Shëndeti

Mos i beso gjithçkaje që dëgjon! Mitet më të mëdha për shëndetin, Altin Joka zbulon të VËRTETAT

16 Korrik, 16:06| Përditesimi: 16 Korrik, 16:10

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti shqiptar nga Suedia, Altin Joka. Ai foli për disa nga mitet më të njohura që lidhen me shëndetin dhe ushqimin, duke i shpjeguar me argumente shkencore.

Biseda nisi me pyetjen Mit apo Fakt: Një pjesë e vajrave vegjetalë janë të shëndetshëm sepse vijnë nga fara dhe bima? Sipas Altinit, ky është një mit, pasi marketingu ushqimor shpesh manipulon perceptimin tonë. Jo çdo gjë që vjen nga natyra është automatikisht e shëndetshme. Për shembull, vajrat e rafinuar vegjetalë (si ai i lulediellit, misrit apo sojës) kalojnë procese kimike dhe termike që shkatërrojnë vlerat e tyre ushqyese dhe krijojnë yndyra të dëmshme, sidomos acidet yndyrore trans, të cilat lidhen me inflamacion kronik dhe sëmundje kardiovaskulare. Vetëm vajrat e ftohtë, si vaji ekstra i virgjër i ullirit, kanë vërtet veti të mira antioksiduese.

Miti i dytë: Shumica e proteinave pluhur janë të pastra, të shëndetshme dhe ndërtojnë muskuj shpejt. Altini sqaroi se ky është më shumë mit sesa fakt. Edhe pse proteinat pluhur ndihmojnë në rritjen e masës muskulore kur kombinohen me ushtrime fizike, shumë prej tyre përmbajnë aditivë, ëmbëlsues artificialë dhe përpunim të tepruar industrial, gjë që i largon nga natyrshmëria. Sipas studimeve, nuk ka diferencë të madhe mes marrjes së proteinave nga ushqimet e plota (mish, vezë, bishtajore) dhe atyre nga suplementet, përveç rasteve kur kërkohen sasi të mëdha për sportistë profesionistë.

Miti tjetër: Uji me limon djeg dhjamin. Altini u shpreh se nuk ka asnjë element që tret dhjamin drejtpërdrejt. Uji me limon thjesht ndihmon në hidratim dhe mund të përmirësojë tretjen falë vitaminës C dhe aciditetit, por shkrirja e dhjamit ndodh vetëm kur ka deficit kalorik, pra kur organizmi shpenzon më shumë energji sesa merr. Shumë studime e kanë quajtur këtë ide “demagogji e marketingut”.

Kosi i paketuar përmban nivele të larta probiotikësh? Sipas Altinit, kjo është gjysmë e vërtetë. Kosi industrial që blihet në market shpesh është i pasterizuar, pra shumica e baktereve të gjalla probiotike eliminohen. Vetëm kosi tradicional i freskët, i bërë në mënyrë artizanale, ka kultura probiotike të dobishme për mikrobiotën e zorrëve.

A është e vërtetë që kafeja na dehidraton? Altini tha se ky është një mit. Edhe pse kafeina ka efekt diuretik të lehtë, kafeja në vetvete përbëhet kryesisht nga ujë dhe nuk shkakton dehidrim në njerëz që konsumojnë sasi të moderuara. Studime të fundit tregojnë se 3-4 filxhanë kafe në ditë janë të sigurta dhe mund të kenë edhe efekte mbrojtëse për zemrën dhe trurin.

Shumë ujë tani në verë është mirë – Fakt apo Mit? Sipas Altinit, kjo është e vërtetë. Gjatë verës, temperaturat e larta rrisin djersitjen dhe humbjen e elektroliteve, prandaj organizmi ka nevojë për më shumë lëngje për të ruajtur balancën e ujit. Megjithatë, ai theksoi se duhet pirë ujë sipas nevojës së trupit dhe jo në mënyrë të tepruar, pasi hiperhidrimi mund të ulë nivelin e natriumit në gjak.

Çokollata e zezë është gjithmonë më e shëndetshme?Altini sqaroi se jo gjithmonë. Edhe pse çokollata e zezë me përmbajtje të lartë kakaoje ka antioksidantë, shumica e çokollatave, qoftë artizanale apo industriale, përmbajnë ende shumë sheqer dhe yndyra të shtuara. Vetëm çokollata me mbi 80% kakao, në sasi të vogla, ka veti të dobishme.

Alkooli i moderuar është i shëndetshëm?Altini theksoi se ky është një mit. Edhe një gllënjkë alkool ndikon negativisht në qelizat e trurit dhe të mëlçisë. Edhe pse disa studime të vjetra flisnin për “efekt mbrojtës” të verës së kuqe për zemrën, kërkimet më të reja tregojnë se çdo sasi alkooli është potencialisht e dëmshme.

Ilaçet pa recetë nuk janë të dëmshme – Mit apo e vërtetë? Sipas Altinit, edhe ky është një mit i rrezikshëm. Edhe barnat që merren pa recetë, si analgjezikët apo suplementet, mund të shkaktojnë efekte anësore dhe të ndërveprojnë me medikamente të tjera.

Mosngrënia e darkës dëmton ciklin menstrual apo shkatërron tiroidet? Altini sqaroi se nuk ka asnjë provë shkencore për këtë. Organizmi nuk dëmtohet nga shmangia e një vakti të vetëm, përkundrazi, disa studime mbi agjërimin e ndërprerë tregojnë përfitime metabolike.

Nëse nuk ndjen dhimbje, do të thotë që je i shëndetshëm? Edhe kjo është një keqkuptim. Shumë sëmundje kronike, si hipertensioni apo diabeti, nuk japin dhimbje në fazat e para. Pra mungesa e simptomave nuk garanton shëndet të plotë.

Qumështi forcon kockat?Altini tha se kjo nuk është krejtësisht e vërtetë. Qumështi përmban kalcium, por shëndeti i kockave varet edhe nga vitamina D, aktiviteti fizik, gjenetika dhe faktorë të tjerë. Studimet tregojnë se konsumi i tepërt i qumështit nuk parandalon domosdoshmërisht osteoporozën. 

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?