Tiranë- Muaji i shenjtë i Ramazanit nis nesër me kalendarin e agjërimit, për të gjithë besimtarët myslimanë në botë.
Myftiu i Tiranës dhe drejtuesi i Xhamisë së Madhe të Namazgjasë, Gazmend Teqja, ishte në një intervistë në "Sot, Live në Shqipëri”, në Report TV.
I pyetur nga moderatori Nertil Agalliu, myftiu shpjegoi mirësitë e këtij muaji sipas Kuranit dhe hapat që ndjekin besimtarët, përfitimet shpirtërore dhe faljen pas mbarimit të tij, për të cilën tha se për shkak të mungesës së kapaciteteve në xhami, do mbahet përsëri në shesh.
“Dita e parë e Ramazanit është nesër, që besimtarët të jenë të agjërueshëm. Por për të filluar Ramazani fillon nga nata e sotme (28 shkurt), me perëndimin e diellit. Sot besimtarët bëjnë përgatitjet shpirtërore për agjërimin, adhurimin, për të gjithë muajin e Ramazanit. Ramazani është muaji në të cilin zbriti dhe u shpall Kurani. Zoti e zgjodhi si muaj për të përcjellë mesazhet hyjnore. Në të njëjtën kohë, ose në të njëjtin muaj çdo vit, Zoti rifreskon mirësitë dhe begatitë e tij, si ditën që zbriti Kurani. Është manual, udhërrëfyes shpirtëror i besimtarëve. Ishalla jep edhe faljen për mëshirën e Zotit, për ata të cilët ndjekin porositë”, tha Teqja.
Pyetjes së cilat janë detyrimet dhe ndalimet e agjërimit në muajin e Ramazanit për besimtarët, ai përmendi disa, por theksoi kryesoren, se ky agjërim mbahet për të kryer vepra të mira dhe për të pastruar zemrën dhe shpirtin.
“Përgatitjet nisin sot në darkë dhe dita e parë në agim, ora 04:30 e mëngjesit fillon koha e agjërimit, që është edhe agimi i parë. Dhe deri në perëndimin e diellit besimtarët nuk konsumojnë ushqim dhe as pije, dhe gjithashtu as marrëdhëniet intime me bashkëshortët dhe bashkëshortet. Ne bazohemi te rregullat strikte të agjërimit, rregullat bazë, por ajo që kërkohet është më shumë, që zemra dhe shpirti të pastrohen në këtë muaj dhe të përmirësojë njeriu raportin e tij me Zotin dhe krijesat. Por nëse njeriu vijon e kryen vepra apo gjëra që nuk janë të ndershme, atëherë agjërimi i tij mbetet vetëm uria dhe etja dhe asgjë tjetër, dhe nuk i merr shpërblimet te Zoti. Neve ia sugjerojmë edhe fëmijëve që janë në moshën e adoleshencës, ose edhe më të vegjël, ama detyrim e ka ai që hyn në moshën madhore. Kurse ata që kanë probleme shëndetësore dhe nuk e mbajnë dot agjërimin, ata janë të justifikuar. Bie fjala gratë shtatzëna apo që kanë fëmijë në gji, sepse mund të ndikojë te ndërprerja e qumështit të gjirit, edhe këto nuk e kanë obligim që të agjërojnë”, shpjegoi imami për Report TV.
Më tej Teqja theksoi se qëllimi kryesor është pastrimi shpirtëror dhe që Zoti t’ia pranojë të gjithëve këtë agjërim.
“Ky Ramazan duhet të jetë mundësia e gjithsecilit prej nesh. Ne jemi njerëz, kemi të metat dhe dobësitë tona, ndonjëherë sprovohemi në jetë. Mbase nuk i përballojmë sprovat siç duhet, mbase nuk mbajmë qëndrimet e duhura, dikujt mund t’ia kemi shkelur të drejtën, pra ky Ramazan duhet të jetë mundësia jonë, të përmirësojmë veten tonë dhe t’i kthehemi Zotit. Ka disa ajete dhe i pari është ai që të bëhesh i devotshëm kur nis agjërimin, që të arrish devotshmërinë dhe të bëhesh njeri më i mirë. Edhe në mbyllje të ajeteve theksohet kjo gjë, që të bëhemi më të mirë, më të devotshëm. Zoti na e mundësoftë, ishalla të gjithë ta arrijnë të fitojnë shpërblimet e Zotit gjatë këtij Ramazani, që janë falja dhe kënaqësia e Zotit. Ishalla bëhemi më të mirë, hyjmë në këtë Ramazan dhe dalim më të mirë prej tij. Nëse e kemi arritur këtë, kemi arritur edhe suksesin e këtij Ramazani dhe shpërblimin”, u shpreh ai.
Në lidhje me vendin ku do mbahet falja e madhe në mbyllje të Ramazanit dhe festës së Bajramit, Teqja shpjegoi se ajo do ishte përsëri në shesh, pasi xhamia nuk mund të mbajë atë numër besimtarësh që vijnë çdo vit.
Pyetjes së ku do mbahet mbyllja e Ramazanit, në shesh apo në xhaminë e Namazgjasë, Teqja iu përgjigj:
“Ne do donim shumë t’i akomodonim të gjithë besimtarët në xhaminë e madhe, edhe të falen të qetë e në kushte të mira. E kam theksuar edhe më parë, brenda përbrenda, hollin jashtë dhe oborrin, nuk mban më shumë se 7-8 mijë vetë, kur e dimë se falen deri në 40 mijë vetë. Vështirë shumë që të akomodohen, do t’i hynim në hak treçerekut të besimtarëve ose më shumë se kaq, kështu që nuk është zgjidhje akoma për Bajramin kjo xhami, sado që është e madhe, e bukur dhe madhështore. Në shesh do falet, në shesh. Nuk kemi mundësi tjetër”, tha myftiu.
Në fund të fjalës së tij ai dha edhe mesazhe paqeje dhe kundër luftës.
“Ne nuk jemi për luftën, i kujtdo besimi qofshin njerëzit, apo që është sprovuar me këtë gjë, është sprovë e madhe për këdo. Lufta vetëm shkatërron. Madje kur është bërë marrëveshja e paqes e kemi thënë edhe nga xhamia jonë ishalla do Zoti merr fund sa më parë dhe merr fund njëherë e mirë kjo gjë, të mbyllet dhe t’i kthehen normalitetit sa më parë. Zoti t’i mëshirojë ata njerëz që janë ndarë nga kjo botë si pasojë e asaj lufte që ky Ramazan të jetë një mirësi për të gjithë ata, në të gjithë botën. Edhe juve ju falënderoj dhe Zoti jua shtoftë mirësinë”.
Komente
