TIRANË- Arti shqiptar në zi. Këngëtari i njohur Sherif Merdani ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 81-vjeçari, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Lajmi është bërë i ditur nga miqtë e tij, të cilët nuk kanë nguruar që t’i thurin lëvdada për gjurmët që la në historinë e muzikës shqiptare.
Sherif Merdani njihej si si këngëtar i madh shqiptar i muzikës së lehtë shqipe, e ndërsa për të shënoi një pikë kthehe festivai i 11-të i Këngës, i cili së bashku me disa kolegë të tij përfundoi në burg nga regjimi i asaj kohe, ku bëri 16 vite burg. Më pas, Merdani ka punuar edhe si diplomat në ambasadën shqiptare në Romë.
Homazhet në nder të këngëtarit të mirënjohur Sherif Merdani do të zhvillohen ditën e nesërme në orën 12:00 – 14:00. Njoftimin e ka bërë djali i të ndjerit, përmes një postimi në Facebook.
“Me dhimbje të madhe dhe hidhërim të thellë, njoftoj ndarjen nga jeta të babait tim të shtrenjtë, Sherif Merdani. Njoftojmë familjarë, të afërm, miq dhe dashamirës, se homazhet kryhen ditën e nesërme, datë 30.08.2021, tek “Internacional Event House 1921”, rruga Kajo Karafili, pranë “Lidhjes së Shkrimtarëve” nga ora 12:00 deri në orën 14:00, nga ku do të nisemi drejt Varrezave të Tufinës”, shkruan Gerard Merdani.
Disa nga këngët e tij
Kartolina
A do vish sivjet në plazh
Duart e tua (kënduar në festivalin e 11)
Se kënduam "Let it be"
Simfonia e nënës
Shokë të pandarë
Takim pas vitesh
Sot ora shtatë
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur Sherif Merdani. Ruçi shkruan se repertori i Sherif Merdanit ishte një simfoni e dashurisë e bukurisë njerëzore dhe se emancipoi muzikën shqiptare.
“Sherif Merdani ishte një këngëtar dhe artist i madh, që i këndoi me dashuri jetës, dashurisë, nënës dhe gjithshkaje të bukur te njerëzit, shpirti dhe ndjenjat e tyre. Repertori i Sherif Merdanit është një simfoni e dashurisë dhe bukurisë njerëzore. Me artin e tij Sherif Merdani emancipoi artin, këngën dhe muzikën shqiptare. Për këtë kontribut emancipues, ky artist i madh vuajti dënime e sakrifikoi vite të tëra nga jeta e tij. Por këto vuajtje nuk ia ndrydhën talentin dhe nuk ia pakësuan fisnikërinë. Me këngët e Sherif Merdanit jemi rritur dhe ato do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm”, shkruan Ruçi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një mesazhi ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur Sherif Merdani. Veliaj e ka quajtur humbjen e artistit që vuajti gjatë edhe nga regjimi diktatorial, një humbje për artin dhe muzikën shqiptare.
“Me ikjen e Sherif Merdanit, kënga shqiptare humbi një nga zërat e saj më të mirë. Ai ishte një simbol i rezistencës kundër regjimit diktatorial dhe një shpirt i lirë. U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes,” shprehet në mesazhin e tij kryebashkiaku Veliaj.
Këngëtari i njohur Sherif Merdani ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 81-vjeçare.
Dhimbje dhe trishtim ka lënë për miqtë dhe kolegët lajmi i ndarjes nga jeta të këngëtarit të muzikës së lehtë shqiptare Sherif Merdanit. Me zërin që i dridhej Maestro Zhani Ciko në një lidhje telefonike për Report Tv tha se ky lajm e trishtoi shumë, pasi artit shqiptar i iku simboli i lirisë dhe i historisë së muzikës tonë.
Teksa plot mall e trishtim fliste për momentet se si ishte njohur me Merdanin, Zhani Ciko tregoi edhe një moment se si pas viteve '90 pas një Sherif të thinjur dhe të ndryshuar por që e kishte njohur menjëherë timbrin e zërit të tij.
"Ishte një lajm i papritur dhe shumë i hidhur, pasi ai nuk ishte vetëm një shok apo muzikantë, por ishte simboli i lirisë dhe krijimtarisë. Ishte simbol për lirinë e interpretimit që për rrethanat e kohës ai u dënua rëndë, ishte një ndëshkim i paragjykuar. Moment i lumtur ishte kur pas viteve 1990 shoh një njeri që më ngjasonin e të por ai kishte ndryshuar, ishte thinjës dhe ndryshuar në fytyrë. Sapo dëgjova zërin e njoha që ishte ai, donte të rindërtonte sërish jetën e tij muzikore. U bë simbol i historisë së këngës", tha Ciko.
Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit Sherif Merdani. Meta shkruan se ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit të tij në periudhën më të errët për vendin.
"Këngëtari i lirisë, Sherif Merdani u nda sot prej nesh duke lënë pas shumë dhembje. I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit, në periudhën më të errët për vendin. Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme! I paharruar kujtimi i Sherif Merdanit!
"...Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po,
'Let it be', kam për të kënduar", shkruan Meta.
Kreu i PD, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit Sherif Merdani. Basha shkruan se ai ishte një nga artistët më të spikatur, ku zëri i tij kumboi fort në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit.
"Me trishtim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të artistit të njohur Sherif Merdani. Sherifi ishte një nga artistët më të spikatur të brezit të tij. Zëri dhe arti i tij kumboi fort dhe në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit në të cilat ai kaloi 16 vite të jetës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë që sot humbën të afërmin dhe mikun e tyre! Shpirti i tij u prehtë ne paqe", shkruan Basha.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të këngëtarit Sherif Merdani.
Duke postuar një foto bardh e zi të Merdanit ai thjeshtë i ka dhënë lamtumirën këngëtarit të njohur shqiptar, i cili ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare.
"Lamtumirë Sherif Merdani", shkruan Rama
Te cuditshem jemi ne shqiptaret Me teper e qajn sherifin ata qe e futen ne burg kurse nga bashk vujtesit asnje fjale ngushellimi
PërgjigjuNgushellime familjes. Nje ze i vecant.
PërgjigjuVuajti para 30 vjetesh. Gjithe Shqiptaret e shkrete te vuajtur jane.
PërgjigjuMe vjen keq qe humbem nje kengetar te vertete,nje njeri te mire me zemer te madhe,perhere optimist,perhere i thjeshte,i respektuar nga te gjithe.Prinderit e mi e kane njohur nga afer para arrestimit kur punonte ne rrethin e Librazhdit,kur merrej me krijimin e grupeve muzikore dhe zbulimin e talenteve te reja,kur beheshin koncerte,etj.Ngushellime familjes!
PërgjigjuNgushellime familjes Lengjenda e muzikes
PërgjigjuU prefsh ne pace o njeri i madh
PërgjigjuKenga e nenes eshte kryevepra e tij. Ngushullume te sinqerta familjes.
PërgjigjuI la shqiptareve interpretimin e shkelqyer te muzikes se lehte. I qofte i lehte dheu mjeshtrit Sherif Merdani. Ngushellim per familjen.
Përgjigju