjetër.

Ky është një standard për ta mbajtur në udhën e ligjit, ku fantazmat e pandëshkueshmërisë nuk do gjejnë kurrë vend. Ky është një mandat që na është besuar kur edhe koha e rrëmujat gjeopolitike paralajmëron zhvillime të tjera në rajon.

Ky është mandat për një sfidë historike që të jemi të bashkuar e të vetëdijshëm për fatin që na ka ardhur në dorë, por jo gjithmonë. Ndaj na takon ne t’i japim fund historisë së një kombi të dorës së dytë e t’i dorëzojmë fëmijëve tanë një vend europian, ku shqiptarët të mos shihen si të dorës së dytë, por si të barabartë.

Do e rrisim prodhimin kombëtar nga 35 mld në 35 mld euro, të ardhurat për frymë deri në 15 mijë euro, pagën deri në 1200 euro. Ky është mandat ku do jemi pranë pensionistëve, që ta ngremë pensionin në 200 euro minimale, pagën minimale nga janari 2026 të paktën 500 euro.

Do jetë mandat i investimeve, infrastrukturës, turizmit, industrisë ushtarake, ushqimore, nivel sigurie, rrugë kombëtare, shkolla të siguruara me kamera inteligjente. Me qendrës shëndetësore ekselente, me universitet europian drejtësie dhe të mjedisit, me shërbime edhe më moderne për shqiptarët me parqe dixhitale dhe ekosistem, mandat për koridorin blu dhe koridorin 8, portin e madh tregtar të Durrësit, 4 aeroporte dhe hekurudhat në kantier”.

Ora 19:25
Rama: Fitore me notën 10! Ky popull s'ka për ta ndryshuar qeverinë, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do

 

Kryeministri Edi Rama i vë notën 10 fitores së thellë të PS në zgjedhjet e 11 majit. Rama tha se ky popull s'ka për ta ndryshuar qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do.

“Kjo fitore me notën 10 që e kisha parandjerë dhe paralajmëruar prej shumë kohësh mund të jetë e pabesueshme për ata që as e kanë kuptuar që Shqipëria sot është një Shqipëri krejt tjetër nga ajo dje dhe as për ata që nuk duan ta kuptojnë që ky popull nuk ka për të ndryshuar qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do. Kjo fitore nuk është e papritur as për mua që e kam kërkuar përditë qysh 4 vite më parë në momentin që sapo kam zbritur nga podiumi në mbrëmjen e fitores”, tha Rama.

Ora 19:21
Rama: Nëna e babai të ma bëjnë hallall që u 'tërhoqën' nga varret për shkak të fushatës nga të mosozotshmit! Faleminderit Gregut dhe Reas për jetën e tyre larg konfliktit të interesit

Në fjalimin e fitores të mbajtur në Sheshin Skënderbej në Tiranë, kryeministri Edi Rama kujtoi nënën dhe babanë e tij të ndarë nga jeta, duke u kërkuar ndjesë të thellë për përmendjen e tyre në mënyrë djallëzore nga kundërshtarët e tij poltik.

Gjithashtu kryesocialisti falenderoi përzemrësisht dy fëmijët e mëdhenj të familjes për jetën e tyre larg interesave të pushtetit dhe përballimin e sulmeve verbale të pabaza për shkak të betejës politike të tij.

“Edhe pse akoma të gjitha nuk janë numëruar, është e qartë se shumica jashtë kufijve të Shqipërisë mendojnë njësoj si shumë brenda kufijve, për Shqipërinë që ecën në drejtimin e duhur dhe për Shqipërinë 2030 në BE, me ne të gjitha së bashku me mua dhe PS, kjo do të thotë shumë për mua dhe për të gjithë, dhe nuk di si ta them akoma se mesa vështirësi e kam t’ju falënderoj të gjithëve sadopak si duhet. Faleminderit, faleminderit, faleminderit. Faleminderit të gjithëve sa ka shqiptarë nën këtë qiell, nga ata që ngrihen herët për të punuar tokën, deri te ata që punojnë për ta mbrojtur këtë tokë. Edhe këtë herë, njësoj si herën e shkuar, ime më Aneta nuk më ndoqi si hije dashurie pa kushte në atë pozicionin e saj legjendar para televizorit, si një llogore lufte, deri në ditën që iku të ribashkohet me tim atë. Po duke qenë se dhe këtë herë të dy u tërhoqën heshtur nga varri në fushatën e mosozotshme nga mosozotshmit, duhet t’u them t’i ma bëjnë hallall dhe janë krenarë për mua dhe kanë krenarë për Shqipërinë që ne të gjithë së bashku po ndërtojmë, ndërkohë që unë jam sot përsëri shumë krenar për Rean dhe për Gregun që vazhdojnë të mos na shkaktojnë asnjë dhimbje koke, që vazhdojnë jetën jashtë çdo marrëdhënie në konflikt interesi duke duruar, sidomos Rea, agresione verbale. Uroj të jeni ju krenarë me punën time sot dhe inshalla me gjurmën e punës sime nesër",- tha Rama.

Ora 19:17
Rama falënderim publik për Lindën pas fitores: Je e vetmja opozitë që nuk e mund dot, por shyqyr që më pranon në qeverinë e unitetit

 

Në fjalimin e fitores, kryeministri Edi Rama falënderoi publikisht edhe bashkëshorten Linda Rama.

“Falënderimin më të veçantë e kam për të vetmen opozitë që unë vazhdoj të mos arrij ta mund dot, por shyqyr që më pranon në qeverinë e unitetit, Linda Ramën, mamanë e paepur të Zahos, nënën kryelartë të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda është shtylla që i mban të katërt këndet e këtij tavani, shumë faleminderit grua. Besoj se unë flas edhe në emrin tënd, duke falënderuar Zahon, i cili na rri ngjitur si bateri me energji diellore”, tha Rama.  

