Një ditë pas miratimit të programit qeverisës dhe kabinetit të ri me 82 vota në Kuvend, në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat e rinj do të bëjnë sot betimin në Presidencë, në orën 10:00. Pas betimit, Rama pritet të thërrasë mbledhjen e parë të qeverisë së re.
Seanca e së enjtes, e parashikuar si maratonë, u ndërpre për më pak se gjysmë ore për shkak të tensioneve. Shkak u bë fjala që kryeministri “i dha” ministres virtuale Diella, Maxhoranca nuk e toleroi sjelljen kaotike të deputetëve demokratë dhe, pas disa paralajmërimeve, kaloi në votim programin dhe kabinetin qeveritar.
PD kërkoi më vonë me një shkresë zyrtare në Kuvend anulimin e seancës plenare dhe përsëritjen e saj. Demokratët e konsideruan përdorimin e ministres virtuale nga ana e Ramës si veprim në kundërshtim me ligjin dhe si provokim ndaj opozitës. Ata argumentuan se sjellja e tyre nuk përbënte shkelje të etikës parlamentare, por ishte një formë reagimi e përdorur edhe në parlamente të tjera, duke sjellë si shembull një rast në Parlamentin Europian.
Përveç kësaj, PD ka paralajmëruar se do të kërkojë mocion për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Ndërkohë, Komisioni i Etikës do të mblidhet sot në orën 10:00, pas kërkesës së PS për marrjen e masave disiplinore ndaj Gazment Bardhit dhe Fidel Krekës, të cilët gjatë seancës hodhën një shishe ujë dhe rregulloren e Kuvendit në drejtim të kryeministrit Rama.
Komente
