Kryeministri Rama paralajmëroi bizneset se nuk do t’ua tolerojë më nëndeklarimin e pagave për punonjësit e tyre, duke e cilësuar këtë fenomen si grabitje ndaj buxhetit të shtetit dhe pensionistëve.
Në një takim me përfaqësues të biznesit, por edhe punonjës, kreu i qeverisë u ndal veçanërisht tek pagat në sektorin e ndërtimit. Rama tha se është mashtrim një pagë 600 euro në këtë sektor, duke thënë se përballen edhe me mungesë punonjësish.
Kreu i qeverisë i paralajmëroi bizneset që të nisin deklarimet reale të pagave ose do përballen me masa të rënda administratave, por edhe penale.
"Mashtrim që të ketë pagë mesatare në ndërtim 600 euro kjo nuk ekziston. Të thuash që në ndërtim janë pagat 600 euro, kur sot problemi kryesor që kanë është ku ti gjejnë punëtorët që i nevojiten qoftë në numër por edhe për aftësi. Kjo është të tallesh me përbuzje me këtë hall kombëtar. Çështja e sigurimeve shoqërore është çështje sigurie shoqërore, nuk është një çështje thjesht detyrimi formal. Është çështje sigurie shoqërore, dhe nuk është as ndihmë qeveritare, as dhuratë qeveritare, asgjë tjetër veçse një detyrim i drejtpërdrejtë, sistemi i pensioneve nuk është kompani, është një sistem që funksionin si kanal transmetimi i atyre që mblidhen këtej dhe shkojnë menjëherë andej për të paguar pensionet. Po i kthehem asaj që u tha këtu, flasim për një realitet ekonomik ku për shkak se e kemi filluar nga shumë mbrapa, për shkak se kur e nisëm këtë të përpjete, i gjetëm bizneset të rraskapitura nga goditjet, borxhet dhe e gjetëm shtetin të zhytur në një gropë që mund të kthehej në humnerë me 700 e kusur mln euro borxhe, me një kompani, pa llogaritur atë të energjisë elektrike, që vetëm ajo më vete kishte një borxh sa mali i Dajtit dhe ndërtuam një rrugë ku e para synuam që të stabilizojmë sistemin e taksimit e dyta të çlirojmë komplet nga taksimin e biznesit e vogël dhe e treta synuam që pa rritur taksat të zgjerojmë bazën e kontribuuesve. Sot jemi vendi me hapësirën më të madhe të lehtësive për bizneset. S’ka vend në rajon që biznesi i vogël të ketë zero taksë, deri në 140 mijë euro nuk paguan as taksë, ndërkohë që deri në 100 mijë euro xhiro nuk paguan as taksë as TVSH", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Mosdeklarimi i pagave, Rama: Bizneset po grabisin pensionistët! Do përballeni me masa administrative e penale
SI.E./ReportTv.al