Ora 19:16
‘Fitorja jonë historike’, Rama: Vota e emigrantëve, ushtrim i parë historik dhe fantastik për pjesëmarrjen! Një nga më të lartat nga votimet e diasporës në Evropë

 

 

Kryeministri Edi Rama e cilësoi fitoren si historike jo thjesht për përmasat që ka marrë PS, por edhe për faktin se erdhi në një moment të rëndësishëm për vendin. Nga sheshi “Skënderbej”, ku po mban fjalimin e fitores së zgjedhjeve të 11 majit, kreu i qeverisë shprehu falenderimet për të gjithë mbështetësit, emigrantët por edhe për të gjithë ata që këtë herë që i dhanë votën, edhe pse nuk janë tradicionalisht me të.  

“Ndjesë sepse realisht është e pamundur të arrij të them me gojë gjithçka që ndjej e mendoj prej orësh të gjata përballë një arritjeje të tillë , e cila është historike  jo thjesht për përmasën e PS por për momentin historik kur kjo fitore mori jetë për Shqipërinë. S’ka fjalë të mjaftueshme për të falenderuar dhjetëra e mijëra gra e burrat, vajzat e djemtë të familjes tonë politike që 4 vjet me radhë shtruan me përpjekje durim e displinë dhe së fundmi për 9 muaj pa pushim edhe në çdo drejtim jashtë kufijve ku jetojnë shqiptarët rrugën e kësaj fitoreje të paharrueshme.

Faleminderit aq herë, faleminderit sa çfarë janë anëtarë dhe anëtare të familjes tonë politike që e bënë si duhet pjesën e tyre për këtë fitore. Aq herë faleminderit sa çdo mbështetës i P, që dha votën e vet për këtë fitore dhe sa çdo zgjedhës që erdhi këtë herë me votën e tij drejt nesh edhe pse mund të mos jetë tradicionalisht me ne. Një falenderim krejt të veçantë dua ta bëj për shqiptarët e Greqisë, Italisë, SHBA e kudo tjetër, ku qoftë edhe një shqiptar i vetëm u regjistrua si zgjedhës. Ka qenë ushtrim i parë historik për nga fakti i herës së parë dhe fantastik për nga numri i pjesëmarrësve në raport me atë të regjistruarve një nga më të lartët nga votimet e diasporës në Evropë.", u shpreh Rama. 

Ora 19:12
Rama: Shqiptarët zgjodhën yjet e Europës dhe jo errësirën e gropës, humnerës dhe kapeles fake që shan e mallkon! Faleminderit!

 

Kryesocialisti Edi Rama mbajti fjalimin e fitores para mbështetësve të tij të Partisë Socialiste, kandidatëve, deputetëve të vjetër dhe ata që do jenë të rinj, si dhe qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, pas rezultatit të thellë të zgjedhjeve të 11 majit.

Ai falenderoi të gjithë shqiptarët që votuan për Shqipërinë që ecën drejt Europës dhe që zgjodhën rrugën e BE-së dhe braktisën errësirën e gropës dhe “kapeles fake” që “shan dhe mallkon”.

“Ja ku u rikthyem përsëri këtu 33 ditë nga dita që u nisëm, fillimisht me gratë dhe vajzat komando të PS-së, në të 12 qarqet dhe pastaj në të gjithë nga sheshi i Skënderbeut për të mbledhur çfarë mbollëm me shumë punë dhe mund e me plot mund për 4 vite me radhë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Për 30 ditë shqiptarët dëgjuan, vlerësuan, gjykuan dhe më 11 maj ata vendosën të na e besojnë ne PS-së mandatin e katërt. Dhe na besuan më shumë se asnjëherë më parë, për një sfidë më të madhe se asnjëherë më parë. Sepse për 4 vite ne mbodhëm më shumë besim te Shqipëria ndaj mlodhën edhe më shumë besim e rezultat, për Shqipërinë Europiane. Ne mbodhëm krenarinë, ndaj mblodhëm votat e një mbështetjeje referendare për Shqipërinë që do anëtarësohet në BE vit pas viti.

Këto zgjedhje përballën Shqipërinë që di çfarë do e kërkon me atë që shan e mallkon papushim, që nuk di çfarë do, s'di ça flet, shan e mallkon pa pushim duke u ulur poshtë e më poshtë. Shqiptarët zgjodhën një Shqipëri të rrugës së mundimshme të fatit tonë europian dhe një Shqipërie të përgojuar si vend i keq me gjithë të zezat dhe sytë e nxirrë nga grushtet politike dhe trupin e tërhequr zvarrë nga gjuha e urrejtjes”, tha kryeministri.

Kreu i mazhorancës vuri theksin edhe te zgjedhja që bënë shqiptarët, duke parë nga e ardhmja dhe integrimi.

“Mes dritës së Europës dhe errësirës së gropës së një kapeleje fake, Shqipëria zgjodhi yjet. mes ngjitjes në majë dhe rënies në humnerë, Shqipëria zgjodhi ngjitjen. Me korin tonë për Europën dhe një grumbulli radiosh të vjetra, me ca tiki-take rreth e rrotull, Shqipëria zgjodhi korin tonë. Faleminderit Shqipëri. Në kujtesën time kjo fjalë fitoreje ka qenë më e vështirë gjer më sot për ta thenë atë se çfarë për mua është  kjo fitore”, u shpreh ai.

K.M/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do ndikojë vota diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?