Muaji i pyllëzimit, nxënësit mbjellin pemë në Vlorë e Dibër

14 Dhjetor 2023, 19:15| Përditesimi: 14 Dhjetor 2023, 19:20

  • Share

Në Gjoricën historike e piktoreske, aty ku 179 vite më parë dibranët zhvilluan betejën e ashpër kundër turqve të komanduar nga Hajredin Pasha, nxënësit e shkollave të mesme mbollën pemë, duke dhënë kontribut në zhvillimin e mjedisit.

“Kemi ardhur këtu për të mbjellë pemë dhe shpresoj mos ta lëmë me kaq”,- tha një nxënëse.

“Sot jemi mbledhur për zhvillimin e aktivitetit të rinjtë në mjedis. Sot kemi vendosur të mbjellim 300 fidanë pisha”,- tregoi një tjetër.

“Vij nga shkolla e Bulqizës. Jemi mbledhur për të mbjellë pemë dhe shpresoj që kjo iniciativë të vazhdojë gjithmonë."

Aktiviteti në kuadër të muajit të pyllëzimit u organizua nga shoqëria civile me financim të Ambasadës Amerikane.

“Sot po mbjellim 300 fidanë pishë në një nga vendet më të bukura dhe historike dhe në zonën e Bulqizës. Është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë. Pasohet me aktivitete tjera”,- tha Riges Beqiri, drejtues i shoqatës së mjedisit në Bulqizë.

“Eshtë një ftesë e hapur që të gjithë njerëzit të vijnë të shohin një Bulqizë tjetër që nuk e kanë parë”,- tha Aida Ciro, nga organizata ‘Co-Plan’.

Edhe në Vlorë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare iu përgjigjen thirrjes së Bashkisë për të mbjellë 1000 pemë në Pyllin e Sodës, i cili gjatë verës u dëmtua nga zjarret.

“Eshtë shumë me rëndësi sepse është mushkëria e qytetit. 1000 fidanë janë dhuratë nga një biznesmen. Kërkoj nga qytetarët të mos abuzojnë me mjedisin. Po kështu do bëjmë aksione pastrimi me nxënës shkollash”,- tha Ermal Dredha, Kryetar Bashkie.

Pjesëmarrëse në këtë nismë, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se 2024-ta do të shpallet viti i pyllëzimit.

“Në gjithë këtë territor kemi dy vite e gjysmë që punojmë për pastrimin nga plehrat, të lënë nga qytetarët. Kemi hequr tonelata me plehra. Më vjen mirë që rikthehem këtu për të mbjellë pemë. Vitin 2024 e kemi shpallur vitin e pyjeve",- u shpreh ajo.

Kumbaro kërkoi nga të rinjtë të bëhen promotorë të mbrojtjes së mjedisit.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?