Serie A ka hyrë në javën e fundit dhe më vendimtare të sezonit, ku titulli kampion do të vendoset mes Napolit dhe Interit. Aktualisht Napoli kryeson renditjen me një pikë avantazh ndaj zikaltërve të Interit, duke i dhënë vetes mundësinë të vendosë fatin e kampionatit në shtëpi.
Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte do të përballet të premten (20:45) në “Diego Armando Maradona” me Cagliarin, në një sfidë që mund të kurorëzojë të kaltërit si kampionë të Italisë. Në rast fitoreje, titulli do të rikthehej në Napoli dhe festa pritet të shpërthejë jo vetëm në stadium, por në mbarë qytetin.
Entuziazmi i tifozëve është i jashtëzakonshëm. Kompania e biletave njoftoi se shitja do të niste dje (19 maj) në orën 15:00 dhe në momentet e para të hapjes së sistemit mbi 400 mijë tifozë tentuan të siguronin një biletë, ndonëse stadiumi ka një kapacitet shumë më të vogël (54.726 ulëse).
Ky interes rekord tregon sa i rëndësishëm është ky moment për qytetin e Napolit, që ëndërron titullin pas një sezoni spektakolar. Nëse gjithçka shkon sipas planeve të Contes dhe të kaltërve, festa do të vazhdojë gjatë natës në rrugët dhe sheshet e qytetit.
Komente
