ITALI - Gjatë një sezoni plot emocione dhe rivalitet deri në javën e fundit, Serie A 2024-25 ka dhënë verdiktet përfundimtare. Napoli është kurorëzuar kampion i Italisë për herë të katërt në histori, duke triumfuar nën drejtimin e Antonio Contes dhe rrëzuar nga froni Interin.
Zikaltërit e Simone Inzaghit do të marrin pjesë në Champions League, së bashku me Atalantën e Gasperinit që u rendit e treta, si dhe Juventusin që siguroi vendin e katërt pas një fitoreje të vuajtur 2-3 ndaj Venezias në udhëtim.
Roma e Claudio Ranierit, pavarësisht fitores 0-2 ndaj Torinos në javën e fundit, do të duhet të kënaqet me vendin e pestë dhe pjesëmarrjen në Europa League. Aty bashkohet edhe Bologna, falë triumfit të saj në Kupën e Italisë.
Surpriza më e madhe e fundit të sezonit ishte përmbysja në garën për një vend në Conference League. Fiorentina përfitoi nga disfata e Lazios ndaj Leçes (0-1) dhe me fitoren 2-3 ndaj Udineses arriti të marrë vendin e gjashtë falë avantazhit në përballjet direkte.
Në fundin e renditjes u përcaktuan edhe skuadrat që bien në Serie B. Venezia, Empoli dhe Monza nuk ia dolën të mbijetojnë, ndërsa Parma që mposhti Atalantën 2-3 në Bergamo dhe Leçe falë fitores ndaj Lazios, siguruan qëndrimin në elitë për një tjetër sezon.
Verdiktet e sezonit 2024-25 në Serie A:
Kampion i Italisë: Napoli
Champions League: Napoli, Inter, Atalanta, Juventus
Europa League: Bologna (fituese e Kupës së Italisë), Roma
Conference League: Fiorentina
Të rëna në Serie B: Venezia, Empoli, Monza
Komente
