Çështja e arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj ka sjellë edhe debate të forta në studion e Report TV, në emisionit “5 Pyetjet nga Babaramo”, ku të ftuarit ndanë mendime të ndryshme për dosjen dhe provat në të, praktikën juridike dhe ligjore të ndjekura nga GJKKO dhe SPAK.
Gazetari Flogert Muça u shpreh se deri tani ai nuk ka parë asnjë provë se Veliaj ka bërë korrupsion, edhe pse i mbeten dyshime për shkakun e sponsorizimeve të OJF-ve nga biznesmenët. Ai theksoi se po ndiqet një praktikë e “çelësave në det” pa u dhënë një vendim gjykate për personin e akuzuar dhe pa një dosje të qartë dhe me shumë mangësi dhe gropa, si rasti i gjendjes gjyqësore “i dënuar” për kryebashkiakun, apo ai i vilës në Qerret.
“Unë nuk kam parë prova në dosje, nuk kam parë fakte, por dyshime kam. Pyetja ime është a ka SPAK provë se Erjon Veliaj psh. i ka dërguar mesazh biznesmenëve, Bektashit bie fjala, e t’i thotë hajde më sill 50 mijë euro, ose ço paratë atje? Pra dyshimet mund të jenë se indirekt sponsorizimet e OJF nga bizneset, por unë nuk shoh asnjë provë”, tha Muça.
Avokati Leonard Karaj këmbënguli se prokuroria çdo akuzë e ka shoqëruar edhe me prova, përfshi faturat, duke interpretuar fashikujt e çështjes në favor të SPAK edhe pse mban pozicionin e mbrojtësit ligjor.
“Në 66 fashikuj Prokuroria i ka shoqëruar me prova të gjithë detajet, ka dhe fatura. Janë bileta e udhëtimit, akomodimi, të paguara nga biznesmeni Fatmir Bektashi. Në dosje SPAK ka edhe faturën për çdo blerje, me kartën e kreditit të Xoxes. Janë 9 leje ndërtimi që ka lëshuar Veliaj. Nga ajo që kam parë në dosje deri tani. Ka një person që thotë se janë 200 mijë euro blerje që i ka bërë dhe përmend emrin e Ajola Xoxes. Unë inat kam Edi Ramën dhe jo Erion Veliajn”, tha ai.
Muça i kujtoi se kjo nuk tregon se janë prova korrupsioni, pasi janë kryer veprime nga OJF dhe jo nga personi fizik, por shtoi se dyshimet mbeten.
Ish-prokurori Ervin Karanxha tha se nuk mund t’i interpretonte detajet e dosjes, pasi ajo i mbetet prokurorit për ta vlerësuar, teksa nënvizoi se praktikat e blerjeve mund të jenë bërë me karta të ndryshme dhe ajo duhet parë.
“Unë nuk mund të hyj në prova, pasi nuk hyj dot nga pozicioni i avokatit. Ajo i mbetet prokurorit, ai e vlerëson. Nuk mund të them se si del kjo diferencë që thotë Xoxe apo prokuroria, apo blerjet e bëra, pasi mund të jenë bërë me karta të ndryshme, të personave të tjerë, nuk e di", tha ai.
Kurse një nga themeluesit e “Djathtas 1912”, Ervin Kulluri, shpjegoi se dy zhvillime në tre muajt e fundit kanë qenë të rëndësishme më shumë se arrestimi i Veliajt. Bëhet fjalë për refuzimin e organeve të drejtësisë për të marrë pjesë në Komisionin Xhafaj dhe deklarata e të enjtes ndaj deklaratave të kryeministrit Rama.
“Zhvillimet më të rëndësishme për mua në 3 muajt e fundit ishte deklarata e organeve mbikëqyrëse të Drejtësisë që refuzuan Komisionin Xhafaj dhe ajo e të enjtes nga KLGJ e KLP me reagimin e tyre, që tregojnë pavarësinë e Drejtësisë dhe shkëputjen e saj. Pas 4 vitesh kemi një drejtësi që mund të veprojë si e pavarur dhe të gabojë si e pavarur, pra e pandikuar nga politika”, tha Kulluri.
Lajmi kryesor:
Arrestimi i Veliajt/ Karanxha: Kundër këtij standardi, kryebashkiaku i New York-ut hetohet në gjendje të lirë! Karaj: Pse Rama nuk reagoi njësoj për Metën?
A.Q/r.k./ReportTv.al
