Fotoja e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale tregon një Xhaxha Sam me tiparet e Donald Trump-it, i cili me një armë lodër qëllon flluska sapuni drejt kullave të Kremlinit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë shaka të zakonshme nga kanalet ultranacionaliste të Telegram-it, por për mënyrën se si Ria Novosti, një nga tre agjencitë shtetërore të lajmeve, ka vendosur të ilustrojë komentin e saj mbi njoftimin e bërë nga presidenti amerikan. Titulli, edhe më thumbues, pasi është një citim i qartë i frazës që Trump i tha Volodymyr Zelensky-t gjatë takimit të tyre të parë dhe të famëkeq në Shtëpinë e Bardhë: “Uashingtoni nuk ka kartat për të kërcënuar Moskën“.
Shkrimi vijon, i gjithi në vijën e ironisë: “Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar sërish — për të disatën herë! — politikën e tyre lidhur me furnizimin me armë të Ukrainës. Dje i furnizonin, sot jo, nesër ndoshta sërish. Strategjia jonë për të shtypur armatimet perëndimore dhe për të denazifikuar fizikisht Ukrainën po funksionon mirë dhe nuk ka arsye për ta braktisur atë. (…) Mbeten sanksionet, famëkeqet taksa doganore prej 500% që ligjvënësit amerikanë do të vendosin ndaj çdo vendi që blen hidrokarbure nga Rusia. Jo, nuk është një gabim shtypi apo një zero e tepërt: në planet e tyre janë vërtet taksa prej 500%... Blerësit tanë kryesorë sot janë India dhe Kina. A duan vërtet SHBA-të të shpallin një bllokadë tregtare ndaj këtyre vendeve gjigande? Do të jetë me të vërtetë interesante të shohim këtë spektakël…“.
Nëse ky është reagimi zyrtar nga mediat e kontrolluara nga presidenca dhe qeveria ruse, imagjinoni të tjerat. “Veshët e Trump-it përkëdhelen nga elozhet e burokratëve amerikanë dhe ai duket i lumtur të nënshkruajë urdhrin ekzekutiv të nevojshëm, i stolisur me një dozë të mirë lajkash për mënyrën se si po e bën Amerikën sërish të madhe me një të rënë të stilolapsit. “Krenaria është padyshim mëkati im i preferuar”, thoshte personazhi i Al Pacino-s në filmin “Avokati i djallit”. Kështu flet nënkryetarja e Institutit shtetëror për kërkime dhe parashikime strategjike Viktoria Fedosova, zakonisht e pozicionuar në linja më të moderuara. Në të njëjtën vijë është edhe kanali Telegram Rybar, që numëron një milion e gjysmë ndjekës: "Mali polli një mi të pafajshëm“.
Retorika amerikane për ruajtjen e paqes u zëvendësua, siç pritej, me deklarata për furnizimin e afërt me armë të reja për regjimin e Kievit. Nga llomotitja e zakonshme e Trump-it mund të kuptosh se Evropa do të paguajë për ndihmën. E gjitha kjo forcon bindjen tonë: e rëndësishme për Rusinë është të kuptojë se në këto rrethana janë realitetet në fushën e betejës që përcaktojnë diplomacinë, dhe jo e kundërta“.
Qofshin nga skifterët e “partisë së luftës” apo nga “pëllumbat”, të gjitha reagimet janë në të njëjtën linjë, pasojë e refleksit pavlovian që aktivizohet gjithmonë në këto rrethana. Me Rusinë, ultimatumet nuk funksionojnë, shkruan Izvestia, e jo më “para-ultimatumet”. Politika ngjitet mbi këtë krenari kombëtare me zellin e zakonshëm. "Nxitoj të zhgënjej presidentin amerikan: aktualisht nuk tregtojmë pothuajse asgjë me SHBA-të, një qarkullim tregtar qesharak prej tetë miliardë dollarësh", thotë Aleksej Zhuravlev, nënkryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Dumën ruse.
Në këtë kontekst, gati të çuditshme duken fjalët e kujdesshme të Kirill Dimitriev, “amerikani i Kremlinit” me studime në Harvard, figurë kyçe në negociatat me administratën amerikane, i cili kujton "nevojën për një dialog konstruktiv" me SHBA-të, duke theksuar se "retorika e presionit ndaj Rusisë" nuk funksionon më dhe se ka nevojë "të korrigjohen gabimet e bëra nga Biden".
Dyshime të mëdha mbi sanksionet dytësore ka edhe një vëzhgues neutral si Alexey Kalmykov, komentator ekonomik për shërbimin rus të BBC-së: "Nëse Trump i referohet Kinës si partneri kryesor tregtar i Rusisë, le të themi se ai e ka humbur tashmë këtë betejë. Trump e ka provuar më parë, por Pekini iu përgjigj ashpër dhe ia hoqi dëshirën. Kjo është një kërcënim pa peshë". Ndërkohë, kanali Telegram Insider, që mbledh burime anonime nga Kremlini, pohon se presidenti po përgatit "një përgjigje të ashpër" ndaj Trump-it. Por ndoshta, edhe kjo është vetëm propagandë. Kur gjërat janë të paqarta ose e vendosin përballë një udhëkryqi, Vladimir Putin gjithmonë zgjedh të heshtë… dhe të presë./Corriere della sera
Komente
