10 naftëtarë të Ballshit janë futur në grevë urie pasi kanë 5 muaj pa u paguar nga kompania. Gjatë diskutimeve mes punonjësve të uzinës dhe përfaqësuesve të kompanisë nuk u arrit një marrëveshje, duke detyruar që 10 nga punonjësit të ndërmarrin një vendim të vështirë dhe të hyjnë në grevë urie.
Kompania ka propozuar që naftëtarët të nënshkruajnë një kontratë të re pune nga 1 Marsi, por pa njohur borxhet e prapambetura, pra pa u kompensuar pagat e 5 muajve të kaluar. Kjo nuk është pranuar nga naftëtarët, të cilët në mbështetje të grevës së urisë së punëtorëve të Pompimit në Poçem, janë vendosur në mjediset e qendrës shëndetësore pranë uzinës së naftës. Ata shprehen për Report Tv se greva e tyre ka një afat të pacaktuar deri në marrjen e borxheve të prapambeturave dhe do të shkojnë deri në vetëflijim. 'Ne kërkojmë 5 rrogat nga pronari ekzistuesi dhe vazhdimësinë e punë, këto janë të panegociaur nga ne' ishin kërkesat e naftëtarëve që hynë në grevë urie.
Naftëtarët e Ballshit i kishin lënë afat kompanisë sot deri më 14:30, por mosarritja e marrëveshjes, caktoi dhe nisjen e grevës urisë për 10 punonjësit e uzinës së naftës. Nga ana tjetër punëtorët e Poçemit hyjnë në ditën e 5 të rezistencës pasi kanë 23 muaj pa marrë pagat e tyre, ndërsa disa prej të cilëve kanë shfaqur probleme shëndetësore.
'Takimi nga përfaqësuesi i kompanisë, të paktën kështu u prezantuar ai, pasi dhe ne vetë nuk jemi të qartë se në sa duar ka kaluar rafineria jonë. Ai shtroi opsionin e tij, por ajo që kuptuam ne në atë takimi është që ai nuk do të mbajë përgjegjësi për pagat tona të prapambetura. Nga data 1 e muajit mars tha se do të bëjmë kontratë ligjore, por shprehet se nuk mban përgjegjësi për borxhet e prapambetura nga tjetër kush. Në momentet që flasim kompania që ka operuar si qiramarrësen nuk ka shpallur falimentin. Dje me kolegët e Poçemit i është bërë me dije kryeprokurorit që të shpenzojë një orë e të uli palët në tavolinë, të shohim se çfarë bëhet me pagat tona. Janë mbajtur tatime e detyrime shëndetësore e shoqërore mbi cilën pagë, se ne nuk kemi marrë gjë. Ne kërkojmë ato çfarë thotë ligji, shqetësimi është i ligjshëm. Nga ky moment do të ndërmarrim aktin ekstrem, duke përkrahur kolegët e Poçemit, do hyjmë në grevë urie pa afat', shprehet një nga naftëtarët e uzinës.
'Dera e uzinës do hapet vetëm për policët, nuk do të lejojmë asnjë civil të hyjë brenda. Kërkojnë të na përçajnë, qëllimi ynë është të marrim pagat që na kanë borxh', tha një tjetër naftëtar.
'Ne kërkojmë 5 rrogat nga pronari ekzistuesi dhe vazhdimësinë e punë, këto janë të panegociaur nga ne. Janë paguar tatimet dhe ne nuk kemi marrë pagat. Kjo është dita e parë e grevës dhe ne këtu jemi 10 personave. Ne i bashkohemi edhe grevistëve të Poçemit, është pjesë e jona. Ky shtet nuk na dëgjon, jemi pa bukë. Greva jonë është e papërcaktuar mund të rrimë dhe një muaj, do të vetëflijohemi, kemi fëmijët pa buke', u shpreh për Report Tv një nga grevistët.
Lajmi kryesor:
'Timonin që deshe ta dhamë, tani mos na ço në greminë'! Dita e pestë e grevës në Ballsh, punëtorët: Jemi shqiptarë, jo somalezë (VIDEO)
//ReportTv.al