PORTUGALI - Jose Mourinho është prezantuar zyrtarisht si trajner i ri i Benficas, duke u rikthyer në klubin e Lisbonës pas një çerek shekulli. Kontrata e teknikut portugez do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2027.
Gjatë konferencës së prezantimit, 62-vjeçari u shpreh i vendosur për këtë hap të ri në karrierën e tij.
“Kur m'u propozuar të drejtoja Benfican, nuk u mendova dy herë”, tha Mourinho.
Ky emërim vjen vetëm pak javë pasi ai u shkarkua nga drejtimi i Fenerbahçes, pas eliminimit të skuadrës turke në play-off të Champions League pikërisht nga Benfica.
Mourinho, i njohur për karrierën e tij të pasur me trofe në Angli, Itali dhe Spanjë, rikthehet tani në vendlindje për të udhëhequr një nga klubet më të mëdha të futbollit portugez, duke ndezur menjëherë entuziazmin e tifozëve.
Jose Mourinho në vite të ndryshme te Benfica - Skysports
Jose Mourinho, i prezantuar së fundmi si trajneri i ri i Benficas, ka folur hapur për periudhën e tij te Fenerbahce, duke e cilësuar si një zgjedhje të gabuar në karrierë.
Në konferencën për shtyp, portugezi pranoi se aventura në Turqi nuk përputhej me standardet e tij profesionale.
“Karriera ime ka qenë e pasur, kam trajnuar klubet më të mëdha në botë në vende të ndryshme. Kisha një mundësi të gabuar. Bëra një gabim që shkova te Fenerbahce. Nuk ishte niveli im kulturor, as niveli im i futbollit. Por sigurisht dhashë gjithçka deri në ditën e fundit", tha ai.
Mourinho u ndal edhe te mënyra se si klubi turk menaxhoi skuadrën, duke theksuar mospërputhjen me idetë e tij taktike.
“Doja të luaja me katër lojtarë në mbrojtje, por klubi bleu pesë lojtarë për një ditë pasi u largova. Ishte e pamundur të zbatoja vizionin tim kur skuadra kishte shtatë mbrojtës qëndrorë dhe vetëm një mbrojtës krahu”, tha 62-vjeçari.
Komente
